Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në të cilën shprehu ngushëllimet e tij të thella për viktimat dhe të lënduarit në tërmetin që goditi Shqipërinë herët në mëngjes.

Presidenti Pendarovski ofroi mbështetje për Presidentin Meta, kurse Kabineti i tij është në koordinim të vazhdueshëm me Kabinetin e Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes një aktiviteti të përbashkët të sinkronizuar për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për familjet e qytetarëve të vdekur dhe të plagosur të Shqipërisë.

Presidenti Pendarovski, në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i dërgoi një telegram ngushëllimi Presidentit Meta.

I nderuari zotëri President,

Me keqardhje të thellë mora lajmin për tërmetin që shkaktoi një tragjedi të vërtetë në Republikën e Shqipërisë dhe më vjen keq thellësisht për humbjen e jetës dhe dëmin e madh të shkaktuar nga kjo katastrofë e tmerrshme natyrore.
Në këto momente pikëlluese për ju, për qytetarët e vendit tuaj dhe për familjet e viktimave, të dëmtuarit dhe ata që kanë mbetur pa shtëpitë e tyre, më lejoni, në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, të shpreh shprehjet e mia të thella dhe të sinqerta ngushëlluese.

I nderuari zotëri President, unë jam thellësisht i bindur që humaniteti dhe solidariteti do të ndihmojnë në zbutjen e pasojave të kësaj tragjedie të madhe.

Ju lutem, zoti President, përcilljuani ngushëllimet e mia më të thella familjeve të prekura dhe popullit të Shqipërisë.

Stevo Pendarovski
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Сподели: