Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në Konferencën e 9-të ndërkombëtare hulumtuese me temë “Riaktualizimi i i inflacionit dhe realitetet e reja gjeopolitike – Ridizajnimi i politikës makroekonomike” që organizohet në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Komitetin e transformimit të Breton Vudsit, që mbahet në Shkup. Në fjalim Presidenti Pendarovski theksoi se si ekonomi e vogël, e hapur dhe e varur nga importi, vendi i ndjen në mënyrë disproporcionale efektet e tronditjeve globale dhe prandaj është e rëndësishme të gjendet model për amortizim të tronditjeve tregtare në një ambient të rrethanave ekonomike vazhdimisht të ndryshueshme.
Që të parandalohet ikja e fuqisë së kualifikuar të punës, sipas Presidentit Pendarovski, është e domosdoshme që t’i bëjmë sistemet tona ekonomike më të pëlqyeshme edhe për zhvillimin e lirisë ekonomike dhe për barazinë e mundësive dhe tha se reformat e domosdoshme në segmentet vitale të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, siç janë investimet, produktiviteti i punës, përshtatja e arsimit sipas kërkesave të tregut të punës dhe krijimi i vendeve cilësore të punës.
Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin t’ju përshëndes në këtë konferencë të rëndësishme të organizuar nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komiteti i transformimit i Breton Vudsit.
Në vitin 1958, para 65 vjetësh, filozofi i njohur britanik Isaia Berlin e mbajti ligjëratën e vet inauguruese në Universitetin e Oksfordit për të dy konceptet e lirisë. Duke u fokusuar te tensioni midis lirisë dhe barazisë rreth të cilave ka qenë edhe konflikti kryesor ideologjik gjatë Luftës së Ftohtë, Berlini ka vërejtur se liria më e madhe ekonomike mund të çojë drejt barazisë më të vogël dhe anasjelltas.
Si rrjedhim imponohet logjikisht pyetja: Si duhet të jetë rendi që do ta garantojë lirinë pa çekuilibruar barazinë? Kjo pyetje është sidomos aktuale në periudha krize, kur përsëri ballafaqohemi me dilemën si të sigurojmë rritje ekonomike që do të ishte afatgjate, të qëndrueshme dhe po aq e aksesueshme për një rreth më të gjerë njerëzish.
Ky është shkaku pse një shtet i vogël territorialisht si Maqedonia e Veriut,i kushton kaq vëmendje çështjes për arkitekturën në kushte të fragmentimit gjeopolitik dhe gjeoekonomik.
Efektet e krizës shëndetësore, energjetike, ekonomike, sociale dhe të sigurisë u konvertuan në polikrizë e cili i ngriti çmimet e energjensave dhe të artikujve ushqimorë, e ngadalësoi rritjen ekonomike, e përshpejtoi inflacionin, i zmadhoi shpenzimet për jetën dhe e ngushtoi hapësirën për mbështetje të ekonomisë.
Si ekonomi e vogël, e hapur dhe e varur nga importi, vendi i ndjen në mënyrë disproporcionale efektet e tronditjeve globale dhe prandaj është e rëndësishme të gjendet model për amortizim të tronditjeve tregtare në një ambient të rrethanave ekonomike vazhdimisht të ndryshueshme.
Në kushte të një mjedisi të jashtëm të paqëndrueshëm dhe presioneve gjithnjë e më të larta të çmimeve, sidomos për shkak të luftës në Ukrainë, Banka jonë Popullore, duke ndjekur shembullin e Bankës Qendrore Evropiane, filloi të rregullojë politikën e saj monetare. Në të njëjtën kohë, është fakt se politika e shëndetshme monetare ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe në frenimin e pjesërishëm të inflacionit në rritje. Por kjo nuk do të thotë se të gjitha sfidat janë tejkaluar. Rreziqet gjeopolitike dhe gjeoekonomike intensifikojnë padiskutim efektet negative afatgjata mbi demografinë.
Domethënë, pasiguria intensifikon emigrimin masiv të të rinjve jo vetëm nga vendi ynë, por edhe nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Kurse kështu humbim kapitalin e vyeshëm njerëzor dhe shoqëror nga i cili varet rritja dhe zhvillimi afatgjatë ekonomik i vendeve tona dhe i të gjithë rajonit.
Që ta parandalojmë ikjen e fuqisë së kualifikuar të punës, është e domosdoshme t’i kthehemi dilemës së Isaia Berlinit dhe të përpiqemi t’i bëjmë sistemet tona ekonomike të përshtatshme për zhvillimin e lirisë ekonomike dhe për barazinë e mundësive.
Nevojiten me patjetër reforma në segmentet vitale të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, siç janë investimet, produktiviteti i punës, përshtatja e arsimit sipas kërkesave të tregut të punës dhe krijimi i vendeve cilësore të punës.
Besoj se këtë gjë mund ta arrijmë më mirë nëpërmjet reformave të përforcuara dhe integrimit të përshpejtuar në Bashkimin Evropian. Integrimi më i madh tregtar dhe financiar i rajonit në tregun evropian, në dekadat e kaluara ishte një nga fondamentet vitale të zhvillimit ekonomik.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pikërisht ekonomia maqedonase ka nivelin më të lartë të integrimit tregtar me Bashkimin Evropian. Megjithatë, që qytetarët maqedonas t’i ndiejnë fitimet nga Bashkimi, përveç integrimit tregtar është i domosdoshëm edhe integrimi politik – që nënkupton pranim edhe të kritereve dhe standardeve evropiane. Prandaj, neve, si dhe vendeve të rajonit si asnjëherë më parë na nevojitet me patjetër përforcimi i mëtejshëm dhe jo zvogëlim i lidhjeve me ekonomitë e zhvilluara.
Më lejoni në fund ta them bindjen time se kjo konferencë është mundësi që të jepet këndvështrim profesional, autentik, midis të tjerash edhe rajonal mbi këto pyetje dhe dilema.
Prandaj përveç se qëndrim të këndshëm në Shkup, ju uroj punë të suksesshme dhe prezantim të suksesshëm të koncepteve, ideve dhe rekomandimeve kreative për tejkalimin e dilemave dhe sfidave të theksuara.
Ju faleminderit.