Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot i pranoi letrat kredenciale të Zhoze Rui Velezh Karoso, ambasadori i sapoemëruar i Republikës së Portugalisë me seli në Beograd.
Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se sivjet shënohet 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe vuri në dukje se ekzistojnë mundësi të shumta për thellimin e mëtejshëm të sinqertë të bashkëpunimit, si në planin bilateral ashtu edhe në atë ndërkombëtar, me interes të veçantë në intensifikimin e lidhjeve ekonomike.
Duke theksuar se mbështetja e vazhdueshme nga Republika e Portugalisë për integrimin e vendeve të rajonit në strukturat evropiane, kurse në atë kuadër edhe të shtetit tonë, ka qenë gjithmonë e një rëndësie të madhe, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se është e rëndësishme që ajo të vazhdojë me intensitet edhe më të madh në periudhën që vijon.
“Ne meritojmë të fillojmë negociatat e anëtarësimit në BE pa vonesa të mëtejshme. Dua të ritheksoj se si unë ashtu edhe Qeveria mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj reformave të nevojshme në lidhje me integrimin tonë në BE. Megjithatë, ky proces duhet të zbatohet në përputhje me Kriteret e Kopenhagës. Nëse procesi ynë i integrimit në BE nuk debilaterizohet, besoj se do të krijojë precedent të dëmshëm për të gjitha vendet kandidate të ardhshme. Shtetet e tjera mund të përdorin mosmarrëveshjet bilaterale si justifikim për të bllokuar rrugën e vendeve kandidate”, tha Presidentja Siljanovska Davkova.
Ambasadori portugez Zhoze Rui Velezh Karoso në fjalën e tij theksoi se vlerat e përbashkëta që i bashkojnë dy vendet, si dhe bashkëpunimi në NATO, në dobi të sigurisë euroatlantike, janë të një rëndësie të veçantë për garantimin e lirisë dhe demokracisë. Ai theksoi se Portugalia mbështet plotësisht hyrjen e vendit tonë në BE, si dhe të vendeve të tjera kandidate nga Ballkani Perëndimor, duke shtuar se me agjendën e reformave dhe Planin e rritjes, ky është moment mundësie për të gjithë që nuk duhet humbur.
“Në këto kohë sfiduese me të cilat po përballohemi tani në nivel global, me luftën agresive në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, si dhe me shumë tragjedi të tjera të dëmshme, të dhunshme dhe të tmerrshme në mbarë botën, është e domosdoshme që të qëndrojmë së bashku për drejtësi dhe paqen, me perspektivë bilaterale, sipas parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha ambasadori i sapoemëruar portugez në ceremoninë e dorëzimit të kredencialeve.
Presidentja Siljanovska Davkova i uroi suksese ambasadorit Zhoze Rui Velezh Karoso në zbatimin e detyrës me përgjegjësi.