Presidenti Pendarovski i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar  slloven, Gregor Presker

6 Shtator 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Republikës së Sllovenisë, Gregor Presker.

Duke i uruar mirëseardhjen ambasadorit Presker në vendin tonë, Presidenti Pendarovski theksoi kënaqësinë e tij për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet dy vendeve mike, të cilat karakterizohen me përkrahje dhe respekt të përhershëm të ndërsjellë.

Presidenti Pendarovski, duke shprehur mirënjohje të madhe për mbështetjen e qartë dhe pa rezervë që Sllovenia e jep për perspektivën tonë evropiane, si dhe për shkëmbimin e përvojave me ne në këtë proces, shprehu bindjen se do të vazhdojnë me intensitet edhe më të madh në periudhën e ardhshme. Ai theksoi gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e tregtisë, si dhe përkushtimin për pasurimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbrojtjes, bujqësisë, arsimit dhe kulturës.

Presidenti Pendarovski tha se pakica maqedonase në Republikën e Sllovenisë dhe pakica sllovene në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përveç se janë promotorë të pasurisë kulturore dhe traditës së të dyja vendeve, përbëjnë edhe urë për përforcimin e mëtejshëm të miqësisë maqedonase-sllovene. Në këtë kontekst, Presidenti vlerësoi se numri gjithnjë dhe më i madh i studentëve maqedonas që gëzojnë mikpritjen sllovene garanton se e ardhmja e miqësisë maqedonase-sllovene është e sigurt.

Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, ambasadori Presker theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve u konfirmuan edhe nga fakti se Republika e Sllovenisë ishte vendi i parë i huaj që hapi ambasadën e saj në vendin tonë dhe se shteti ynë hapi ambasadën e parë në Republikën e Sllovenisë.

Ambasadori i sapoemëruar slloven e theksoi bashkëpunimin e suksesshëm politik ndërmjet dy vendeve, si dhe bashkëpunimin ekonomik në fushën e mbrojtjes, të punëve të brendshme, të kulturës, shkencës, arsimit si dhe në fushën e sportit.

Ambasadori Presker theksoi se gjatë mandatit të tij do të angazhohet për përparimin e suksesshëm të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së dhe se Sllovenia dëshiron që Maqedonia e Veriut t’i përmbushë sa më parë të gjitha kushtet e nevojshme për vazhdimin e suksesshëm të procesit të anëtarësimit në BE. Ai shtoi se marrëdhëniet e sinqerta, të hapura dhe miqësore midis dy vendeve konfirmohen edhe nga vendimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut për dërgimin e ushtarëve në Slloveni, të cilët me vetëmohim ndihmuan popullin slloven pas përmbytjeve katastrofike të fundit, dhe shprehu mirënjohjen për solidaritetin e vendit tonë dhe sakrificën e ushtarëve maqedonas në atë situatë të vështirë.

Presidenti Pendarovski i uroi ambasadorit Presker sukses në zbatimin e funksionit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit