Bashkëshortja e Presidentit Pendarovski, Elizabeta Gjorgievska, ishte pjesë e jurisë 4 anëtarësh që vlerësoi krijimet e nxënësve nga 14 shkolla të mesme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të bëra nga ripërdorimi i materialeve të ndryshme të mbeturinave.
Nxënësit e shkollave të mesme në periudhën e kaluar, grumbullonin materiale, përkatësisht letër të vjetër, plastikë, pjesë të kompjuterëve të vjetër, materiale natyrore dhe gjësende të tjera që mund të ripërdoren. Pastaj, prej tyre ata bënë rroba dhe aksesor mode.
Qëllimi i projektit “Trash Fashion”, i cili është organizuar për më shumë se 10 vjet nga Shoqata për Edukim, Komunikim dhe Këshillim OXO, është të zvogëlohen mbeturinat përmes ripërdorimit të tyre dhe të rrisë ndërgjegjësimin te nxënësit dhe publikun e gjerë për rëndësinë e mjedisit jetësor.
“Me të vërtetë më mahniti krijimtaria dhe potenciali i nxënësve. Por, mbi të gjitha, jam e impresionuar nga vetëdija jashtëzakonisht e zhvilluar e këtyre të rinjve rreth rëndësisë dhe ruajtjes së mjedisit, natyrës dhe ripërdorimit të mbeturinave”, tha Gjorgievska. Deri më tani, pothuajse të gjitha shkollat e mesme në vend kanë marrë pjesë në këtë konkurs dhe janë bërë më shumë se 400 modele dhe aksesorë të modës. Përmes procesit të grumbullimit të materialeve, ekipet gjithashtu kishin për detyrë të matnin sa mbeturina mblodhën. Këtë vit u mblodhën më shumë se 3,500 kilogram mbeturina. Dhe tema mbi të cilën janë bërë punimet është “Superheronjtë për 2020”.
Aksioni i këtij viti iu kushtua të gjitha heroinave dhe heronjve që ishin në vijën e parë të luftës me pandeminë Kovid-19 dhe që vazhdimisht eksponoheshin në rrezik
Fituesi i këtij viti “Trash Fashion” është ekipi nga Shkolla e Mesme Komunale “Bogdanci” nga Bogdanci i përbërë nga nxnënëset Stefanija Angova, Cvetanka Atanasova dhe Gabriela Kostevska, nën mentorimin e Vesna Ristovskës. Vendi i dytë i takoi Marija Stanojovskës, Aleksandra Mirçeskës dhe Antonio Gjurcinoskit, nxënës të ShMK “Gjorçe Petrov” nga Prilepi dhe mentoren e tyre Marta Makeska. Jovana Ivanova dhe Sofija Peçeva dhe mentorja e tyre Margareta Spasov, nga ShMK “Nikolla Karev” nga Strumica fituan vendin e tretë. Çmimi special për sasinë më të madhe të mbeturinave të mbledhura iu dha nxënësve nga ShMK “Kosta Susinov” nga Radovishi, përkatësisht Marija Prastovës, Verica Georgievës dhe Kosara Gjorgjievës, nën mentorimin e Katerina Susunovës.