Bashkëshortja e Presidentit, Elizabeta Gjorgievska mori pjesë në Festivalin ndërkombëtar për letërsi dhe ilustrime për fëmijë “Litera 2023” që po mbahet në Muzeun e Qytetit të Shkupit.
Në suazat e këtij evenimenti, znj. Gjorgievska fëmijëve të pranishëm të moshës shkollore ua lexoi librin me ilustrime “Reja me pallto të verdhë” të autores kroate dhe artistes multimediale Nikolina Manojlloviq Vraçar. Bashkëshortja e Presidentit kishte mundësi të bisedojë me autoren e librit me ilustrime e cila së bashku me ilustruesit dhe artistët kreativë Domnik Vukoviq dhe Branka Holingsvort-Nara si mysafirë nga Kroacia morën pjesë në programin e shumëllojshëm të festivalit.
Në bisedën me mysafirët nga Kroacia dhe me krijuesin ideor të festivalit “Litera”, Sofija Semenpeeva, bashkëshortja e Presidentit e theksoi rëndësinë e madhe të mbajtjes së manifestimeve të tilla ku publiku ka mundësi të njihet me autorët dhe letërsinë për fëmijë dhe të rinj, duke e ngritur kështu vetëdijen te prindërit dhe fëmijët mbi ndikimin e botimeve të tilla letrare mbi zhvillimin e rregullt intelektual dhe emocional të fëmijëve.
“Litera” është festival ndërkombëtar për letërsi dhe ilustrime për fëmijë në suazat e të cilit mbahen aktivitete të shumëllojshme kushtuar opinionin ekspert, shtëpive të botimit të cilat botojnë letërsi për fëmijë dhe të rinj, fëmijëve nga mosha parashkollore dhe shkollore, prindërve, ilustruesve dhe shkrimtarëve. Në festival mysafirëve nga Kroacia iu bashkangjitën edhe ilustrues, shkrimtarë, autorë të librave me ilustrime, botues, artistë multimedialë nga vendi.