Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e 28 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, sot mirëpriti një delegacion të anëtarëve të shquar të bashkësisë boshnjake në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në takim morën pjesë Xhelal Hoxhiq, zëvendësdrejtor i Agjencisë për të Drejtat e Bashkësive, Izeta Babaçiq, mësuese dhe autore e teksteve në gjuhën boshnjake, Sanadin Volloder, gazetar nga Bosnja dhe Hercegovina, Enis Dërndar, ekspert për sigurinë e infrastrukturës në sektorin energjetik – MEPSO, Armin Mandall, përfaqësuese në E-futbollin virtual dhe Elvira Meqiq, infermiere dhe punëtore humanitare.
Bashkëbiseduesit e njohën Presidentin Pendarovski me sfidat me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e bashkësisë së tyre si dhe me aktivitetet që kanë për qëllim realizimin dhe përparimin e të drejtave nacionale të boshnjakëve në vend, në të gjitha segmentet shoqërore. Në këtë kontekst u theksua përkushtimi për afirmimin dhe përdorimin e gjuhës boshnjake në procesin arsimor dhe në shërbimet e informimit publik, si dhe për përfaqësimin e drejtë të boshnjakëve në institucionet shtetërore dhe publike.
Presidenti Pendarovski shprehu kënaqësinë e tij për kontributin e vazhdueshëm dhe të përkushtuar të bashkësisë boshnjake në ndërtimin dhe edukimin e shoqërisë tonë multietnike, e cila është shembull pozitiv në suaza ndërkombëtare. Duke ua uruar Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve, Presidenti e rikonfirmoi mbështetjen dhe përkushtimin personal për sigurimin e të drejtave të të gjitha bashkësive etnike, në drejtim të mundësimit të trajtimit dhe mundësive të barabarta për çdo individ, që është parakusht themelor për zhvillimin e përgjithshëm të shtetit tonë.