Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komandanti Suprem i forcave të armatosura, Stevo Pendarovski, sot në Shtëpinë e Armatës në Shkup mori pjesë në brifingun mbi gatishmërinë luftarake të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2021.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerallejtënanti Vasko Gjurçinovski dhe drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajori Zoran Milevski e prezantuan gjendjen dhe realizimin e aktiviteteve të planifikuara në fushat funksionale, të cilat janë pjesë e gatishmërisë luftarake. Para udhëheqjes ushtarake janë prezantuar detyrat e realizuara dhe arritjet e Armatës në vitin 2021, si edhe detyrat kryesore për vitin e ardhshëm 2022, ku janë përfshirë fushat: menaxhmenti personal dhe morali, operacionet në vend dhe jashtë vendit, trajnimet dhe stërvitjet, mbështetja logjistike, planifikimi ushtarak dhe struktura e fuqive, lidhjet dhe komunikimet, buxhetimi dhe bashkëpunimi civil-ushtarak.
Gjenerali Gjurçinovski e theksoi përgatitjen e komandave dhe njësive të Armatës për realizimin e të gjitha aktiviteteve sipas dinamikës së planifikuar në procesin e arritjes së qëllimeve të aftësisë së NATO-s dhe u theksua angazhimi dhe zbatimi profesional i obligimeve të përfaqësuesve të Armatës, me të cilën janë realizuar të gjitha aktivitetet dhe detyrat e planifikuara, si dhe përgatitja për asistencë të institucioneve shtetërore dhe ndihmë të qytetarëve.
Presidenti dhe Komandanti Suprem Stevo Pendarovski para pjesëmarrësve në këtë brifing e shprehu kënaqësinë e vet për profesionalizmin, përkushtimin dhe sakrificën e treguar nga përfaqësuesit e Armatës këtë vit.
Presidenti rekomandoi se investimi në modernizimin dhe pajisjen e Armatës duhet të vazhdojë me patjetër, sepse me përforcimin e kapaciteteve dhe potencialeve tona mbrojtëse nuk fiton vetëm Armata por ndikon edhe mbi zhvillimin ekonomik dhe standardin më të lartë jetësor të qytetarëve.
“Pavarësisht se kriza ekonomike dhe shëndetësore ushtron trysni për një rend më të ndryshëm të prioriteteve të buxhetit, shteti është e domosdoshme të mbetet i përkushtuar ndaj investimeve në mbrojtje dhe siguri, sepse ato janë baza për funksionimin edhe të sektorëve të tjerë shoqërorë”, tha Presidenti Pendarovski.
Ai si shembuj për këtë i dha angazhimin e Armatës në mbështetjen e institucioneve shëndetësore dhe të tjera për ballafaqimin me pandeminë kovid-19, si dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të Armatës në ballafaqimin me zjarret këtë vit.
Presidenti para të pranishmëve e theksoi deklaratën e përbashkët të nënshkruar me NATO-n muajin e kaluar, kurse me të cilën u përmbyll zyrtarisht procesi i integrimit tonë në Aleancë dhe vlerësoi se anëtarësimi në NATO na ndihmon të ballafaqohemi më mirë edhe me kërcënimet e vjetra, por edhe me kërcënimet e reja të sigurisë. Në këtë kontekst, Presidenti e theksoi domosdoshmërinë për zbatimin e reformave në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe kundërzbulimit, për ballafaqim më të mirë kërcënimet hibride dhe kiber, si edhe me dezinformacionet.
Duke folur për departizimin e institucioneve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, Presidenti Pendarovski i dërgoi mesazh udhëheqjes ushtarake se politika duhet të mbahet jashtë radhëve të armatës. Ai shtoi se përfaqësuesit e Armatës sonë, si dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut kuptohet se kanë të drejtë të bindjes së vet personale politike, por duhet t’i shërbejnë vetëm shtetit, pavarësisht nga garnitura politike në pushtet.
Në këtë brifing për përgatitjen luftarake të Armatës në vitin 2021, që është obligim i shefit të Shtabit të Përgjithshëm ndaj Komandantit Suprem, morën pjesë ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, gjeneralët në Armatë dhe përfaqësuesit e Kabinetit të Presidentit.