Në prag të 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, dje në Kabinetin e Presidentes Gordana Siljanovska Davkova u mbajt debat me temë “Sfidat me integrimin e romëve nëpërmjet prizmit të të rinjve”.
Pjesëmarrësit në këtë debat ishin nxënës dhe studentë, përfaqësues të bashkësisë rome. Debatin e udhëhoqi Doan Sulejmanovski, drejtor i gjimnazit “Shaip Jusuf”, anëtar i Këshillit Rinor dhe anëtar i Komisionit për Falje.
Duke i uruar për Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Presidentja Siljanovska Davkova u tha të rinjve romë se Kabineti, si një shtëpi e përbashkët qytetare, është vend i përshtatshëm për të festuar festën më të rëndësishme rome.
Ajo u tha të pranishmëve të jenë krenarë për përkatësinë e tyre etnike, duke pasur parasysh krijimtarinë, modestinë, aftësinë dhe përshtatshmërinë e dëshmuar që i bëjnë ata të veçantë.
Ajo i inkurajoi ata që të kontribuojnë në konkurrencë në të gjitha fushat, duke treguar shembuj të romëve të suksesshëm, në mënyrë që të krijohet një imazh autentik i tyre, sepse rrëfimi i të tjerëve për romët bazohet në perceptimin e tyre, i cili nuk është imun ndaj injorancës, ndërtimit, madje edhe paragjykimeve.
Më e rëndësishmja, sipas saj, është që romët më të mirë të gjenden në pozicionet e duhura, si dëshmi se dija, inteligjenca dhe përkushtimi shpërblehen pavarësisht përkatësisë mbi çdo bazë. Natyrisht, ajo rikujtoi se veprimi afirmativ në rastin e romëve është veçanërisht i rëndësishëm duke pasur parasysh cenueshmërinë e theksuar të kësaj kategorie të qytetarëve maqedonas.
U zhvillua një debat i gjallë ku morën pjesë shumë studentë dhe nxënës. Mendimi i tyre kritik dhe vetëdija më lanë përshtypje. Ata vunë në dukje një sërë shembujsh të diskriminimit të romëve në të gjitha bazat, zbuluan problemet më të mëdha me të cilat përballohen dhe propozuan zgjidhje.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes rome, Presidentja, si dhe disa diskutues, vunë në dukje vendin tonë si shembull pozitiv, duke iu referuar statusit kushtetues të romëve, formimit të komunës me popullatë dominuese rome, në të cilën gjuha rome është gjuhë zyrtare, angazhimit politik të romëve nëpërmjet formimit të partive politike rome, fitimit të pozitave politike rome, të kryetarit të komunës dhe funksioneve të tjera, investimit në arsim dhe kulturë, në stimulimin e qendrës qytetare.
Natyrisht, u theksuan shumë sfida, si problemi i mësimit të gjuhës rome si gjuhë amtare dhe si e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Për Presidenten, krijimi i Katedrës së Gjuhës Rome do të kontribuojë në krijimin e stafit pedagogjik për gjuhën rome.
Gjithashtu u theksua nevoja e krijimit të një qendre kulturore rome, një qendër shëndetësore të denjë, shoqëri kulturore, artistike dhe sportive, si dhe një bibliotekë.
Të rinjtë theksuan problemin ende të vazhdueshëm me personat “fantom”, përkatësisht personat të cilët ende nuk kanë dokumente personale dhe janë të penguar të ushtrojnë të drejtën për arsim dhe kujdes shëndetësor, kurse përballohen me një sërë pengesash administrative në funksionimin e tyre të përditshëm.
Për mysafirët është shqetësuese cilësia e ulët e shërbimeve shëndetësore që marrin romët, duke pasur parasysh mungesën kronike të personelit mjekësor në Shuto Orizar.
Në debat u theksua nevoja e krijimit urgjent të Grupit Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Romëve, si dhe sigurimi i përfaqësimit të romëve në Komisionin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive duke emëruar sa më shpejt anëtarët nga bashkësitë që nuk kanë përfaqësues në Kuvend nga Avokati i Popullit.
Sipas Presidentes, modeli ynë për zgjidhjen e statusit të romëve në vend mund të jetë kontributi ynë civilizues në BE.