Deklarata e Shkupit
Ne liderët e Procesit Bërdo-Brioni, të udhëhequr nga parimet e bashkëpunimit rajonal, demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, u takuam në Shkup, më 11 shtator 2023, me qëllim ta njohim dhe theksojmë rëndësinë vitale të përshpejtimit të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, nevojën për përshtatje me efektet e ndryshimeve klimatike dhe debatin në lidhje me masat për sigurim të vitalitetit të shoqërive nëpërmjet mbajtjes së të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke synuar të ardhmen e përparuar dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor si parakusht për përparimin dhe stabilitetin e Evropës, nënvizojmë si në vijim:
Përshpejtimi i procesit të aderimit në Bashkimin Evropian:
Obligohemi, nëpërmjet riafirmimit të qëndrimit tonë në lidhje me politikën e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si kontributi më i drejtpërdrejtë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, kurse tani, si asnjëherë më parë edhe si çështje gjeopolitike, ta intensifikojmë dialogun strategjik me institucionet e BE-së me qëllim që të përshpejtohet procesi i aderimit në BE dhe të parandalohet ngecja e rajonit. BE-ja, si edhe Ballkani Perëndimor, duhet të jetë e përgatitur për zgjerim në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se viti 2030 që të arrihet ky qëllim.
Në lidhje me agresionin e vazhdueshëm rus mbi Ukrainën dhe efektin e kalimit në Ballkanin Perëndimor, e përsërisim nevojën për BE-në e fuqishme, rezistente dhe inkluzive, me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj.
E pranuam faktin se reformat gjithëpërfshirëse, politike, ekonomike dhe sociale janë të rëndësishme për aderimin në BE. E ndërmorëm obligimin që t’i intensifikojmë përpjekjet tona në zbatimin e reformave në Ballkanin Perëndimor, qëllimi i të cilave është përforcimi i sundimit të të drejtës, përparimi, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike.
Konfirmojmë se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbësore për përparim në rrugët përkatëse të BE-së. Zotohemi se do të punojmë së bashku që të kultivojmë një atmosferë të besimit të ndërsjellë, mirëkuptimit, zgjidhjes paqësore dhe afatgjate të çështjeve të mbetura bilaterale dhe solidaritet midis nesh.
E theksojmë rëndësinë e arritjes së fitimeve të dukshme dhe mundësive për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe para aderimit formal. Si rrjedhim, e ftojmë BE-në ta shqyrtojë hapjen e rrugëve të cilat do t’i mundësojnë Ballkanit Perëndimor të aderojë në politikat specifike, iniciativat dhe fondet e BE-së, duke ia ofruar në këtë mënyrë disa prej përfitimeve nga anëtarësimi në BE njerëzve të Ballkanit Perëndimor që sot.
Në këtë kuptim, e theksojmë urgjencën e shfrytëzimit të metodologjisë së re të negociatave me qëllim që të përshpejtohet procesi i aderimit në BE i bazuar në merita, si dhe të sigurohet përparim i integrimit shkallë-shkallë midis BE-së dhe rajonit që në vetë procesin e zgjerimit.
Lufta kundër efekteve të ndryshimeve klimatike dhe zbutja e efekteve të tyre:
Duke e njohur nevojën urgjente të përshtatjes me kërcënimet në rritje të ndryshimeve klimatike në rajon, theksojmë se përshtatja me ndryshimet klimatike është përgjegjësi e cila kërkon përpjekje të përbashkëta nga qeveritë tona, shoqëria qytetare, sektori privat dhe partnerët ndërkombëtarë. Këto përpjekje duhet të koordinohen me BE-në dhe me programet e saj të ngjashme.
Ballafaqimi me sfidat nga ndryshimet klimatike, tranzicioni i gjelbër dhe rritja e gjelbër, së bashku me diversifikimin e përforcuar të energjisë dhe kalimi drejt energjisë së ripërtëritshme dhe efikasitetit, duhet të promovohen edhe më tej. Zotohemi ta përshpejtojmë kalimin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë dhe ta përforcojmë efikasitetin energjetik me qëllim që të zvogëlohet gjurma e karbonit dhe të sigurohet një e ardhme energjetike e qëndrueshme. Kjo mund të përfshijë investime ekologjike të shëndetshme në burime hidro, solare, të erës dhe gjeotermale.
E përshëndesim Pakon për mbështetje energjetike në shumë prej 1 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor, me të cilën BE-ja i zgjeroi masat për solidaritet të cilat janë ndërmarrë në suazat e BE-së pas agresionit të Federatës Ruse mbi Ukrainën, siç është mbështetja e amvisërive vulnerabile dhe ndërtimi i infrastrukturës së re energjetike.
Duke e njohur pasurinë e peizazheve tona natyrore dhe të biodiversitetit, do të punojmë bashkërish në ruajtjen dhe mbrojtjen e ekosistemeve tona unike dhe do të promovojmë praktika që qëndrueshme në përdorimin e tokës.
Do të mbështesim investimet në infrastrukturën klimatike rezistente dhe ekologjikisht të qëndrueshme dhe masat për përgatitje kundër katastrofave, me qëllim që të mbrohen shoqëritë tona nga ndikimet e kushteve ekstreme të moti. Përmbytjet që i goditën Slloveninë dhe Kroacinë këtë vit, si dhe zjarret në pyjet në rajon janë vërtetim për nevojën për punë të përbashkët dhe ndihmë të ndërsjellë në ballafaqimin me sfidat e përbashkëta. Solidariteti është vlerë e cila ka qenë vazhdimisht pjesë integrale e bashkëpunimit tonë. Në atë frymë, e inkurajojmë zhvillimin dhe përdorimin e praktikave të mira, duke përfshirë edhe mekanizmat evropianë, duke koordinuar ndihmën si në nivel bilateral ashtu edhe multilateral, me qëllim që të sigurohet se ndihma do të jetë gjithmonë e disponueshme për ata që kanë më shumë nevojë.
Mbajtja e të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor:
Emigrimi i të rinjve nga Ballkani Perëndimor ka pasoja të theksuara mbi vitalitetin afatgjatë të shoqërive tona, mbi zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mbi përparimin shoqëror. E njohim rëndësinë thelbësore për mbajtjen e të rinjve në suazat e Ballkanit Perëndimor. Jemi të bindur fuqimisht se shfrytëzimi i potencialit të të rinjve është vital për përparimin e shoqërive tona dhe për arritjen e prosperitetit afatgjatë.
E theksojmë rëndësinë e bashkëpunimit me BE-në dhe mbështetjen në mbajtjen e të rinjve në rajon. Angazhimi dhe partneriteti me BE-në janë të rëndësishëm për sigurimin e zbatimit të suksesshëm të strategjisë qëllimi i të cilës është kujdesi dhe shfrytëzimi i potencialit të të rinjve.
E festojmë diversitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe zotohemi për përparimin e shkëmbimit kulturor dhe mirëkuptimin midis të rinjve. Nëpërmjet kultivimit të inkluzionit dhe shoqërive të hapura, synojmë krijimin e një mjedisi i cili do t’i inkurajojë të rinjtë të qëndrojnë ose të kthehen dhe të kontribuojnë në zhvillimin kolektiv të rajonit.
E njohim rëndësinë e arsimit cilësor. Do të punojmë në përmirësimin e sistemeve arsimore dhe zmadhimin e mundësive për të rinjtë që të fitojnë kompetenca dhe shkathtësi përkatëse.
Obligohemi të krijojmë një mjedis tërheqës dhe konkurrent për biznes i cili inkurajon inovacione, sipërmarrje dhe krijim të vendeve të reja të punës duke i mbajtur kështu të rinjtë në rajon.
Konfirmojmë se bashkëpunimi në këto fusha është me rëndësi thelbësore për përforcimin e zhvillimit të kapitalit njerëzor, ndalimin e ikjes së trurit dhe inkurajimin e qarkullimit të trurit, si dhe kultivimin e zhvillimit të një ekosistemi stabil dhe inovativ dhe kalimin në ekonominë e bazuar në njohuri, duke siguruar kështu perspektivë më të mirë për të rinjtë në rajon.