Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komandanti Suprem i forcave të armatosura, Stevo Pendarovski, sot, në ceremoninë qendrore me rastin e kremtimit të 18 Gushtit – Ditës së Armatës me Urdhrin për merita ushtarake i dekoroi Zyrën për Bashkëpunim në Mbrojtje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Batalionin për Mbështetje Ushtarake Mjekësore të Bazës Logjistike dhe Batalionin e Tretë Këmbësor të Brigadës së Parë Këmbësore të Komandës për Operacione në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Zyra për Bashkëpunim në Mbrojtje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dekorohet me Urdhrin për merita ushtarake për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme në procesin e përforcimit të kapaciteteve dhe të standardeve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për përforcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Batalioni për Mbështetje Ushtarake Mjekësore i Bazës Logjistike në Armatë dekorohet me Urdhrin për merita ushtarake për profesionalizmin e lartë, sakrificën dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në kryerjen e misionit të njësisë nëpërmjet ruajtjes dhe përparimit të shëndetit të përfaqësuesve të Armatës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe duke ruajtur kështu nivelin e nevojshëm të gatishmërisë luftarake, për mbështetjen mjekësore gjatë ballafaqimit dhe rehabilitimit të fatkeqësive elementare dhe gjendjeve të krizës, për pjesëmarrjen në operacionet paqësore dhe mbështetjen profesionale të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë ballafaqimit me pandeminë me kovid-19.
Batalioni i Tretë Këmbësor i Brigadës së Parë Këmbësore i Komandës për Operacione në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dekorohet me Urdhrin për merita ushtarake për profesionalizmin e lartë, sakrificën dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në kryerjen e detyrave gjatë ballafaqimit dhe rehabilitimit të fatkeqësive elementare, sigurimin e kufirit jugor gjatë krizës së migrimit dhe për mbështetjen në aktivitetet për ballafaqim me pandeminë me kovid-19 në rajonet e shpallura të krizës në Komunën e Dibrës dhe Komunën Qendër Zhupë.
Në fjalimin e vet të mbajtur me rastin e 18 Gushtit, Presidenti Pendarovski theksoi se Urdhri për merita ushtarake për Zyrën për Bashkëpunim në Mbrojtje të SHBA-së është shprehje simbolike e falënderimit tonë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit mik amerikan për të gjithë mbështetjen në dekadat e kaluara nga pavarësia deri më sot. Nëpërmjet dekorimit të Batalionit për Mbështetje Ushtarake Mjekësore të Bazës Logjistike dhe Batalionit të Tretë Këmbësor të Brigadës së Parë Këmbësore të Komandës për Operacione, siç tha Presidenti, u shprehet mirënjohje edhe të gjithë përfaqësuesve të Armatës të cilët në muajt e kaluar janë angazhuar në ballafaqimin me pasojat e pandemisë.