Diskutim panel me temë “Dhurimi i organeve – gjendja dhe sfidat” me iniciativë të bashkëshortes së Presidentit, Elizabeta Gjorgievska

6 Nëntor 2020 | Kumtesat

Me iniciativë të bashkëshortes së Presidentit, Elizabeta Gjorgievska, dje në mbrëmje u mbajt diskutim panel me temë “Dhurimi i organeve – gjendja dhe sfidat”, qëllimi i të cilit është ngritja e vetëdijes publike për dhurim të organeve dhe zhvillim të transplantimit në shtetin tonë.

Në fjalimin e vet para të pranishmëve, Gjorgievska theksoi se në kushte jashtëzakonisht të vështira, kur fokusi i sistemit shëndetësor maqedonas është në luftën me pandeminë e kovid-19, në vendin tonë për herë të parë, sivjet, është kryer transplantimi i zemrës, kurse janë bërë edhe dhjetë transplantime të veshkave.

“Kuptohet, sfidat që vijnë me dhurimin e organeve dhe me transplantimin janë me të vërtetë kolosë, madje edhe për sisteme të cilat janë shumë më të përkryera se shëndetësia jonë, por dija, përgatitja dhe, para së gjithash, gjëja që është më e rëndësishmja, entuziazmi i të gjithëve që ishin përfshirë në këtë proces, besoj se edhe mandej do të rezultojë me sukses”, tha Gjorgievska.

Në këtë eveniment, ku mori pjesë edhe Presidenti Stevo Pendarovski edhe studentë, anëtarë të Asociacionit Maqedonas Mjekësor Studentor, midis folësve ishte edhe Mare Kezharoska, e cila para dy vjetësh së bashku me vëllain e saj, ka dhënë pëlqimin që të dhurohet të dy veshkat e nënës së tyre të ndjerë.

“Është e vështirë ta marrësh vesh se për të afërmin tënd nuk ka më asnjë shpresë. Vendimi të dhurosh organ nga i afërmi tënd, për të cilin nuk ka më shpëtim, nuk është aspak i vështirë, sepse e dini se nëpërmjet këtij vendimi ju i dhuroni dikujt shans për jetën”, tha Kezharoska.

Vasil Ognjanovski, i biri i Ivan Ognjanovskit, të cilit i është bërë transplantim i zemrës në maj, në këtë diskutim panel theksoi se vetëdija për dhurimin e organeve duhet të jetë në nivel më të lartë dhe të mos jetë më temë tabu. Siç tha Ognjanovski, pret sa më shumë njerëz ta ndjekin gjestin human të familjes së të ndjerës Emilija Dineva.

“Mund të them se familjen Dinevi nuk e ndiej si familje e cila ka dhuruar organ, por ndiej sikur unë të kem lindur në atë familje. Komunikojmë pothuajse përditë. Kisha mundësi që verën ta kaloj te ta. Ai ishte një moment i mbushur plot me emocione të hidhërimit dhe të lumturisë. Nuk gjej dot fjalë që ta përshkruaj këtë gjë. E falënderoj Zotin që më dha shansin të kem edhe një vëlla, edhe një motër, kurse mund të them se edhe babanë e tyre e ndiej si babanë tim të dytë”, tha Ognjanovski.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, vlerësoi se transplantimi është sferë e cila sjell sfida, sepse kryhet me qasje multisektoriale dhe multidisiplinore. Ministri Filipçe theksoi se është e rëndësishme të ngrihet vetëdija publike për dhurimin e organeve, nëpërmjet qasjes së hapur, nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve, si dhe nëpërmjet shkëmbimit të rrëfimeve të suksesshme.

“Transplantimi është rreze shprese jo vetëm për pacientët por edhe për familjet e pacientëve, për miqtë e tyre, por edhe për shoqërinë”, tha ministri Filipçe.

Sipas dr. Maja Mojsova Mijovska, koordinatore nacionale për transplantimin, dhurimi i organeve është një metodë e pranuar dhe e suksesshme e mjekimit, që e zgjat jetën, e përmirëson cilësinë e saj dhe është e pagueshme ekonomikisht, sepse, siç theksoi, kushton shumë më pak se të gjitha metodat e tjera për të mbajtur në jetë pacientët.

Në këtë diskutim panel, dr. Sasho Dohçev,  shef i ekipit për transplantim në Klinikën e Urologjisë foli mbi nevojën për mbështetje nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë, Fondi i Shëndetësisë, por edhe nga sektori joqeveritar dhe mediat që të theksohet rëndësia e dhurimit të organeve dhe të ngrihet vetëdija te njerëzit.

Prezantimin e vet në këtë diskutim panel kishte edhe dr. Sashko Jovev,  kardiokirurg, udhëheqës i ekipit i cili e bëri transplantimin e parë të zemrës në shtetin tonë, duke theksuar se ky ishte rezultat i përgatitjes disa vjeçare dhe i përvojës së fituar deri më tani.

Përvojat e veta para të pranishmëve i tregoi edhe dr. Kristijan  Bundovski, specialist i kirurgjisë vaskulare, i cili ishte pjesë e ekipit që e ka kryer transplantimin e parë të zemrës, duke e quajtur natë e cila shkroi histori në shëndetësinë maqedonase dhe mëngjes, që gjatë pandemisë, në të gjithë shtetin ktheu shpresën.

“Klinika jonë literarisht në çdo moment është e përgatitur të bëjë transplantim, kurse për këtë duhet të jemi krenarë, sepse kjo dëshmon se vetëm me qëllim të vendosur dhe me punë të mundimshme mund të arrijmë shumë më shumë nga ajo që përkulemi para Hipokratit”, tha Bundovski.

Dushko Gjorgjiev, kryetari i Shoqatës së qytetarëve të sëmurë nga veshkat “Nefron” apeloi që transplantimi në shtet të bëhet me një temp edhe më të përforcuar dhe pacientëve në dializë t’u mundësohet sa më shpejt transplantim veshke, sepse siç tha ai, jeta në dializë është jashtëzakonisht e vështirë, e komplikuar dhe e dhimbshme.

Danijel Todorovski, kryetari i Shoqatës nacionale “Zemër e guximshme”, e theksoi nevojën për përparim të vetëdijes për dhurim të organeve.

“Edhe pse  70 vjet me radhë dhurohet gjak dhe nuk kemi problem me dhurimin e gjakut dhe me sigurimin e gjakut për klinikat, të fillojmë të bisedojmë edhe për dhurimin e organeve, për mundësinë, për atë që ne shpesh herë dimë të themi – me një transplantim të zemrës, ne pacientët e “Zemrës së guximshme” që jemi me mbështetje mekanike, mund të bëhemi si ju, të jetojmë një jetë normale. Por, duhet ta kuptoni se të gjithë ju në të njëjtin moment mund të jeni në vendin tim. Atëherë, kur të fillojmë të mendojmë kështu, të bisedojmë haptazi për këto punë, do të mund të bisedojmë edhe për aksione të suksesshme të dhurimit të organeve” tha Todorovski.

Paraprakisht, në temën për dhurimin e organeve, Elizabeta Gjorgievska ka biseduar me përfaqësuesit e familjeve, të afërmit e të cilëve kanë dhuruar dhe kanë marrë organ, si dhe me anëtarët në sistemin shëndetësor nga fusha e transplantimit.

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....