Fjalimi i Presidentit Pendarovski me rastin e festimit të 5 Majit – Ditës së Gjuhës Maqedonase

5 Maj 2021 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski, sot në festimin e 5 Majit – Ditës së Gjuhës Maqedonase, mbajti fjalim në promovimin solemn të edicionit elektronik të Fjalorit shpjegues të gjuhës maqedonase, i cili përfaqëson një punim prej shumë dekadash të gjuhëtarëve të Institutit të Gjuhës Maqedonase.

“Investimi në gjuhën dhe letërsinë maqedonase nuk është shpenzim i burimeve, por ndërtim i atdheut tonë të vetëm të tërësishëm, si pjesë e hapësirës evropiane kulturore dhe arsimore”, rekomandoi Presidenti Pendarovski, në evenimentin që u mbajt në Institutin e Gjuhës Maqedonase “Kërste Petkov Misirkov” – Shkup.

Të nderuar,

Të dashur miq,

Kam nderin t’ju përshëndes si patron i festimit të njëqind vjetorit të lindjes së Bllazhe Koneskit.

Më 5 maj 1945, në gazetën e parë ditore maqedonase “Nova Makedonija” u shpall vendimi për alfabetin maqedonas të miratuar nga Qeveria e atëhershme popullore. Ky vendim është përgatitur nga Komisioni i KAÇKM-së për Alfabetin dhe Drejtshkrimin, anëtar i të cilës ka qenë edhe Bllazhe Koneski. Edhe pse është vetëm një nga datat e shumta të rëndësishme historike të zhvillimit dhe kodifikimit të gjuhës sonë letrare, pikërisht 5 maji, në vitin 2019, me propozim nga Këshilli i Gjuhës Maqedonase është shpallur nga Qeveria si Dita e Gjuhës Maqedonase.

Pothuajse gjysmë shekulli më vonë, më 17 nëntor 1993, përsëri, në “Nova Makedonija”, është botuar teksti i fundit i Bllazhe Koneskit. Në këtë artikull të shkurtër të botuar pak kohë pas vdekjes së tij, Koneski nuk ballafaqohet me dilemën që e ka ndjekur gjithë jetën: a vlen të shkruhet në gjuhën e një populli të vogël, që është mohuar shpesh? Ai dëshmon se jo vetëm njëherë kolegët nga jashtë e kanë këshilluar që talentin e tij ta japë në ndonjë prej të a.q. gjuhëve të mëdha, botërore, në vend që ta harxhojë për një gjuhë “të vogël” siç është gjuha maqedonase.

Koneski është përgjigjur se  braktisja e krijimtarisë në gjuhën maqedonase do të ishte për të humbje dhe tradhti intime për gjeneratën e tij, e moshatarëve të tij të rrëmbyer nga ideja kombëtare maqedonase. Kurse ne sot mund të shtojmë, se nëse ndodh kjo,  kjo do të jetë humbje jo vetëm e tij por edhe e të gjitha gjeneratave të mëparshme dhe të ardhshme të maqedonasve.

Të nderuar të pranishëm,

Koneski ishte i vetëdijshëm se gjuha maqedonase dhe shkrim-leximi maqedonas kanë vazhdimësinë e vet të gjatë kohore. Procesi që filloi nëpër dialektet popullore dhe rilindësit në shekullin e 19-të, kulminon me Kërste Petkov Misirkov, i cili, sipas fjalëve të Koneskit “që në fillim të shekullit të 20 bën projekt të tërësishëm dhe të planifikuar të kodifikimit të gjuhës sonë letrare.”

Për këtë vazhdimësi kohore flet edhe fakti se drejtshkrimi maqedonas në vitin 1945 dhe vendimet e Komisionit të KAÇKM-së janë përputhur me propozimin e Misirkovit. Koneski dëshmon se në vitin 1945 nuk është diskutuar aspak çështja për bazën e gjuhës letrare maqedonase, sepse asaj i është dhënë përgjigje prej kohësh. Kuptohet, gjuha është materie e gjallë dhe si edhe të gjitha gjuhët e tjera ballkanike, edhe gjuha maqedonase ka evoluar, është adaptuar, ka pranuar ndikime, por dhe edhe ajo vetë ka ndikuar dhe ato janë fakte të cilat janë verifikuar pa mëdyshje nga shkenca botërore linguistike.

Në një nga poemat e veta, Koneski e krahason vazhdimësinë e gjuhës maqedonase me takimin midis gjeneratave, midis arsimtarëve, rilindësve dhe poetëve të paraluftës.

Ai takim midis gjeneratave është njëkohësisht edhe akt i kalimit të trashëgimisë. Para pak kohe u ndamë nga profesori Trajko Stamatovski, një nga të fundit e gjeneratës e cila së bashku me Koneskin, Vidoeskin, Korubinin, Kepeskin, Jashar Nastevan, Ugrinova Skallovskan dhe një plejadë të tërë linguistësh, sllavistësh, shkrimtarësh, poetësh, përkthyesish dhe folkloristësh e tërhoqën vëmendjen të opinionit linguistik dhe letrar evropian dhe botëror për gjuhën maqedonase. Ajo gjeneratë e ka meritën që gjuha maqedonase u bë gjuha e arsimit, shkencës, artit, jo vetëm te ne por edhe në shumë universitete në Evropë dhe në botë. Ajo gjeneratë i ndërtoi institucionet më të rëndësishme akademike, duke filluar nga Fakulteti Filologjik, ASHAM-ja, dhe deri në institutet e gjuhës maqedonase, letërsisë maqedonase dhe folklorit maqedonas. Gjenerata e Koneskit e futi gjuhën maqedonase dhe dialektet e tij në Atlasin linguistik evropian dhe të Atlasin e përgjithshëm sllavistik. Ajo gjeneratë kosmopolitie i ka kaluar meridianët dhe e ka shpërhapur rrjetin e maqedonistëve nëpër botë. Ata intelektualë të lartë i filluan edhe Mbrëmjet strugane të poezisë në kujtim të 100-vjetorit të botimit të “Zbornik” (Përmbledhjes) së vëllezërve Milladinovci.  Ajo gjeneratë krijuesish, në trashëgimi na la një pasuri të vyeshme.

Të nderuar të pranishëm,

Koneski, si edhe Misirkov pra tij, ishte i vetëdijshëm se gjuha ka fatin e popullit i cili e flet atë. Gjuha maqedonase i jep legjitimitet identitetit maqedonas. Dhe prandaj, Koneski ka konsideruar se “çështjen tonë gjuhësore duhet ta zgjidhim ne vetë dhe askush nuk ka të drejtë ta na përzihet në të”. Gjuha maqedonase është e drejta jonë themelore njerëzore dhe roje e memories sonë kolektive.

Prandaj edhe me artikullin e fundit Koneski na rikujton obligimin tonë që të vazhdojmë veprën e gjeneratës së tij duke investuar në gjuhën maqedonase.Kjo nënkupton t’i mbështesim aktivisht hulumtimet shkencore vendase dhe ndërkombëtare dhe projektet në të gjitha fushat lidhur me gjuhën maqedonase dhe me dialektet e saj. Të investojmë në sistemin arsimor maqedonas, në studimet, katedrat, lektoratet dhe botimet, të investojmë në maqedonistët në vend dhe jashtë, në projektet krijuese të shkrimtarëve dhe poetëve tanë. Në këtë mënyrë, do të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e gjuhës maqedonase.

Edhe pse ka një numër të vogël folësish, gjuha maqedonase nuk duhet t’i nënshtrohet logjikës së tregut. Ajo është fondament i brendshëm i secilit prej nesh, bazë e ekzistencës sonë si maqedonas dhe duhet ta trajtomë si të tillë. Sepse, investimi në gjuhën dhe letërsinë maqedonase nuk është shpenzim i burimeve, por ndërtim i atdheut tonë të vetëm të tërësishëm, si pjesë e hapësirës evropiane kulturore dhe arsimore.

E festofshim për shumë vjet Ditën e Gjuhës Maqedonase!

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....