Presidenti Pendarovski: Na nevojiten lidhje të afërta midis Maqedonisë dhe diasporës

24 Shtator 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski gjatë vizitës zyrtare në SHBA me rastin e pjesëmarrjes në Asamblenë e 78-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbrëmë në Çikago, si i ftuar nderi, mori pjesë dhe mbajti fjalim në mbrëmjen e donatorëve “Rrugë drejt prosperitetit” të organizuar nga “Maqedonia 2025”.

Në këtë eveniment solemn, Presidenti Pendarovski e dekoroi drejtorin kryesor ekzekutiv të Boingut, Dejvid L. Kajhun me Urdhrin “8 Shattori” për kontributin e veçantë dhe të përkushtuar në zhvillimin dhe përparimin e marrëdhënieve strategjike dhe afariste maqedonase-amerikane dhe për përparimin ekonomik në vendin tonë.

Presidenti Pendarovski e dha edhe mirënjohjen “Diaspora Recognition Awards 2023”, të cilën “Maqedonia 2025”, nën patronatin e tij, ua dha Stenli Tomasit dhe Vllatko Andonovskit, për kontributin dhe arritjet e tyre.

Në vijim është fjalimi integral i Presidentit Pendarovski:

Të nderuar organizatorë,
Të nderuar të ftuar,
Të nderuar maqedonas dhe maqedonase,

Mirëmbrëma!

Kam nderin dhe privilegjin e veçantë të jem pjesë e mbrëmjes së sotme në shoqërinë e liderëve dhe përfaqësuesve eminentë të diasporës maqedonase. Njerëz që nuk janë vetëm anëtarë të suksesshëm dhe të respektuar të bashkësive të tyre në SHBA dhe Kanada, por edhe individë që besojnë vërtet te Maqedonia, miq të përkushtuar dhe përkrahës të çështjes së përjetshme maqedonase.

Organizatorët e këtij manifestimi, “Maqedonia 20252, është një nga organizatat udhëheqëse të diasporës maqedonase, e përkushtuar ndaj zhvillimit dhe përparimit ekonomik të atdheut tonë dhe qytetarëve të tij që nga themelimi i saj në vitin 2007. Me inicimin dhe organizimin e këtij evenimenti, ata konfirmojnë edhe një herë rëndësinë dhe vizionin e tyre për të ardhmen tonë më të mirë.

Kurse ky nuk është vetëm projekti i vetëm për ta. Përveç aktiviteteve të shumta, ku përfshihen edhe konferencat vjetore tradicionale, programi për bursa për gjimnazistët, Kampi i Ohrit për përsosmëri të teknologjisë së lartë në bashkëpunim me Kabinetin e Presidentit që mbahet me sukses tri vite me radhë, para pak kohe vendosëm dhe për herë të parë e dhamë Mirënjohjen për kontribut të veçantë për anëtarë të theksuar të diasporës. Mirënjohja e vlerëson kontributin e jashtëzakonshëm të anëtarëve të diasporës maqedonase në drejtim të ruajtjes dhe afirmimit të traditave dhe vlerave historike, kulturore dhe shpirtërore maqedonase.

Sonte do të dëshiroja ta ritheksoj atë që e thashë në dhënien e parë të kësaj mirënjohjeje: na duhen organizata dhe individë që kontribuojnë në ndërtimin e lidhjeve të ngushta dhe produktive ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe diasporës së saj. Kjo ndonjëherë nënkupton edhe tejkalimin e pritshmërive të mëdha që ekzistojnë këtu, por edhe te bashkatdhetarët në vendlindje. Ajo që duhet të bëjmë së pari është të lëmë mënjanë sentimentalitetin dhe emocionet, sepse ajo që na duhet është pragmatizmi.

Ajo që na nevojitet është situata në të cilën të gjithë jemi fitimtarë, dhe si rrjedhim, angazhimi ynë i përbashkët duhet të jetë hapja e rrugëve për komunikim më të afërt midis nesh, i cili synon iniciativa dhe investime të reja.

Të nderuar miq,

Nuk është sekret se jetojmë në kohë të turbullta. Për fat të keq, në vitet e kaluara ishim dëshmitarë të krizave të ndryshme të cilat kanë ushqyer njëra-tjetrën, duke na i prishur paqen, mirëqenien dhe mënyrën e jetesës, duke i frustruar njerëzit në të gjitha kontinentet dhe duke na vendosur ndonjëherë para sfidave ekzistenciale. Kjo nuk është karakteristikë vetëm për Maqedoninë, Kanadanë apo SHBA-në – këto janë çështje që e prekin të gjithë njerëzimin.

Ajo që po ndodh me ne janë zhvendosje gjeopolitike tektonike. Kjo botë e hapur dhe e globalizuar po përballohet me një rrezik që mund t’i lëkundë lehtë themelet e saj. Kjo ishte edhe përshtypja që e shprehën shumë veta gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë vit, ku prezantova perspektivën maqedonase dhe mënyrën se si mendoj se mund të zbuten pasojat negative të trazirave globale.

Duhet të jemi të kujdesshëm, të përdorim me mençuri resurset që i kemi në dispozicion dhe të gjejmë mënyrë që t’i ndihmojmë ata që janë më të prekurit. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet empatisë, bashkimit dhe solidaritetit. Le të lëmë mënjanë për një moment ambiciet tona personale dhe të marrim pak nga koha jonë për të kontribuar në të mirën e kombit.

Në këtë darkë donatorësh, e festojmë kulturën dhe traditën maqedonase, duke shijuar muzikën dhe kuzhinën maqedonase, të rrethuar nga njerëz që kanë mençuri, aftësi dhe përvojë profesionale, dhe sigurisht që duan t’i ndajnë të gjitha këto me bashkatdhetarët e tyre.

Sonte, disa prej tyre, me arsye të mirë, do t’u jepet vlerësim i veçantë për merita. Njëkohësisht, dua të them edhe një herë nga thellësia e zemrës sime: është me të vërtetë privilegj të jesh në shoqërinë e njerëzve kaq të suksesshëm nga sfera e biznesit, individëve të shquar dhe më e rëndësishmja, patriotëve të vërtetë. Jam i bindur se vetëm duke ndjekur shembullin e liderëve tanë të mëdhenj dhe duke punuar së bashku, do të mund të kontribuojmë shumë më tepër për një Maqedoni shumë më të përparuar.

Jam optimist se mund të shkojmë më larg nga të gjitha pritjet, por kjo mund të ndodhë vetëm nëpërmjet bashkëpunimit më pozitiv dhe produktiv me secilin prej jush.

Të nderuar miq,

Sonte me ne është z. Dejvid Kalhun, presidenti dhe drejtoi kryesor ekzekutiv i Boingut. Si gjest simbolik i mirënjohjes në emër të të gjithë qytetarëve maqedonas, dëshiroj ta nderoj me Urdhrin “8 Shtatori”, një nga dekoratat më të larta shtetërore, si mirënjohje për kontributin e tij të paçmuar në ndërtimin e marrëdhënieve afariste maqedonase-amerikane dhe për mbështetjen e ekonomisë maqedonase. E dini, me kalimin e kohës, disa angazhime profesionale shkojnë përtej komunikimit të biznesit dhe vendosin themele të forta për miqësi afatgjata.

Ekziston një shprehje se pasuria e një njeriu matet me numrin e miqve. Duke gjykuar sipas kësaj, edhe përkrah faktit se vijmë nga një shtet i vogël, kemi shumë miq të mëdhenj të cilët na inkurajojnë të bëhemi njerëz më të mirë. Gjithsesi, kuptohet se z. Dejvid Kalhun është njëri prej tyre dhe jemi krenarë për këtë fakt.

Të dashur maqedonasit e mi, në fund më lejoni t’ju falënderoj për mirëpritjen e përzemërt dhe t’ju dëshiroj shumë shëndet dhe gëzime. Dhe gjithsesi, me fjalët e një shprehje të vjetër popullore. “Maqedonas dhe maqedonase dhëntë Zoti të shihemi vetëm për gjëra të bukura, qofshim të gjithë gjallë dhe shëndoshë dhe me Zotin para herën tjetër të takohemi te burimi dhe rrënjët e maqedonizmit, në Maqedoni!”

Ju faleminderit!

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit