Dorëzimi i letrave kredenciale nga ambasadorja e re e emëruar e Republikës Federative të Brazilit për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

2 Shkurt 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot i pranoi letrat kredenciale të Maria Edileuza Fontenele Reis, Ambasadorja e re e emëruar e jashtëzakonshme e autorizuar e Republikës Federative të Brazilit për Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Sofje.

Në suazat e aktivitetit “Kabinet i hapur” ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, drejtpërdrejt, nëpërmjet videoplatforës e ndoqën studentët e magjistraturës për Të drejtë dhe marrëdhënie ndërkombëtare dhe të drejtën e BE-së – shkencat juridike, shkencat politike dhe marrëdhënie me publikun nga Fakulteti Juridik “Justiniani i Parë”, Shkup.

Duke i uruar një mirëseardhje të sinqertë në vendin tonë ambasadores braziliane, Presidenti Pendarovski në fjalimin e vet në këtë ceremoni theksoi se edhe pse janë gjeografikisht larg të dy vendet mike, ekziston dëshira e përbashkët dhe potenciali për zhvillim të marrëdhënieve të ndërsjella.

“Hapja e ambasadës sonë në Brazilia në vitin 2016 dëshmoi qartë dëshirën e sinqertë dhe interesin serioz të shtetit tonë për përparim të bashkëpunimit të përgjithshëm me Republikën Federative të Brazilit” tha Presidenti Pendarovski.

Presidenti Pendarovski, duke shprehur kënaqësinë nga bashkëpunimi midis dy shteteve në suazat e organizatave ndërkombëtare, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut i jep prioritet të lartë punës në organizatat ndërkombëtare dhe është mbështetës i fuqishëm i multilateralizmit efektiv, sidomos i rëndësishëm për periudhën aktuale kur po ballafaqohemi me pasojat e tmerrshme të pandemisë me kovid-19. Ai shprehu pritjen se në periudhën në vijim do të intensifikohet dialogu politik bilateral me fokus në hapësirën e pashfrytëzuar në domenin e ekonomisë dhe të investimeve.

“Edhe pse, në planin e jashtëm politik, Republika e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar fuqishëm në plotësimin e prioriteteve strategjike, në zbatimin e përpiktë të obligimeve në suazat e anëtarësimit tashmë të realizuar në NATO, si dhe të përpjekjeve për anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin Evropian si anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare u japim rëndësi marrëdhënieve me të gjitha shtetet, për të mirën e popujve tanë, sigurimit dhe përforcimit të paqes në botë, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe prosperitetit ekonomik”, rekomandoi Presidenti.

Në fjalimin e vet, ambasadorja e re e emëruar braziliane Maria Edileuza Fontenele Reis e përgëzoi Maqedoninë e Veriut për përgjigjen efikase dhe përkatëse ndaj pandemisë së kovid-19 dhe nënvizoi se Brazili dhe Maqedonia e Veriut mbeten të bashkuara në luftën kundër krizës shëndetësore. Duke uruar anëtarësimin në NATO, ambasadorja Maria Edileuza Fontenele Reis tha se Brazili, si partner strategjik i BE-së pret përfundim të suksesshëm të procesit që çon drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ajo theksoi se Brazili dhe Maqedonia e Veriut kanë vlera të përbashkëta, sidomos besimin në diplomaci, zgjidhjen paqësore të kontesteve dhe respektimin e sundimit të së drejtës.

“Maqedonia e Veriut i dëshmoi botës se diplomacia është mjeti më i mirë për zgjidhjen e kontesteve dhe se dialogu dhe mirëkuptimi i ndërsjellë mund të çojnë drejt rrugës së dëshiruar së prosperitetit, paqes dhe zhvillimit njerëzor”, deklaroi ambasadorja braziliane në këtë ceremoni.

Ambasadorja e Brazilit nënvizoi se është e përkushtuar në stimulimin e marrëdhënieve kulturore dhe turistike midis Brazilit dhe Maqedonisë së Veriut.

Qëllimi im është të punoj pa lodhje me pushtetin lokal dhe segmentet e shoqërisë maqedonase për gjetjen e mënyrave për zmadhimin e shkëmbimit bilateral tregtar dhe për identifikimin e mundësive për investim midis vendeve tona”, theksoi ambasadorja e Brazilit.

Presidenti Pendarovski i dëshiroi sukses ambasadores së re të emëruar të Brazilit në zbatimin e misionit me përgjegjësi dhe shprehu bindjen se në zbatimin e obligimeve diplomatike do ta gëzojë bashkëpunimin dhe ndihmën tonë të tërësishme.

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....