Fjalimi i Presidentit Pendarovski në prezantimin e projeksioneve të popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2070 të ESHS-së

15 Dhjetor 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në prezantimin e projeksioneve të popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2070, të përpiluar nga Enti Shtetëror i Statistikës, që u mbajt në Kuvend.

Në fjalimin e vet Presidenti Pendarovski theksoi se popullata po mplaket me shpejtësi, kurse shteti po zbrazet me shpejtësi. Sipas projeksioneve të kryera deri në vitin 2070 popullata do të zvogëlohet me 35%, përkatësisht nga 1.8 milionë që është tani në 1.2 milionë banorë.

Presidenti Pendarovski shprehu bindjen se e ardhmja e projektuar demografike nuk duhet të bëhet fati ynë i pashmangshëm, duke theksuar se vetëm falë projeksioneve dhe analizave të tilla profesionale mund të marrim vendime korrekte dhe politika afatgjata të bazuara në fakte reale.

Sipas Presidentit Pendarovski, mënyra e vetme për ta zvogëluar emigracionin, për të rritur migrimet e kthimit dhe për të nxitur natalitetin është nëse ndërtojmë shoqëri elastike demografike. Sipas Presidentit, kjo nënkupton krijimin e një shoqërie në të cilën njerëzit do të duan të jetojnë dhe të krijojnë familje.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar të pranishëm,

Dëshiroj të falënderoj Entin Shtetëror të Statistikës që më ftuan të mbaj fjalim në këtë prezantim të projeksionit të popullatës deri në vitin 2070.

Demografia është fat është fjali që i atribuohet sociologut francez Ogist Kont, i cili ishte ndër të parët që shpjegoi se si trendet e popullsisë dhe shpërndarja e popullsisë mund të përcaktojnë fatin e një vendi.

Më shqetësuese se fakti të keni trendë të papërshtatshme demografike është të mos jeni të vetëdijshëm. Qëllimi i regjistrimit dhe projeksionit të popullsisë është të na ballafaqojë me realitetin demografik dhe të na japë prezantim më të qartë se cila do të ishte e ardhmja demografike e Maqedonisë.

Për fat të keq, ne si shtet një dekadë të tërë e kemi shtyrë regjistrimin për shkak të një perceptimi tipik ballkanik, sipas të cilit regjistrimet nuk përjetohen si operacion statistikor, siç janë në thelb, në të gjithë botën demokratike, por si projekt politik ose, më saktë, si një projekt etnopolitik.

Kur në vitin 2021 gjetëm vullnet politik të numërohemi, thashë se rezultatet do të na i tregojnë të gjitha frikat tona më të mëdha. Këtu nuk mendoja për frikën nga të tjerët, të ndryshmit prej nesh, por frikën se sa pak kemi mbetur në shtetin tonë në përgjithësi. Rezultatet e vërtetuan atë që e kam thënë prej vitesh, se kërcënimi më i madh për sigurinë tonë kombëtare dhe në përgjithësi për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut është demografia.

Popullata po mplaket me shpejtësi dhe shteti po zbrazet me shpejtësi. Ne i kemi arritur tashmë parashikimet demografike të Kombeve të Bashkuara që ata i parashikuan për ne për vitin 2030. Në bazë të regjistrimit të popullsisë, Enti Shtetëror i Statistikave ka përgatitur projeksionet, sipas të cilave, deri në vitin 2070, popullsia do të zvogëlohej për 35%, pra nga 1.8 që është aktualisht në pothuajse 1.2 milionë banorë.

Nga tri nxitësit kryesorë demografikë – nataliteti, vdekshmëria dhe migrimi – i treti është më shqetësuesi. Të paktën tani për tani, rënia e popullsisë është shumë më tepër për shkak të shkallës së lartë të emigrimit sesa nga nataliteti i ulët. Raporti botëror i migracionit për vitin 2020 e rendit Maqedoninë e Veriut midis 20 vendeve me shkallën më të lartë të emigrimit.

Sipas parashikimeve të ekspertëve, kjo tendencë pritet të vazhdojë. Ulja e numrit të popullsisë së aftë për punë do të rrisë barrën në sistemin shëndetësor, social dhe pensional. Në spitale, gjithnjë e më pak punonjës shëndetësorë do të duhet të kujdesen për gjithnjë e më shumë pacientë. Numri i fëmijëve në kopshte, nxënësve dhe studentëve në shkolla dhe fakultete do të ulet. Oferta në tregun e punës do të ulet dhe ekonomia do të ngecë. Përveç se nëse arrijmë t’i ndalojmë me kohë këto tendenca.

Sipas shumë personave, një nga nxitësit më të mëdhenj të shpërnguljes është korrupsioni. Efektet e dëmshme të korrupsionit i hasim në çdo sferë – varfëri dhe padrejtësi sociale e zmadhuar, ajër i ndotur, betonizim i sipërfaqeve të gjelbra, rezultate nën mesatare në arsim, drejtësi e vonuar, përçarje në shoqërinë maqedonase. E gjithë kjo së bashku krijon një atmosferë dëshpërimi dhe mungesë për shpresën për shumë nga bashkëqytetarët tanë. Është evidente se gjithnjë e më shumë njerëz po largohen jo aq për shkak të pagës, por për shkak të cilësisë së keqe të jetës.

Të nderuar të pranishëm,

Besoj se e ardhmja e projektuar demokratike nuk duhet të jetë fati ynë i pashmangshëm. Qëllimi i këtyre projeksioneve nuk është të na zhytin në apati, por të na kthjellojnë. Vetëm falë projeksioneve dhe analizave të tilla të bëra në mënyrë profesionale, mund të marrim vendime të sakta dhe politika afatgjata të bazuara në fakte reale.

Si ta arrijmë këtë gjë? Mënyra e vetme që ta tejkalojmë emigrimin, të zmadhojmë migrimin kthyes dhe ta nxitim natalitetin është nëse ndërtojmë një shoqëri rezistente demografike. Kjo nënkupton të krijojmë shoqëri në të cilën njerëzit do të duan të jetojnë dhe të formojnë familje.

Lajmi i mirë është se nuk fillojmë nga zeroja. E kemi miratuar Kornizën strategjike për zhvillim “MKD 2030” e cila identifikon katër prioritete zhvillimore: zhvillimi i përshpejtuar ekonomik, mbrojtja më e madhe e mjedisit jetësor dhe reforma në politikën energjetike, digjitalizimi dhe, e fundit, dhe më e rëndësishmja, arsimi, të rinjtë dhe zhvillimi inkluziv. Shteti duhet të fokusohet mbi këto katër fusha për jetë më të mirë të qytetarëve deri në fund të kësaj dekade.

E gjithë kjo do të na ndihmojë ta dimensionojmë arsimin maqedonas sipas nevojave të tregut të punës, kurse politikat shëndetësore dhe sociale sipas nevojave të popullatës.

Së bashku me Strategjinë Nacionale Zhvillimore 2021-2041, këto dy dokumente duhet t’i ndihmojnë marrësit e vendimeve në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe inkluzive ku, në vend të përfaqësisë etnike apo kartës partiake, njohuria, shkathtësitë, profesionalizmi dhe integriteti i personalitetet, do të jenë vendimtare për suksesin.

Njëkohësisht, duhet të bëjmë një luftë frontale kundër korrupsionit që të kemi shtet juridik funksional ku sundon e drejtës si fondament i saj. Kjo është e rëndësishme për negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe më e rëndësishme për qytetarët tanë. Nëse duam qytetarët maqedonas të mos shpërngulen në Bashkimin Evropian, vlerat evropiane duhet t’i zbatojmë këtu, te ne.
Vetëm kështu do të arrijmë t’i zvogëlojmë migrimet, ta nxitim natalitetin dhe ta zhvillojmë kapitalin njerëzor në përgjithësi.

Të përfundoj, nëse demografia është fat, atëherë prej nesh varet a do të jetë ai fat i zi apo me prosperitet.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit