Në ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake Presidenti Stevo Pendarovski sot e mirëpriti Presidentin e Republikës Federative të Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer, i cili është në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Presidenti Pendarovski dhe Presidentit Shtajnmajer mbajtën takim tet-a-tet, pas të cilit vijoi takimi midis dy delegacioneve. Në fokusin e bisedimeve janë marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale midis Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, partneriteti në Aleancën e NATO-s dhe lufta në Ukrainë, rrjedha e negociatave aderuese dhe perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, si edhe mundësitë për përforcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zbutjen e pasojave nga kriza energjetike.
Presidenti Pendarovski theksoi se vizita e Presidentit gjerman në kushtet e gjeopolitikës së ndryshuar, e kërcënimeve të sigurisë dhe sfidave energjetike në kontinentin evropian, është dëshmi për miqësinë tonë dhe përgatitjen e fortë të Gjermanisë për mbështetjen e rajonit tonë. Ai tha se Maqedonia e Veriut e vlerëson shumë përkushtimin e Gjermanisë në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, zhvillimin dhe agjendën reformatore, si dhe sidomos rolin e saj konstruktiv në Procesin e Berlinit.
Pas përfundimit të takimit plenar të delegacioneve është paraparë Presidenti Pendarovski dhe Presidenti Shtajnmajer të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.