Presidenti Stevo Pendarovski, sot mbajti fjalim në hapjen e konferencës onlajn që i kushtohet arsimit të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me temë “Vlera të përbashkëta, shkathtësi dhe zhvillim i qëndrueshëm”. Konferenca mbështetet nga Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik – DAAD.
Në vijim, është teksti i tërësishëm i fjalimit të Presidentit Pendarovski.
“Mirëmëngjesi të nderuar pjesëmarrës,
Shkëlqesi,
Zonja dhe zotërinj,
Ju faleminderit për ftesën që të mbaj fjalim në një tubim kaq të rëndësishëm. Kam kënaqësinë që t’ju përshëndes në hapjen e kësaj konference që i dedikohet arsimit të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. I përgëzoj organizatorët e tri universiteteve nga Republika Federale e Gjermanisë, nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe nga Republika e Shqipërisë për këtë iniciativë të përbashkët. Vitin e kaluar kur vendosët që tema e kësaj serie konferencash të jetë “vlerat e përbashkëta, shkathtësitë dhe zhvillimi i qëndrueshëm”; në të vërtetë me të drejtë keni paraparë tri elemente kryesore për vitin 2020, por edhe për mandej.
Para së gjithash, pandemia me kovid-19 na rikujtoi se cilat janë vlerat tona të përbashkëta. Në botën demokratike në të cilën jetojmë, në përgjithësi është pranuar se këto vlera janë sundimi i së drejtës, vlerat politike demokratike, institucionet funksionale dhe kultura e dialogut. Por, të gjitha këto vlera të rëndësishme në thelb janë në mbështetje të një qëllimi shumë më të lartë. Vlerë sipërore për çdo shtet dhe për çdo shoqëri është jeta e njeriut. Prandaj, masa kryesore që një shtet të jetë i suksesshëm është aftësia e institucioneve të saj që t’u mundësojnë jetë të sigurt, të parashikuar, stabile dhe me prosperitet qytetarëve të tij, duke respektuar dinjitetin e tyre të lindur njerëzor.
Kjo nuk është një detyrë e lehtë, nëse marrim parasysh se sfidat me të cilat po ballafaqohen sot shtetet tona janë jashtëzakonisht të koklavitura, të paparashikueshme, shumëdimensionale dhe prekin çdo por të shoqërisë. Pandemia i ka çrregulluar seriozisht jo vetëm aspektet shëndetësore por edhe aspektet ekonomike, sociale, kulturore, arsimore, ekologjike në jetën tonë. Kjo platformë për shkëmbim të ekspertëve midis tri shteteve, e cila mbështetet nga Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik – DAAD, vjen në kohën e duhur. Në kushte të pandemisë, rëndësia e arsimit të lartë dhe e shkencës bëhet edhe më e dukshme, jo vetëm në ballafaqimin me pasojat por edhe në dizajnimin e shoqërive tona mbi baza të qëndrueshme për në të ardhmen. Që të mund të orientohemi drejt ekonomisë së gjelbër inkluzive, drejt teknologjisë së pastër, energjisë së rinovueshme është e domosdoshme të zhvillojmë partneritet midis vendimmarrësve, bashkësisë shkencore dhe akademike dhe sektorit të biznesit. Kurse, parakusht për këtë projekt kërkon ndërtim të besimit të ndërsjellë midis faktorëve kryesorë.
Pjesëmarrës të nderuar,
Para katër ditësh e nënshkruam me Kombet e Bashkuara Kornizën e parë të bashkëpunimit për zhvillim të qëndrueshëm për periudhën 2021-2025. Ky dokument strategjik ka për qëllim t’i mbështesë përpjekjet për standard jetësor të përmirësuar të qytetarëve maqedonas, zhvillim inkluziv dhe të gjelbër, qasje universale në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale, aksion ambicioz klimatik, përgjegjësi ndaj katastrofave dhe sundim të përmirësuar të të drejtës dhe shkallë shumë më të lartë të sundimit të së drejtës.
Njëkohësisht, përpjekjet tona nacionale për zhvillim të qëndrueshëm janë harmonizuar me qëllimin tonë kryesor të politikës së jashtme – anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Republika e Maqedonisë së Veriut e meriton dhe është e përgatitur që t’i fillojë negociatat aderuese për anëtarësim në BE dhe kjo që në kohën e kryesimit gjerman. Integrimi i vendit tonë në Bashkim, por edhe i vendeve të tjera nga Ballkani perëndimor, është në interes të sigurisë dhe të prosperitetit rajonal. Bllokada eventuale apo shtyrje e fillimit të negociatave do të ishte gabim i madh por edhe mossukses, para së gjithash, i Bashkimit Evropian dhe kryesimit gjerman, i cili është kaq i angazhuar në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendeve nga Ballkani Perëndimor. Dhe në fund, por jo dhe më pak e rëndësishmja, një rezultat i tillë do të ndikojë negativisht mbi stabilitetin dhe mbi të ardhmen e rajonit. Jetojmë në një periudhë kur të gjithë ne duhet të bëjmë përpjekjet maksimale jo vetëm në ballafaqimin me pasojat e pandemisë por edhe për dizajnim të shoqërive tona në përputhje me parimet e qëndrueshmërisë, dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane.
Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është vetëm plan shtesë për shtetet tona, për rajonin tonë dhe për Evropën. Agjenda 2030 është obligim për gjeneratën tonë që ta shfrytëzojë tërësisht potencialin njerëzor dhe t’u lerë një botë më të mirë brezave të ardhshëm. Rolin kryesor në këtë proces e kanë pikërisht universitetet të cilat i edukojnë të rinjtë dhe e drejtojnë energjinë dhe kreativitetin drejt qëllimit përfundimtar: zhvillim i qëndrueshëm për shoqëri të qëndrueshme.
Të nderuar miq,
Këto janë vetëm disa argumente pse e mbështes këtë projekt për arsimin e lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ju dëshiroj konferencë të suksesshme, diskutime të frytshme dhe shpresoj se do të shihem së shpejti drejtpërdrejt.
Ju faleminderit”.