Me ftesë të bashkëshortes së Presidentit të Ukrainës, Olena Zelenska, bashkëshortja e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Elizabeta Gjorgievska, nëpërmjet mesazhit me video mbajti fjalim në Samitin e tretë të damave dhe zotërinjve të parë, i cili u mbajt për herë të tretë më 6 shtator në Kiev.
Në vijim është fjalimi i Elizabeta Gjorgievskës.
E nderuar znj. Zelenska, të nderuara dama dhe zotërinj të parë, të nderuar miq,
Ua dërgoj përshëndetjet e mia të përzemërta të gjithëve juve në Samitin e tretë të damave dhe zotërinjve të parë. E përcjell keqardhjen time të thellë që nuk mund të jem personalisht me ju sot në Kiev, por me të vërtetë kam nderin që kam mundësi të flas në këtë panel të rëndësishëm kushtuar brezit i cili do ta formësojë botën tonë.
Tema të cilën e shqyrtojmë sot, me titull “Brezi që do të sundojë me botën, si do të jetë?” e prek thelbin e përgjegjësisë sonë të përbashkët që të ndërtojmë arkitektët e ardhshëm të botës sonë – fëmijët tanë. Kjo është një çështje që i tejkalon kufijtë, politikën dhe kulturat sepse lidhet me trashëgiminë kolektive të çdo kombi, çdo fëmije dhe çdo brezi që vjen.
Ndërkohë që bisedojmë për liderët e ardhshëm, së pari duhet t’i dallojmë sfidat me të cilat po ballafaqohen ata sot. Fëmijët tanë, arkitektët e të ardhmes e mbajnë peshën e botës e cila zhvillohet vazhdimisht, me një temp të shpejtë, me kërkesa dhe presione të pranishme gjithkund. Pikërisht në suazat e kësaj krijohet mirëqenia e tyre mentale.
Statistika alarmuese jep një pasqyrë të pamje të gjallë – një në pesë të rinj në mbarë botën luftojnë me probleme të shëndetit mental. Kjo është një krizë që nuk njeh kufij, ndikon mbi jetën e miliona njerëzve, pavarësisht nga kombësia apo statusi socioekonomik. Kjo statistikë nuk është vetëm një numër; përkundrazi, e përfaqëson dhimbjen, luftën dhe ëndrrat e vonuara të shpirtrave të panumërt të të rinjve. E përfaqëson potencialin e pashfrytëzuar që mbetet i paaktivizuar në liderët tanë të ardhshëm. Ne nuk mund, nuk duhet të mbyllim sytë para kësaj krize.
Që ta kuptojmë peshën e kësaj çështjeje duhet të hulumtojmë në thellësitë e empatisë sonë. Duhet ta vendosemi në lëkurën e një të riu që lufton me ankthin, depresionin ose izolimin. Imagjinoni ndikimin mbi ëndrrat e tyre, aftësinë e tyre për të mësuar dhe aftësinë e tyre për të kontribuar pozitivisht në shoqëri. Nuk mund të lejojmë që potenciali i tyre të gërryhet nga pesha e sfidave të paadresuara të shëndetit mental.
Duhet t’i përkushtohemi të ardhmes në të cilën liderët e botës sonë do të përcaktohen me fuqinë e karakterit të tyre, thellësinë e empatisë së tyre dhe përkushtimin e tyre të palëkundshëm për mirëqenien e të gjithëve. Duhet ta thyejmë stigmën për shëndetin mental, duke vërtetuar se rinia jonë nuk ka turp të kërkojë ndihmë dhe mbështetje.
Të jemi të bashkuar në angazhimin tonë për të siguruar burimet e nevojshme dhe për të nxitur mjediset në të cilat mendjet tona të reja do të lulëzojnë. Të angazhohemi që të krijojmë një botë ku inteligjenca emocionale vlerësohet po aq sa arritjet akademike dhe ku shëndeti mental është prioritet po aq sa shëndeti fizik.
Në fund, do të dëshiroja të falënderoj secilin prej jush për përkushtimin në këtë kauzë të rëndësishme. Ta përfundojmë këtë samit jo vetëm me fjalë por edhe me përkushtim në aksion. Të marrim obligimin që të krijojmë një botë ku brezi që do të sundojë me botën është përcaktuar me fuqinë e tyre, empatinë e tyre dhe qëndrueshmërinë e tyre përkundrejt sfidave me shëndetin mental.
Statistika ndoshta është e frikshme, por së bashku mund ta ndryshojmë narrativin.
Ju faleminderit.