Fjalimi i Presidentit Pendarovski me rastin e 30-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së republikës së parë të pavarur, maqedonase të njohur ndërkombëtarisht

17 Nëntor 2021 | Fjalimet

Të nderuar qytetarë,

Sot bëhen 30 vjet nga miratimi i Kushtetutës së republikës së parë të pavarur, maqedonase të njohur ndërkombëtarisht. Më 17 Nëntor 1991, Kuvendi, pas një debati shumëmujor, e votoi Kushtetutën me të cilën u përfundua procesi i pavarësimit nga ish-Federata Jugosllave.

Kushtetuta jonë nuk është vetëm formalisht akti më i lartë në shtet, ajo është dokument që e dëshmon më mirë luftën shekullore për shtetin e vet demokratik, si edhe vizionin tonë të përbashkët për një bashkësi të drejtë, ekonomike të zhvilluar dhe politike solidare me të drejtat dhe liritë e njeriut në qendrën e vet.

Në kuptimin historik, në Kushtetutën tonë gërshetohen dhe plotësohen me njëri-tjetrin: Ilindeni 1903, Lufta Nacionalçlirimtare dhe KAÇKM-ja e vitit 1944 dhe referendumi për pavarësi më 8 Shtator 1991. Ajo është simbol i idealit ilindenas i luftës për liri, barazi dhe vëllazërim të të gjithë popujve në Maqedoni. Ajo e garanton vazhdimësinë  shtetëformuese-juridike të shtetit bashkëkohor maqedonas me vendimet e KAÇKM-së. Ajo e vërtetoi përfundimisht vullnetin e shprehur qartë në referendum të qytetarëve tanë për shtet të pavarur.

Njëkohësisht, Kushtetuta jonë e vitit 1991 e simbolizon diskontinuitetin me sistemin e mëparshëm njëpartiak të sundimit. Ajo në vetvete i përmban të gjitha vlerat dhe parimet mbi të cilat qëndrojnë demokracitë progresive në botë. Me të janë promovuar sovraniteti i qytetarëve, pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira demokratike si bazë e vetme, legale dhe legjitime e çdo pushteti politik. Në vend të etnocentrizmit dhe nacionalizmit, ajo deklaron barazi të të gjithë qytetarëve pa dallim nga përcaktimi etnik apo fetar dhe njëkohësisht, e garanton zhvillimin e lirë kulturor dhe barazinë e të gjitha bashkësive që jetojnë në shtetin tonë. Me obligimin për respektim të normave të përgjithshme të pranuara të të drejtës ndërkombëtare, shteti ynë u përcaktua si subjekt i përgjegjshëm dhe i qëndrueshëm në bashkësinë ndërkombëtare të kombeve të lira dhe sovrane.

Të nderuar qytetarë,

Ndërkohë që në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar në Ballkan ka pasur luftëra të përgjakura të motivuara nga nacionalizmi ekstrem, ekspansionizmi megaloman dhe urrejtja nacionale dhe fetare, ne miratuam Kushtetutë që fillon me dispozita për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit. Siç u përcaktuam në vitin 1903, në prag të luftërave të mëdha të shekullit të 20 me Manifestin e Krushevës për një republikë demokratike të njerëzve të barabartë dhe të lirë, ashtu edhe më 17 Nëntor 1991 dëshmuam se kemi kapacitet shtetformues, mençuri dhe vizion politik që u mungonin shumë popujve të tjerë më të mëdhenj se ne, me traditë shtetërore shumëvjeçare.

Filozofi i shquar gjerman Habermas, e ka përkufizuar patriotizmin në kushte bashkëkohore, si patriotizëm kushtetues. Kushtetuta jonë i përmbush të gjitha kriteret e një kushtetute liberale dhe demokratike. Dhe prandaj, nëse pyetemi, çfarë duhet  të bëjmë që të jemi patriotë maqedonas në shekullin e 21, përgjigja është e thjeshtë. Secili prej nesh, duhet të japë kontributin e vet për realizimin e idealit të shkruar në paragrafin e parë të nenit të parë të Kushtetutës, i cili atdheun tonë e përkufizon si shtet sovran, të pavarur, demokratik dhe social.

Gëzuar jubileun!

Qoftë i përjetshëm shteti!

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit