Fjalimi i Presidentit Pendarovski me rastin e 8 Shtatorit në festimin qendror “30 vjet pavarësi”

8 Shtator 2021 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festimit të 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë, sot mbajti fjalim në festimin qendror “30 vjet pavarësi”, që u mbajt para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut mund të përparojë vetëm nëse të gjithë qytetarët e saj e ndiejnë atë si atdheun e vet, dhe nëse është e integruar tërësisht në bashkësinë perëndimore të popujve, rekomandoi Presidenti Pendarovski në festimin qendror.

“Të kesh shtetin e vet të pavarur është privilegj i madh, por edhe përgjegjësi e madhe. Kjo është shtëpia jonë e vetme, e përbashkët dhe ajo do të jetë një vend i mirë për të jetuar, por vetëm nëse secili prej nesh e investon në të mundin e vet dhe ndërgjegjen e vet. Gjithashtu, kuptohet se përgjegjësia është më e madhe tek ata që e kanë nderin ta udhëheqin komunën, qytetin, qeverinë ose shtetin. Jam absolutisht i bindur se nëse secili prej nesh mundohet për këtë kauzë deri në fund, pa mbetje, pa kalkulime, atëherë do të kemi shtet me të cilin do të krenohemi të gjithë”, theksoi Presidenti.

Ai në fjalimin e tij fli edhe mbi pikëpamjet e tij për të ardhmen, çfarë duhet të bëjmë në vitet e ardhshme që të kemi një jetesë më të pasur dhe më dinjitoze.

“Të respektohemi pak më shumë midis nesh, të kuptojmë se i ndryshmi nga ne nuk është armiku ynë, se politika është luftë për ide dhe koncepte për një të sotme dhe një të nesërme më të mirë, kurse jo luftë për jetë a vdekje. Nëse arrijmë të pajtohemi dhe ta drejtojmë të gjithë potencialin tonë, nuk do të ketë askush dilemë se ky popull ka fuqi, ka njohuri, ka energji, ka njerëz të rinj të zgjuar të cilët do të dinë si ta rregullojnë shtetin”, tha Presidenti Pendarovski.

Në fjalim, ai vuri në dukje se duhet të investojmë në arsim cilësor, të investojmë në sistemin shëndetësor, ta kultivojmë trashëgiminë kulturore dhe historike dhe të investojmë në brezin e ri të artistëve të cilët nuk mbeten pas kolegëve të tyre të famshëm botërorë.

“Të ndërtojmë shtet ku të gjithë qytetarët e tij do të ndihen se kanë të drejta dhe mundësi të barabarta, shtet pa të privilegjuar dhe të nënshtruar, pa nikoqirë dhe mysafirë. Shoqëri solidare dhe humane që do t’u garantojë dinjitet edhe anëtarëve të saj më të lëndueshëm dhe më të dobët”, rekomandoi Presidenti Pendarovski.

Në suazat e festimit qendror u mbajt edhe defile festive dhe program muzikor-argëtues. Në defilenë festive morën pjesë ansamblet nacionale dhe shoqëritë kulturore-artistike të të gjitha bashkësive në Maqedoninë e Veriut, minatorët, bujqit, vullnetarët e Kryqit të Kuq, skautët, punonjësit shëndetësorë, sportistët, zjarrfikësit, policia dhe armata.

Të nderuar qytetarë,

Sot, më 8 Shtator, në ditën e pavarësisë maqedonase, e festojmë Ilindenin tonë të tretë, të fundit dhe në perspektivën historike më të rëndësishmin. Sot jemi mbledhur që të kujtojmë se pavarësia nuk na është dhuruar nga askush, por është vepër e shumë gjeneratave të udhëhequra nga ideali për një shtet të vetin dhe të lirë.

Në të gjithë këtë vazhdimësi historike të të tre Ilindenëve, së pari u përfshinë ilindenasit të cilët kanë luftuar për lirinë përkundrejt vdekjes, partizanët të cilët luftuan për shtetësinë kundër okupacionit dhe shumica e madhe e qytetarëve të cilët para 30 vjetësh u shprehën për pavarësinë. Nuk ishte rastësi që ilindenasit si Brashnarov dhe Vllahov në vitin 1994 ishin pjesëmarrës në Mbledhjen e parë shtetformuese të KAÇKM-së, dhe nuk ishte rastësi që pjesëmarrësi në KAÇKM, Gligorovi në vitin 1991 e shpalli publikisht kapitullin e ri të shtetit maqedonas sovran dhe të pavarur.

Vazhdimësia, por edhe koncepti i shtetit është i shkruar qartë në dokumentet kryesore të të tre Ilindenëve: Manifesti i Krushevës i cili deklaron bashkëjetesë midis të barabartëve; Deklarata për të drejtat themelore të qytetarit në Maqedoninë demokratike në Shën. Prohor Pçinski dhe Deklarata e sovranitetit të cilat e vërtetojnë vizionin e themeluesve të republikës demokratike të bazuar në të gjitha dokumentet dhe parimet ndërkombëtare mbi të drejtat dhe liritë e njeriut.

Si rrjedhim, 8 Shtatori nuk është, siç kanë komentuar disa skeptikë dikur dhe sot, aventurë e pamenduar dhe spontane e një populli të ri dhe historikisht të papërvojë, por një përmbyllje e paramenduar e projektit më të rëndësishëm në historinë tonë mbi konceptin e të cilit ka punuar një plejadë e intelektualëve të lartë maqedonas. Më 8 shtator 1991 qytetarët maqedonas e shfrytëzuan të drejtën e vet sovrane të vetëvendosjes dhe në rrugë paqësore dhe demokratike u shprehën për pavarësinë. Vota “Për” Republikën e Maqedonisë sovrane dhe të pavarur ishte zëri i dinjitetit njerëzor dhe shprehje e të drejtës së patjetërsueshme të çdo populli dhe të çdo qytetari maqedonas që të vendosë për veten, për familjen e vet, për shtetin dhe të ardhmen e vet. Në atë ditë – më 8 shtator u takuan në një, të gjithë Ilindenët e mëparshëm, të të gjithë brezave të kanë ëndërruar, kanë luftuar dhe janë flijuar, po, në fund, e kanë fituar lirinë tonë.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Kur një popull e krijon shtetin e vet, atëherë çdo individ arrin të kuptojë në mënyrë të pashmangshme se fati dhe e ardhmja e tij, zhvillimi dhe përparimi i tij janë të lidhur ngushtë me fatin dhe të ardhmen e shtetit që e ka krijuar. Ashtu siç është shteti përgjegjës për qytetarët e vet, ashtu edhe secili prej nesh është përgjegjës për shtetin, sepse e ardhmja e tij dhe mbijetesa e tij varet nga ne vetë.

Si rrjedhim, ky 30-vjetor jubilar është mundësi edhe për rishqyrtim kolektiv të ndërgjegjes sonë. Pyetje të cilën që në vitin e largët 1903 e parashtroi Kërste Petkov Misirkov për gjeneratën tonë dhe sot ka peshë të barabartë: Çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen? Përgjigja e sinqertë dhe reale është se kjo është pyetje për secilin prej nesh, por, më shumë për të gjitha udhëheqjet e deritanishme politike, përgjegjësia e të cilave është shumë më e madhe edhe para paraardhësve të cilët i lanë kockat nëpër male që ta krijojnë këtë shtet, por jo më pak për fëmijët dhe nipërit tanë, për rininë tonë.

Që të arrijë te shteti i vet populli ynë në një shekull e gjysmë më parë ka kaluar nëpër një nga golgotat më të mëdha të cilën do ta mbajë mend historia evropiane. Vetëm të rikujtojmë se në etapën përfunduese, pavarësinë e fituam në rrethana jashtëzakonisht të komplikuara gjeopolitike dhe të sigurisë, në fund të Luftës së Ftohtë dhe në fillim të shkatërrimit të përgjakshëm të Federatës Jugosllave. Në kushte të tilla, të gjitha kriteret për njohjen ndërkombëtare i plotësuam pa përdorim fyerjesh dhe dhune as ndaj fqinjëve, dhe aq më pak ndaj qytetarëve tanë. Udhëheqja e atëhershme kishte një detyrë të rëndë, të ndërtojë institucione demokratike për të cilat nuk kishim përvojë të mëparshme historike, ta transformojë ekonominë në baza të reja, të krijojë rregulla dhe shprehi të reja shoqërore që t’i mundësojë shtetit të mbijetojë dhe të zhvillohet në rendin e ri global. Duke pasur parasysh veprën dhe meritat e të parëve të asaj gjenerate, një pjese e tyre të njohur më parë, sot me Dekoratën “8 Shtatori” i dekorova përbërjen e parë parlamentare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Kryetarin e parë të tij.

Të dashur bashkëqytetarë,

Në këto tridhjetë vjet kishim shansin të vërtetojmë një të vërtetë një realitet, kurse ky është fakti se mbijetesa dhe prosperiteti i shtetit të pavarur maqedonas varen nga dy procese: nga inkluziviteti i brendshëm dhe nga integrimi i jashtëm. Bashkëjetesa ndëretnike dhe tradita shekullore e respektimit të dallimeve janë vlera jonë më e madhe dhe kjo nuk është kështu vetëm në dokumentet e shkruara me të cilat do të lëvdohemi para botës, për këtë ekzistojnë shembuj të shumtë në përditshmërinë tonë ku edhe gëzimin edhe hidhërimin njerëzit e ndajnë në mënyrë të barabartë pavarësisht nga feja dhe kombësia e tyre.

Duke u nisur nga Manifesti i Krushevës, nëpërmjet Marrëveshjes Kornizë deri në modelet e sotshme të jetesës së përbashkët, ekziston një linjë subtile e inkluzivitetit e cila i mban etnikumet e ndryshme së bashku dhe në të mirë dhe në të keqe. Suksesi më i madh i shtetit është nëse të gjithë qytetarët e tij, pavarësisht se a janë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë apo përfaqësues të grupeve më të vogla etnike, pavarësisht se a janë të krishterë, myslimanë, hebrenj apo ateistë ta ndiejnë atë si atdheun e vet.

Por, njëkohësisht, e ardhmja e shtetit varet edhe nga integrimi ynë i tërësishëm në organizatat kryesore ndërkombëtare sepse shtetet e vogla mund të mos mbijetojnë në botën e sotshme globale dhe të trazuar, nëse janë krejtësisht vetë pa aleatë dhe miq. Që në fillim të pavarësisë, të gjithë subjektet relevante politike dhe shoqërore kanë arritur konsensus të përgjithshëm në lidhje me domosdoshmërinë e anëtarësimit në Aleancën Atlantike-Veriore dhe në Bashkësinë Ekonomike Evropiane. Integrimet euroatlantike jo vetëm që e kanë përforcuar kohezioni ndëretnik, i kanë pajtuar edhe kundërshtarët politikë. Proceset integruese ishin, janë ende, edhe motiv edhe mjet për arritjen e standardeve evropiane të jetesës.

Të marra së bashku, inkluzioni i brendshëm dhe integrimi i jashtëm janë boshtet kryesore për stabilitet dhe prosperitet afatgjatë të shtetit tonë. Maqedonia e Veriut mund të përparojë vetëm nëse të gjithë qytetarët e saj ndihen si në atdheun e vet, dhe nëse është tërësisht i integruar në bashkësinë perëndimore të popujve.

Të nderuar,

Këto dy boshte të stabilitetit tonë nuk kanë qenë gjithmonë të harmonizuara. Ndonjëherë kjo ka ndodhur nën presionin e faktorëve të jashtëm mbi të cilët ne nuk kemi asnjë lloj ndikimi. Mohimet dhe kërcënimet, standardet e dyfishta, bllokadat politike të proceseve tona integruese na morën shumë kohë dhe energji. Prandaj, kemi bërë, kompromise të vështira, por edhe të domosdoshme politike, me qëllim që të hapim perspektiva të reja dhe të dalim nga izolimi ku na kanë shtyrë disa me vetëdije.

Por, të jemi të sinqertë, për një pjesë të problemeve jemi fajtorë edhe vetë. Kemi humbur vite e vite për shkak të politikave tona të këqija kur jemi përpjekur të bëjmë inxhinering historik mbi prejardhjen dhe rrënjët tona të cilat janë të pakontestueshme ose kur disa të drejta lidhur me statusin dhe përfshirjen e bashkësive etnike në shtetin e përbashkët i kemi mbajtur në margjina për një kohë të gjatë. Kohë pas kohe, etnizimi jashtë mase i politikës dhe partizimi i institucioneve e ka përkeqësuar gjendjen që ka çuar në tensione ndëretnike, kriza politike dhe ndarje të thella midis qytetarëve që e kanë shkatërruar besimin e tyre në shtetin e vet.

Efektet e tranzicionit të gjatë dhe të zymtë kontribuuan që shkallë-shkallë, para syve tanë të formohet rreziku dhe kërcënimi më i madh për të ardhmen tonë, kurse kjo është shpërngulja masive e qytetarëve tanë. Të rinjtë, por edhe më të rriturit shpërngulen atëherë kur nuk besojnë më se shteti mund të krijojë kushte për jetë të denjë, dinjitoze për njeriun në shekullin e 21.

Të nderuar,

Në këtë kontekst disa e parashtrojnë pyetjen a e meritojmë pavarësinë. Sipas meje, kjo është një pyetje e një statusi kategorial krejtësisht të ndryshëm që nuk duhet të ngatërrohet me kryesoren. Pavarësia e fituar në vitin 1991 është faza e tretë dhe e fundit e projektit tonë të madh nacional në historinë tonë, i filluar dhe i zhvilluar nëpërmjet dy Ilindenëve. Pyetjet e llojit, pse sot kemi pagë mesatare prej 450 eurosh, dhe jo prej një mijë, a duhet të ishte numri i të papunësuarve dhe të shpërngulurve kaq i madh, ose për cilësinë e shërbimeve të cilat shteti ua jep qytetarëve janë absolutisht legjitime. Nuk duhet t’i ikim faktit se ato probleme dhe vështirësi e problematizojnë efektin e sundimit të të gjitha elitave politike nga pavarësia dhe deri më sot, megjithatë kjo, në asnjë mënyrë nuk e minon idenë, nuk e mohon imperativin historik të keni shtetin e pavarur, të lirë dhe përfundimisht, dhe më e rëndësishmja, shtetin tonë personal. Me të gjitha këto mangësi, pushteti të cilin qytetarët tanë e zgjedhin në zgjedhje të lira mund të jetë më i keq se cilido pushtet i imponuar nga jashtë, kurse të tillë, për fat të keq, në historinë tonë kemi pasur shumë gjatë.

Dhe të mos harrojmë se të gjithë arritjet tona shkencore, artistike, sportive dhe strategjike në 30 vitet e kaluara nuk do të ishin të mundshme në një masë të tillë, nëse nuk kishim shtetin tonë personal. Prandaj, pa asnjë minutë hezitim, pa asnjë grimcë dyshimi mund të themi se shtetësia dhe pavarësia maqedonase është arritja jonë më e madhe historike me të cilën duhet të krenohemi.

Por, të nderuar, çfarë ndodh me pjesën e dytë të pyetjes së Misirkovit? Çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen, në vitet dhe dekadat e ardhshme që të kemi një jetesë më të pasur dhe më me dinjitet? Vetë Misirkovi e jep përgjigjen kur thotë se “që ta pastrojmë ndërgjegjen para popullit tonë për viktimat e dhëna nga ai, duhet të nisim… të punojmë.” Kurse kjo, të nderuar bashkëqytetarë është vetëm emri tjetër për patriotizmin, sepse patriotizëm janë edhe sakrificat e përditshme, por edhe puna e përditshme me përkushtim për shtetin, për qytetarët, për familjen, për më të afërmit. Patriotizmi i vërtetë nënkupton respektim të ligjeve, përdorim me përgjegjësi të resurseve dhe ruajtjen e mjedisit jetësor, sepse nuk kemi tjetër. Patriotizmi i vërtetë nënkupton t’i edukojmë të rinjtë të jenë individë  të përgjegjshëm dhe të virtytshëm.

Kurse, ajo që na mungon e dimë të gjithë: të respektohemi pak më shumë midis nesh, të kuptojmë se i ndryshmi nga ne nuk është armiku ynë, se politika është luftë për ide dhe koncepte për një të sotme dhe një të nesërme më të mirë, kurse jo luftë për jetë a vdekje. Nëse arrijmë të pajtohemi dhe ta drejtojmë të gjithë potencialin tonë, nuk do të ketë askush dilemë se ky popull ka fuqi, ka njohuri, ka energji, ka njerëz të rinj të zgjuar të cilët do të dinë si ta rregullojnë shtetin.

Në Manifestin e KAÇKM-së thuhet: “Çfarë Maqedonie do të ndërtojmë, ta tillë do ta kemi.” Por, edhe më e rëndësishme është të dimë në çfarë shteti duam të jetojmë. Nëse duam që brezat e rinj të qëndrojnë në vend dhe këtu të jetojnë, të punojnë dhe të krijojnë të ardhmen, duhet të mundohemi më shumë si shtet dhe t’u sigurojmë kushte që të kenë sukses në shtëpi, në vendin e vet.

Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet ta ndërtojmë si shtet ku sundimi i të drejtës do të jetë pa alternativë. Të investojmë në arsim cilësor që do t’i përgatisë të rinjtë të përfshihen në revolucionin global digjital. Të investojmë në sistemin shëndetësor që do të kujdeset për shëndetin e qytetarëve, duke e vlerësuar punën e punonjësve shëndetësorë. Ta kultivojmë trashëgiminë kulturore dhe historike dhe të investojmë në brezin e ri të artistëve të cilët nuk mbeten pas atyre që janë në majat botërore. Të ndërtojmë shtet ku të gjithë qytetarët e tij do të ndihen se kanë të drejta dhe mundësi të barabarta, shtet pa të privilegjuar dhe të nënshtruar, pa nikoqirë dhe mysafirë. Shoqëri solidare dhe humane që do t’u garantojë dinjitet edhe anëtarëve të saj më të lëndueshëm dhe më të dobët.

 Të dashur bashkëqytetarë,

Sot, kur festojmë vazhdimësinë e tre Ilindenëve tanë, duhet të kemi parasysh se të kesh shtetin e vet të pavarur është privilegj i madh, por edhe përgjegjësi e madhe. Ne nuk kemi një atdhe rezervë. Kjo është shtëpia jonë e vetme, e përbashkët dhe ajo do të jetë një vend i mirë për të jetuar, por vetëm nëse secili prej nesh e investon në të mundin e vet dhe ndërgjegjen e vet. Gjithashtu, kuptohet se përgjegjësia është më e madhe tek ata që e kanë nderin ta udhëheqin komunën, qytetin, qeverinë ose shtetin. Jam absolutisht i bindur se nëse secili prej nesh mundohet për këtë kauzë deri në fund, pa mbetje, pa kalkulime, atëherë do të kemi shtet me të cilin do të krenohemi të gjithë.

I pritshim dhe jubiletë e ardhshëm gjallë e shëndoshë!

Gëzuar për shumë vjet Ditën e Pavarësisë!

 

 

 

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit