Fjalimi i Presidentit Pendarovski me rastin e festave të Vitit të Ri!

31 Dhjetor 2020 | Fjalimet

Të dashur bashkëqytetarë,

Viti 2020 ishte një nga vitet më të vështira të pavarësisë maqedonase. E kaluam në tension të vazhdueshëm midis frikës dhe shpresës.

Kishim frikë për shëndetin dhe jetën tonë. Ishim të shqetësuar edhe për ekonominë, për vendet e punës, shumë plane personale dhe profesionale janë shtyrë. Por, më tragjikja nga gjithçka, kanë humbur shumë jetë njerëzore.

Pandemi dëshmoi se jemi të lëndueshëm si njerëz. Njëkohësisht zbuloi edhe shumë dobësi sistematike që janë burim i pabarazisë dhe padrejtësisë sociale. Nuk është ngushëllim që këto dobësi u dëshmuan edhe në shumë vende në botë, jo vetëm te ne.

Por, në të gjithë këtë dhimbje dhe frikë nëpër të cilat kaluam, kishim edhe arsye për shpresë. Këtë shpresë na e dhanë heronjtë tanë, punonjësit shëndetësorë, të cilët luftojnë përditë, me sakrificë për shëndetin dhe jetën e çdo pacienti, madje edhe natën e Vitit të Ri.

Shpresë na dhanë edhe njerëzit humanë me zemër të madhe me donacionet  e veta dhe vullnetarët me përkushtimin e vet. Shpresë na dhanë edhe ata të cilët edhe në kushte të tilla luftuan për të drejta sociale dhe jetë me dinjitet.

Të nderuar,

Nuk mund ta dimë me siguri çfarë na pret në vitin para nesh. Por, në këtë kohë të pasigurisë, një gjë është e sigurt. Kriza po na ndryshon të gjithëve, pak nga pak, çdo ditë, dhe prej nesh varet se a do të dalim prej saj të ndarë dhe indiferentë, apo të bashkuar dhe solidarë. Duhet të dimë se çdo vepër e mirë vazhdon të jetojë te njerëzit të cilët i kemi ndihmuar dhe për të cilët jemi kujdesur.

Pandemia do të kalojë. Do të vijnë ditë më të mira. Mund të jemi bashkë, pa frikë. Por, edhe atëherë nuk duhet t’i harrojmë mësimet e paguara shtrenjtë. Duhet të jemi të përgatitur sistematikisht për krizën e ardhshme, duhet ta rimëkëmbim ekonominë, ta çrrënjosim padrejtësinë, t’i tejkalojmë ndarjet, t’i shërojmë këto plagë. Ne të gjithë meritojmë më shumë gëzim dhe lumturi!

Në vitin 2021 uroj të kemi shëndet, vetëm shëndet, që të mund t’i realizojmë të gjitha dëshirat tona.

 Gëzuar Vitin e Ri!

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....