Presidenti Stevo Pendarovski sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në ceremoninë e përurimit të bustit të Nënë Terezës, eveniment i organizuar nga Ambasada e Kosovës në Shkup, kurse në të cilin morën pjesë edhe Vjosa Osmani Sadriu, Presidentja e Republikës së Kosovës dhe Bajram Begaj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.
E nderuara Vjosa Osmani, Presidentja e Republikës së Kosovës,
I nderuar mik Begaj, President i Republikës së Shqipërisë,
I nderuar spiker i Parlamentit,
Të nderuar ministra, trupi diplomatit, miq të dashur,
Kam nderin e veçantë të jem pjesë e ceremonisë së zbulimit të bustit të Nënë Terezës, humanitares së njohur botërore, fitues të Çmimit Nobel për Paqe, pa dyshim një nga personalitetet më të rëndësishme të shekullit të 20-të. Edhe pse e gjithë bota e njihte si Nënë Tereza, për ne, bashkëqytetarët e saj ajo ishte dhe mbeti shkupjania Gonxha Bojaxhiu.
Pikërisht në qytetin e saj të lindjes ku i kaloi 18 vitet e para të jetës së vet dhe të cilin katër herë më vonë e vizitoi duke dhuruar dashuri dhe duke shpërhapur mëshirë, kemi mundësi të përurojmë edhe një bust të saj. Dhe këtu, në hapësirën e Ambasadës kosovare, personaliteti i Nënë Terezës do të na kujtojë pastërtinë e saj morale, kujdesin për të pafuqishmit, të sëmurët dhe të varfrit. Do të na kujtojë një figurë mbresëlënëse që duhet të na frymëzojë të dhurojmë, të kujdesemi për njëri-tjetrin si fqinjët më të afërt dhe miqtë e sinqertë.
Mjedisi multietnik, multikulturor dhe multifetar maqedonas në të cilin u rrit Gonxha Agnes Bojaxhiu është ende shembull i bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë midis njerëzve. Kemi qenë gjithmonë pjesë e së njëjtës hapësire të përbashkët dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e saj. Prandaj, kjo është arsyeja pse duhet t’i tejkalojmë ndarjet, urrejtjet nga e kaluara, të falim njëri-tjetrin për mëkatet e vjetra dhe të vazhdojmë përpara. Në Ballkan kemi parë mjaft mjerim, varfëri, luftëra, urrejtje, zemërim, megjithatë, në emër të një të tashme dhe të ardhmeje më të mirë, na duhet bashkëpunim dhe mirëkuptim, jo si formë, por në thelb.
Të dashur miq,
Për punën e saj humanitare, përkushtimin dhe sakrificën e saj, Nënë Tereza ka marrë qindra çmime, duke e bërë atë ndoshta një nga personat më të vlerësuar në historinë e qytetërimit njerëzor. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ajo ishte modeste, e vetëdijshme për kalueshmërinë e jetës njerëzore dhe kapacitetet tona të kufizuara si individë.
Më lejoni, në fund të fjalimit tim, të jap një mendim të cilin për Nënë Terezën e tha Papa Gjoni Pali i Dytë gjatë aktit të lumturimit të saj para 20 vjetësh, i cili është paradigmatik në kontekst me filozofinë jetësore të saj. Ati i Shenjtë tha se ajo ka qenë mishërim i vargut biblik në gjuhën e saj amtare, gjuhën shqipe “kushdo nga ju që do të dojë të jetë i madh, le të jetë shërbëtori juaj”.
Faleminderit!