Të nderuar udhëheqës të shteteve dhe të qeverive,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin e veçantë dhe kënaqësi të madhe, në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut të flas nga foltorja e Kombeve të Bashkuara në suazat e Debatit të Përgjithshëm të Kësaj Asambleje të Përgjithshme.
Më lejoni, në fillim t’i uroj sukses edhe SH.T. Denis Fransis, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të 78-të të Kombeve të Bashkuara.
Çdo vit, në këtë periudhë, sytë e botës janë përqendruar në tubimin më të madh, ku liderët politikë të kombeve prezantojnë vizionet e tyre për të ardhmen. Këtë vit fokusi te të gjithë ne është ndoshta më i madh se kurrë më parë dhe arsyeja qëndron në faktin dërrmues se emëruesi më i ulët i përbashkët i gjendjes emocionale të njerëzimit sot është – frika. Frika nga luftërat, nga uria dhe varfëria, nga pandemitë, nga kataklizmat ekologjikë, frika për të ardhmen e njerëzve tanë të dashur. Është një fakt famëkeq se rendi ndërkombëtar është tronditur tërësisht në shumë pjesë të botës.
Agresioni i Federatës Ruse mbi Ukrainën vazhdon me egërsi të pandërprerë, që është një shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, në vazhdimësi. Bëhet fjalë për krizën më të madhe të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore, me pasoja globale që pak a shumë ndjehen në të gjitha kontinentet. Çdo ditë që kalon, vuajtjet e popullit ukrainas shtohen, të mirat materiale shkatërrohen dhe rritet rreziku i eskalimit.
E dënojmë rreptësisht agresionin mbi Ukrainën, siç e bënë edhe një numër i madh i anëtarëve të organizatës sonë. E mbështetim tërheqjen e pakushtëzuar të trupave pushtuese ruse dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Karta e Asamblesë Botërore në këtë kuptim është e qartë si kristal – të gjitha çështjet e hapura kudo në botë duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, nëpërmjet negociatave dhe dialogut, me heqjen dorë nga përdorimi i forcës.
Lufta në Ukrainë është shembulli më eklatant, por, për fat të keq, dhe jo i vetmi, për kërcënimet mbi paqen dhe sigurinë botërore. Arkitektura planetare e sigurisë, në bazën e të cilës është pikërisht kjo organizatë, është lëkundur veçanërisht kur një shtet, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të bashkuara sulmon ilegalisht një vend anëtar të të njëjtës organizatë.
Jo rastësisht, para pak kohe, Sekretari i Përgjithshëm paralajmëroi se rreziku nga një katastrofë bërthamore tani është në nivelin më të lartë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ky alarm i nivelit më të lartë i Organizatës duhet të jetë thirrje për çdo lider politik të arsyeshëm për mobilizim global për ruajtjen e paqes, pa dyshim, vlerës më të madhe të njerëzimit.
Është ora e fundit që të ndalen daullet e luftës, që të respektohet Karta e Kombeve të Bashkuara, duke u nisur nga pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve, si parimi themelor dhe arsyeja kryesore e ekzistencës së organizatës botërore.
Të nderuar kolegë,
Paqja është bazë e çdo gjëje, megjithatë bota po përballohet me sfida të një formati tjetër dhe për zgjidhjen e tyre nuk mjafton vetëm paqja ndërmjet shteteve, por edhe besimi dhe bashkëpunimi reciprok. Është e qartë se besimi i ndërtuar prej dekadash, kryesisht pikërisht në këtë ndërtesë, është dëmtuar rëndë dhe se do të na duhet kohë, përpjekje dhe mbi të gjitha vullnet politik për ta rivendosur.
Pavarësisht prej të gjitha dallimeve që ekzistojnë midis nesh – politike, ekonomike apo kulturore – ne duhet të veprojmë së bashku në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Alternativat e dialogut midis kombeve janë të frikshme, kurse çdo vonesë do të na ballafaqojë sërish me të njëjtin kërcënim, kurse çmimi që do të duhet të paguajmë më pas do të jetë shumë më i lartë.
Zonja dhe zotërinj,
Lufta në Ukrainë krijon gjendje të paparashikueshmërisë së përgjithshme dhe kriza që inkurajojnë njëra-tjetrën, sidomos në furnizimin me ushqim dhe energji. Mungesa e ushqimit kërcënon më të varfrit dhe kërcënon të shkaktojë fatkeqësi humanitare të përmasave të papara në shumë pjesë të botës.
Japim mbështetje të tërësishme për përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm për kthimin në fuqi të Marrëveshjes për eksport të drithit ukrainas nëpërmjet Detit të Zia, sepse është tërësisht e papranueshme, ushqimi dhe energjia të përdoren si armë në realizimin e qëllimeve ushtarake apo politike.
Paralelisht me përpjekjet për zgjidhjen paqësore të konflikteve është e domosdoshme dyfishimi i përpjekjeve për realizim të Qëllimeve zhvillimore të mileniumit 2030. Samiti i mbajtur para pak ditësh në suazat e Debatit të sivjetshëm të përgjithshëm është hap në drejtimin e duhur, por kruciale është që fjalët të shndërrohen në vepra.
Është e pakuptimtë që në dekadën e tretë të shekullit të 21-të, miliona njerëz të mos kenë qasje te nevojat elementare njerëzore. Si do të jetë autoriteti ynë si liderë politikë kur flasim për demokracinë, për të drejtat njerëzore dhe prosperitetin, nëse njëkohësisht, miliona njerëz nuk kanë qasje te uji i pijshëm, tek ushqimi ose arsimit?
Të nderuar,
Solidariteti global, nuk është ide apo koncept i ri i cili duhet të elaborohet veçanërisht. Vij nga Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, i cili saktësisht para 60 vjetësh është goditur nga tërmeti katastrofik. Shkupi u ngrit nga hiri, midis të tjerash, edhe falë solidaritetit global.
Ne mësuan në mënyrën më të vështirë se çfarë do të thotë ndihma e dhënë në fatkeqësi. Tërmeti katastrofik në Turqi, në shkurt të këtij viti, na obligoi që t’i rikthehemi thelbit të humanizmit: lëndueshmërisë para katastrofave natyrore, por edhe nevojës parësore të njeriut që të ndihmojë më të dobëtit dhe të vuajturit.
Asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë sjell dita e nesërme, por e dimë se me të gjitha sfidat do të ballafaqohemi me më shumë efikasitet nëse i përdorim mekanizmat të cilët i kemi ndërtuar. Në këtë drejtim, nevojitet që ta adresojmë më me vendosmëri problemin e ndryshimeve klimatike. Ato ndryshime nuk njohin dhe nuk dallojnë kufij – për përgjigje efikase është absolutisht i nevojshëm – aksioni i përbashkët.
Rajoni i Evropës Juglindore, prej nga vij, ballafaqohet me fenomene të panjohure deri më tani: të ashtuquajturat stuhi superqelizore që janë pothuajse në kufirin e tornadove janë pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike. Ngrohja globale, siç thotë Sekretari i Përgjithshëm, tashmë po kthehet në një nxehje globale. Pa dyshim, bota po përballohet me një sfidë ekzistenciale dhe e vetmja kundërpërgjigje e suksesshme është e mundur, vetëm nëse bashkohemi të gjithë në një platformë të vetme.
Instrumentet e domosdoshme siç janë Pakti Klimatik për Solidaritetin nëpërmjet të cilit të zhvilluarit sigurojnë mbështetje financiare dhe teknike për ekonomitë në zhvillim tashmë janë vendosur: tranzicioni i drejtë në një ekonomi të gjelbër është i mundur, por vetëm me zbatimin e duhur të tyre. Sipas “Agjendës së Përshpejtuar për Aksionin për Klimën”, vendet e zhvilluara jo vetëm që duhet të arrijnë emetimet neto zero deri në vitin 2040 por edhe të mbajnë premtimet e tyre ndaj vendeve në zhvillim duke dyfishuar burimet e përshtatjes dhe plotësim të Fondit të Gjelbër të Klimës.
Të nderuar shkelqësi,
Kërcënimet më të mëdha të kohës së sotme: turbulencat gjeopolitike, luftërat, terrorizmi, ndryshimet klimatike apo valët masive të emigrantëve, ndodhin në një periudhë kur organizatat ndërkombëtare dhe i gjithë sistemi shumëpalësh po kalojnë krizë identiteti apo funksionaliteti, kurse më shpesh të dyja. E vetmja përgjigje reale mund të jetë vetëm multilateralizmi i rinovuar dhe i përforcuar që do të respektojë nevojat e secilit shtet individualisht, por do të ofrojë gjithashtu edhe vizion të qartë të pamjes së madhe, të gjërave që na lidhin, për të mirën e përbashkët.
Nuk ekziston vend më përkatës për këtë angazhim të përbashkët se Kombet e Bashkuara.
Nevojë urgjente e njerëzimit sot është kthimi i i parashikueshmërisë, paralajmërimit të hershëm dhe prevenimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Është e qartë se parakusht për këtë janë reformat e brendshme të sistemit të Kombeve të Bashkuara, duke respektuar parimet e përfaqësimit dhe gjithëpërfshirjes më të madhe, që të pasqyrojnë realitetet e botës së sotme.
Gjithashtu nevojitet etablim i mekanizmave për funksionim më të mirë, por, njëkohësisht, edhe për reduktim të opsioneve për paralizë të Organizatës. Dhe në këtë kontekst, japim mbështetje të tërësishme për mbajtjen e Takimit të Ministrave si përgatitje e Samitit të të ardhmes i cili do të mbahet në vitin 2024.
Kuptohet, mbetet nevoja për zgjidhjen e problemeve të vjetra, me adresim paralel të sfidave të reja, edhe pse disa prej tyre, si lajmet e rreme dhe kërcënimet sajber, tashmë janë pjesë e jetëve tona. Disa të tjerë, përsëri, edhe pse janë të një date më të re, si inteligjenca artificiale, për shembull, tashmë shkaktojnë ndryshime kruciale në jetën tonë.
Askush nuk duhet të ketë dyshim se pa pakt të përbashkët për të ardhmen, asnjë ven apo grup në shtet nuk do të ofrojë dhe zbatojë vetë përgjigje ndaj këtyre sfidave.
Të nderuar shkëlqesi, miq të dashur,
Nga dita e parë e pavarësisë sonë, para më shumë se 30 vjetësh, vendi im në mënyrën më të mirë të mundshme e ka manifestuar lidhjen e vet me parimet e paqes, bashkëpunimit të thellë rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura nëpërmjet dialogut. Në vitin 1991, hapëm proces të pjekurisë së brendshme demokratike, nëpërmjet afirmimit të të drejtave të bashkësive etnike deri në shkallën më të lartë të mundshme dhe kultivimit të kulturës së dialogut gjatë zgjidhjes së problemeve në plan të brendshëm, por edhe në marrëdhëniet me fqinjët.
E pranuam kompromisin si mënyrë të zgjidhjes së problemeve, jo si shprehje të dobësisë, por, përkundrazi, si shprehje të vetëbesimit se jemi të aftë t’i mbrojmë interesat e veta pa i lënduar interesat e të tjerëve.
Duke i respektuar parimet në të cilat besojmë vetë, vazhdojmë të japim kontribut aktiv për paqen, stabilitetin, vlerat demokratike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe prosperitetin ekonomik. Këtë vit, kryesojmë OSBE-në, organizatën më të madhe rajonale të sigurisë, në një kohë të mbushur me sfida të paprecedente, por edhe në kushte të tilla, përpiqemi të ruajmë rëndësinë e Organizatës, duke u nisur nga parimet themelore të Kartës së OKB-së dhe Aktit Përfundimtar të Helsinkit.
Mbetemi ndër promotorët më të mëdhenj të bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore, duke këmbëngulur, në të njëjtën kohë, të përmbushim kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian, jo më vonë se viti 2030. Tek ne nuk ekziston dyshimi se përforcimi i institucioneve demokratike, në vazhdimësi, me barazi të garantuar të të gjithë qytetarëve, është e vetmja rrugë e mundshme për një kohezion më të madh në një shoqëri shumetnike.
Të nderuar kolegë,
Në fillim përmenda se frika nga e ardhmja është ndoshta ndjenja më dominuese sot në botë. Megjithatë, kjo nuk duhet të pranohet si gjendje normale. Para nesh, liderëve politikë të mbledhur këtu, qëndron obligimi, që këtë ndjenjë të frikës ta zëvendësojmë me shpresë dhe me besim për një botë më të drejtë.
Parakusht për këtë gjë është të arrijmë pa shtyrje, një marrëveshje të rinovuar për respektimin e vlerave themelore dhe idealeve humane për të cilat është themeluar kjo organizatë para 78 vjetësh.
Ju faleminderit për vëmendjen.