Fjalimi i Presidentit Pendarovski në Debatin e përgjithshëm të sesionit të 75 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara

23 Shtator 2020 | Fjalimet

I nderuar Kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara,
Të nderuar ekselenca
Zonja dhe zotëri,

Kam nderin që kam mundësi, për herë të parë të drejtohem në emër të Republikës së Maqedonisë së Veriut në këtë forum global, i cili këtë vit, për shkak të rrethanave në të cilat takohemi, ka një edicion unik – për herë të parë, dhe sinqerisht, shpresoj për herë të fundit, pa praninë tonë personale në selinë e organizatës sonë.

Ky vit, viti 2020 është pa dyshim një nga vitet më të vështira të cilin po e përjeton njerëzimi në historinë më të re. Pandemia për vetëm disa muaj, jo vetëm që mori pothuajse një milion jetë njerëzore, la edhe pasoja të thella në çdo fushë të jetës sonë, për të cilat do të na nevojiten vite që të rimëkëmbemi tërësisht. Kovid-19 shkaktoi ndryshime tektonike në rendin të cilin e dimë, por, na mundësoi edhe mbikëqyrje reale në kapacitetet nacionale në shëndetin publik për ballafaqim me kriza të përmasave planetare.

Të nderuar,

Kovid-19 është një nga krizat e spektrit të tërësishëm të krizave me të cilat po ballafaqohemi si njerëzim dhe asnjëra prej tyre nuk është tërësisht e izoluar nga të tjerat. Kriza shëndetësore është njëkohësisht edhe ekonomike dhe sociale, sepse shkakton varfëri, kurse varfëria është truall pjellor për ekstremizëm dhe konflikte. Konfliktet i rrezikojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe shkaktojnë katastrofa humanitare dhe valë migrantësh. Kjo vorbull e krizave dhe kërcënimeve shkaktojnë frikë, pasiguri dhe mosbesim, si edhe i polarizojnë marrëdhëniet midis shteteve, por edhe brenda shteteve, dhe si përfundim e rrënojnë multilateralizmin, i cili sot na nevojitet më shumë se kurrë.

Viti 2020 do të jetë një vit kthesë për të gjithë ne. Sot, në vend të rendit statik ekzistues të vendosur pas Luftës së dytë botërore, na nevojitet sistem dinamik dhe funksional i parimeve dhe rregullave të vendosura në të cilat besojmë, të përshtatura me kohën e re. Na nevojitet me patjetër një model i ri i multilateralizmit aktiv, inkluziv, i njohur për solidaritetin midis kombeve dhe humanizmi midis njerëzve. Në këtë kontekst, një nga detyrat e mëdha të Kombeve të Bashkuara është të na ndihmojnë të vazhdojmë fokusin dhe ta mbajmë të zgjuar vetëdijen kolektive dhe vetëdijen për të mirën globale.

Kur janë në pyetje qëllimet tona të përbashkëta, më lejoni t’i rikujtoj fjalët e ish Sekretarit të Përgjithshëm, Dag Hamarsheld i cili tha: Qëllimet e Kartës janë shprehje e idealeve universale që nuk mund të hidhen poshtë; por, ne, njerëzit, mund të dështojmë në plotësimin e tyre. Me fjalë të tjera, organizata jonë mund të jetë efikase aq saç do ta lejojnë të jetë vendet anëtare.

Prandaj, që ta tejkalojmë këtë periudhë është i domosdoshëm solidariteti midis shteteve që nuk do të reflektohet vetëm në planin shëndetësor. Duhet të jemi solidarë edhe në aspektin e të ardhmes, të cilën duhet ta ndërtojmë së bashku.

Të nderuar,

Tragjedia e shkaktuar nga kovid-19, nuk duhet të lejohet të shfrytëzohet assesi për tensione gjeopolitike dhe përforcime në garën gjeopolitike midis fuqive të mëdha. Shkenca duhet të mbetet me patjetër jashtë logjikës së fitimit, por, edhe jashtë veprimit rrënues të propagandës dhe dezinformacioneve. Politikat e fokusuara në rezultatet e shpejta kanë gjithmonë efekt afatshkurtër. Nëse krizat i trajtojmë të izoluara njëra nga tjetra, vetëm do t’i zbutim simptomat pa e shëruar njerëzimin. Prandaj është e domosdoshme qasja integruese.

Pandemia është mundësi për rikonstruksion të ekonomive, teknologjive dhe mënyrës së jetës, në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm. Varfërinë nuk do ta çrrënjosim vetëm me ndihmë afatshkurtër financiare për më të varfrit, por, nëpërmjet aftësimit sistematik të atyre njerëzve që të kenë jetë me dinjitet dhe mundësi të barabartë për të punuar, fituar, për të krijuar familje. Nëse veprojmë në kundërshtim me këtë gjë, humnera midis të varfërve dhe të pasurve do të thellohet, kurse kjo pabarazi do të vazhdojë të kalojë nga një gjeneratë te tjetra.

Po shohim se po vjen tashmë edhe një gjeneratë e re e pabarazive në aspektin e arsimit, teknologjisë dhe ndryshimeve klimatike, që me siguri do të shkaktojë ndarje të reja, të mëdha në shoqëri. Këtë e shohim te të rinjtë. Ndërkohë që disa, të dëshpëruar nga mungesa e perspektivës ikin prej shteteve të veta, të tjerët tërhiqen nga kënaqësitë momentale dhe vlerat sipërfaqësore.

Shtetet anëtare duhet të vazhdojnë të kërkojnë arsim universal për të gjithë. Sepse pikërisht arsimi është garancia më e fuqishme e të drejtave dhe lirive të njeriut.

25-vjetori i Konferencës botërore për gratë, na kujton se është e nevojshme të vazhdojmë të punojmë në zvogëlimin e pabarazisë midis burrave dhe grave gjë që është ende realitet në shumë vende në botë. Gjithashtu, duhet ta përforcojmë vazhdimisht tolerancën ndaj stileve të ndryshme të jetës dhe t’i mbrojmë këto grupe nga, për fat të keq, dhuna e gjerë e pranishme mbi ta.

Zhvillimi ynë ekonomik dhe teknik-teknologjik duhet të jetë me patjetër neutral për klimën Këtu, duhet të fokusohemi në zhvillimin dhe mbështetjen e qasjeve ekologjike inovative dhe strategjitë e qëndrueshme zhvillimore. Për fat të keq, që t’i riparojnë dëmet ekonomike nga pandemia, shumë qeveri dhe kompani tashmë po bëjnë kompromise në llogari të agjendës ekologjike dhe klimatike. Kështu e mbrojnë vetëm modelin e paqëndrueshëm ekonomik të zhvillimit të bazuar në lëndët djegëse fosile dhe në shfrytëzimin e fuqisë punëtore të papaguar sa duhet.

Nëse shpresojmë që teknologjitë e reja edhe mandej të mund të ndiqen nga shprehitë tona të vjetra, vetëm do ta përkeqësojmë gjendjen. Duhet të mësojmë me patjetër, të fitojmë shprehi të reja, të qëndrueshme të cilat do të jenë adekuate me teknologjitë e reja.

Të gjithë e kemi të qartë se koha për aksion është shumë e shkurtër. Na mbeten vetë 10 vjet që ta realizojmë Agjendën ambicioze 2030. Edhe para pandemisë kishim vështirësi të zbatojmë disa prej qëllimeve kryesore të saj. Kurse tani, për realizimin e tyre duhet t’i zbutim njëkohësisht edhe pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë e cila po zgjat akoma. Që të dalim fitimtarë në këtë garë me kohën, në vend të masave gjysmake që vetëm i prolongojnë pasojat, na nevojiten zgjidhje të guximshme dhe afatgjata për të cilat është e qartë se do t’i mbijetojnë qeveritë që i kanë miratuar.

Të nderuar miq,

Promovimi i paqes dhe parandalimi i konflikteve, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me parimet e të drejtës ndërkombëtare, nuk kanë alternativë. Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm janë kërcënime për të gjithë ne. Republika e Maqedonisë së Veriut iu bashkëngjit thirrjes së Sekretarit të Përgjithshëm për paqen globale dhe respektimin e tërësishëm të të drejtës ndërkombëtare humanitare në këto rrethana të jashtëzakonshme. Vendi im, në suazat e mundësive të veta, është pjesëmarrës aktiv në misionet paqësore të OKB-së, por edhe në suazat e organizatave rajonale si OSBE-ja, Bashkimi Evropian dhe në misionet e Aleancës së Atlantikut Verior. Në këtë kontekst, i mbështesim përpjekjet për një marrëveshje të re për kontroll të armatimit nuklear dhe konsiderojmë se këmbëngulja e partnerëve tanë strategjikë që të përfshihen në të dhe në fuqitë e reja nukleare është kontribut më i madh në ballafaqimin e garës së re për armatim.

Si një shtet i vogël në Evropën Juglindore, vendosëm stabilitet shtesë në rajon duke zgjidhur, me negocim nga OKB-ja, një kontekst të komplikuar me fqinjin tonë, Greqinë. Tani atë që e kemi dakorduar po e shndërrojmë në besim të mirë, kurse nga kjo dobi do të kenë të dy shtetet tona, por edhe rajoni në tërësi. Njëkohësisht, jemi të gatshëm të gjitha çështjet e hapura t’i zgjidhim nëpërmjet dialogut të subjekteve të barabarta, për çka shembull i rëndësishëm është Marrëveshja e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me fqinjin tonë, Republikën e Bullgarisë.

Për fat të keq, rajoni ynë po ballafaqohet akoma me kontekste të pazgjidhura politike dhe historike që kanë potencial të na kthejnë në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Zgjidhja e këtyre problemeve qëndron vetëm në tejkalimin e miteve historike, dalja me siguri që nuk është në ideologjitë e shekullit të 19-të të dominimit fetar dhe etnik.

Në këto suaza, është shumë e rëndësishme, investimet të mos jenë vetëm investime në ekonomi. Demokracia, për të cilën pas përfundimit të luftës së ftohtë ishim të bindur, se nuk ka alternativë reale, sot është nën një sulm të ashpër nga tendencat populiste dhe autoritare. Nëse dëshirojmë ta ruajmë superioritetin moral të demokracisë në raport me modelet e menaxhimit politik, duhet të investojmë në të, sidomos midis gjeneratave të reja. Në këtë kuptim, një prej sfidave fondamentale para nesh është investimi në edukimin e vlerave demokratike që t’i shuajmë ideologjitë e ndezura radikale, si neofashizmi, ultranacionalizmi dhe racizmi. Kjo është detyrë e shteteve dhe arsimit forma, por jo më pak edhe e sistemit të arsimit joformal, si dhe shoqërisë qytetare.

Që të jetë e suksesshme kjo betejë bëhet në shumë fronte njëkohësisht. Çdo shtet, çdo popull dhe çdo organizatë mund të japë kontributin e vet. Por, parakushte që ta arrijmë qëllimin janë bashkëpunimi efektiv ndërkombëtar dhe solidariteti global për të cilat është domosdoshme që Kombet e Bashkuara jenë të reformuara dhe të përshtatura me realitetin e ri.

Me të gjitha mangësitë e veta, kjo organizatë mbetet platforma e vetë e vërtetë globale, neutrale dhe legjitime për bashkëpunim. Në lidhje me nevojën për reformë të saj themelore, sfidat para të cilave jemi të gjithë mund të zgjidhen jo vetëm me më shumë, jo me më pak multilateralizëm, i cili përveç qeverive dhe shteteve do ta përfshijë edhe sektorin privat, organizatat ndërkombëtare qeveritare dhe joqeveritare, institucionet akademike dhe shoqatat e të rinjve, grave dhe të margjinalizuarve, të cilët me të drejtë e kërkojnë të vërtetën, drejtësinë dhe barazinë.

Në frymën e multilateralizmit, Republika e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë t’i plotësojë obligimet e veta ndërkombëtare dhe ta mbështesë punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe agjencitë e specializuara të saj në krijimin dhe zbatimin e politikave publike për çështjet me rëndësi globale.

Të nderuar,

Prej vendimeve tona të sotme, në kulmin e pandemisë, varet se si do të duket bota jonë, pas pandemisë. Kjo është një mundësi e rrallë, duke e mbështetur organizatën botërore dhe duke u mbështetur midis nesh, të hedhim hapa drejt një bote më të qetë dhe më të drejtë, ku do të rinovohet besimi në humanizëm, liri, solidaritet dhe respektim të dinjitetit të njeriut. Është e qartë se vetëm nëse investojmë në Kombet e Bashkuara do të arrijmë të ndërtojmë një botë më të mirë për gjeneratat e tashme dhe të ardhme.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit