Fjalimi i Presidentit Pendarovski në debatin publik: “Gjuha diskriminuese në mediat digjitale – gjendja dhe sfidat”

22 Shtator 2022 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në debatin me temë “Gjuha diskriminuese në mediat digjitale – gjendja dhe sfidat”, që organizohet nga Komisioni për ballafaqim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KBMD) dhe Instituti për menaxhim të mirë dhe perspektiva euroatlantike (IMMPE), kurse me mbështetje nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Të nderuar,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përshëndes si nikoqir i diskutimit të sotshëm publik me temë “Gjuha diskriminuese në mediat digjitale – gjendja dhe sfidat”. Ky eveniment është produkt i bashkëpunimit të Komisionit për ballafaqim dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe Institutit që filloi me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me qëllim që të mbështetet lufta nacionale kundër gjuhës diskriminuese dhe dukuritë e tjera negative në hapësirat e internetit.

Jam thellësisht i bindur se bashkëpunimi dhe aksionet e përbashkëta të të gjithë faktorëve në shoqëri janë të rëndësishme në luftën kundër përmbajtjeve diskriminuese në hapësirën e internetit, por edhe në përgjithësi në gjuhën publike. Parandalimi i kësaj dukurie e cila i lëkund seriozisht themelet bazë të çdo shoqërie e cila synon inkluzionin, duhet të bëhet prioritet nacional. Komunikimi nuk duhet të reduktohet, si deri më tani, në pjesën më të madhe, në energji negative, frustrime, sulme mbi personalitetin, gjuhën diskriminuese ose gjuhën e urrejtjes.

Për këtë qëllim, parandalimi është kyç. Prandaj nuk duhet të lejojmë që gjuha diskriminuese të kalojë në gjuhë të urrejtjes dhe kështu t’i rrënojë themelet e një shoqërie e cila duhet të bazohet në komunikim korrekt dhe në debat të argumentuar. Në shtëpitë tona, në vendin tonë të punës, në publik dhe në mediat sociale duhet ta kthejmë mirësjelljen në komunikim dhe ta matim peshën e fjalëve tona. Por, siç thotë një fjalë e urtë, gjuha kocka s’ka, por kocka thyen. Për fat të keq në hapësirën në internet ku nuk ekzistojnë barriera fizike gjithnjë dhe më të shumtë janë shembujt për ofendim, sulmet e pabaza,  shpifjet ku, në vend të komunikimit midis nesh, fjalët shërbejnë si instrument për sulme dhe diskualifikim.

Është e rëndësishme që të gjithë ata që fshihen pas komoditetit të tastaturës janë të vetëdijshëm se janë përgjegjës për atë që kanë shkruar ose thënë. Diskriminimi nuk njeh përkatësi etnike ose fetare, seks, gjini ose orientim seksual. Përkundrazi, diskriminimi dhemb dhe e lëndon njësoj çdo person, e kërcënon integritetin dhe vetëbesimin e tij dhe pasojë të përhershme mbi njeriun, të afërmit e tij, por edhe mbi shoqërinë në tërësi.

Si person publik, si politikan ndonjëherë jam i pasqyruar ndaj fjalëve të shprehura në mënyrë të papërshtatshme dhe përpjekjeve për diskreditim, kështu që dhe personalisht mund të dëshmoj për këtë që e thashë para pak kohe.

Më lejoni me këtë rast edhe njëherë të nënvizoj se është i domosdoshëm involvimi i sektorit qytetar si përfaqësues të opinionit më të gjerë. Sistemi i sanksioneve, ligjet dhe dënimet nuk mjaftojnë nëse nuk punojmë në krijimin e atmosferës pozitive, me qëllim të parandalimit të dukurive negative. Dua të besoj se jemi ende në fazën kur në vend që të mjekohet mund të parandalohet dhe prandaj apeloj të ballafaqohemi me këtë problematike komplekse. Të mos e shtyjmë, të mos mbulojmë ose të ngremë shpatullat. Puna ka vajtur deri aty sa duhet të ballafaqohemi me realitetin dhe të ofrojmë zgjidhje dhe ide adekuate.

Të nderuar,

Qasja në internet është pa dyshim një nga fitimet më të mëdha në historinë e njerëzimit. Teknologjitë digjitale janë mjete të cilat e mbështesin zhvillimin e demokracisë në nivel global. Ato janë kanal për komunikim të pandërprerë dhe burim informacionesh për miliarda njerëz në botë. Prandaj, nuk duhet të lejojmë që individë ose grupe, me përdorimin e gjuhës diskriminuese dhe gjuhës së urrejtjes, t’i reduktojnë ose t’i shkatërrojnë këto fitime nëpërmjet keqpërdorimit të të lirisë së fjalës

Duke lënë hapësirë për mendimet tona, do të dëshiroja edhe njëherë të falënderoj Komisionin dhe Institutin e kësaj iniciative dhe e shpreh mbështetjen time për aktivitetet e mëtejshme.

Qëllimi ynë i përbashkët është ta dekontaminojmë hapësirën digjitale, por edhe hapësirën publike në përgjithësi dhe përditshmërinë tonë nga retorika diskriminuese. Besoj se me përpjekjet e përbashkëta të të gjithë faktorëve relevantë dhe me bashkimin e njohurive dhe përvojave tona mund të kontribuojmë në atë drejtim.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....