Fjalimi i Presidentit Pendarovski në Konferencën e 18-të Ndërkombëtare të Rinisë

10 Nëntor 2020 | Fjalimet

Sot, Presidenti Stevo Pendarovski kishte fjalimin e tij në Konferencën e 18-të Ndërkombëtare të Rinisë, me temë: “Vlerat evropiane për të ardhmen e vendeve të Evropës Juglindore”, e cila për shkak të pandemisë mbahet virtualisht.

Në vazhdimi fjalimi integral i Presidentit Pendarovski

Pjesëmarrës të nderuar në Konferencën e 18-të Ndërkombëtare të Rinisë,

Kam kënaqësinë të marr pjesë në këtë konferencë për herë të tretë. Fatkeqësisht, këtë herë, për shkak të pandemisë, ne jemi të detyruar të takohemi vetëm virtualisht, por shpresoj që konferenca e ardhshme sërish do të na mbledh së bashku në Krushevën e bukur.

Këtë vit organizatorët na inkurajuan të flasim për një temë shumë të rëndësishme: vlerat evropiane për të ardhmen e vendeve të Evropës Juglindore. Vlerat përcaktojnë vendimet tona dhe kështu përcaktojnë drejtimin në të cilin do të lëvizin vendet tona. Politikanët vazhdimisht flasin për vlerat evropiane dhe kjo është bërë një pjesë e pashmangshme e zhargonit politik. Por, këtu imponohet pyetja çfarë nënkuptojmë me vlera evropiane?
Krijimi i një Evrope të bashkuar në paqe është një nga projektet më të rëndësishme politike të kohës sonë. Kontinenti ynë kaloi kohë të vështira të dominuara nga nacionalizmi, ideologji totalitare, dy luftëra botërore dhe miliona viktima. Dhe pas gjithë atij shkatërrimi dhe vuajtjeje, udhëheqësit e vendeve të Evropës Perëndimore kanë zgjedhur rrugën e ndërtimit të një Evrope të përbashkët mbi parimet demokratike në të cilat sundimi i ligjit do të mbizotërojë dhe të drejtat dhe liritë e njeriut do të mbrohen dhe promovohen.

Kjo ide na frymëzoi të reformojmë të transformojmë vendet e rajonit tonë, në mënyrë që t’u mundësojmë qytetarëve tanë një jetë me prosperitet. Por, nëse për një moment shohim situatën në pothuajse secilin nga vendet tona, do të shohim trende shqetësuese.

Unë e di që shumë të rinj nga Maqedonia e Veriut janë të pakënaqur me rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nepotizmit ose efekteve të politikave ekonomike dhe arsimore. Pakënaqësia e të rinjve është gjithmonë një lajm i keq sepse tregon se politikanët nuk kanë arritur të ndërtojnë një shoqëri gjithëpërfshirëse, një ekonomi në rritje dhe një kulturë të dialogut.

Njëkohësisht, për sa kohë që të rinjtë janë të pakënaqur, por janë të gatshëm të bëjnë diçka për këtë, ka shpresë për të gjithë ne. Do duhej të shqetësoheshim më shumë nëse ju, të rinjtë, bëheni indiferentë, që do të thotë se ju pranoni të metat e sistemit ose kërkoni një jetë më të mirë jashtë vendit. Fatkeqësisht, çdo ditë shumë të rinj zgjedhin njërën ose tjetrën alternativë.

Pandemia edhe më shumë ndërlikon situatën edhe ashtu komplekse. Parashihet edhe nivel relativisht i lartë i papunësisë strukturore, sidomos në mesin e të rinjve, dhe globalisht, rreth 180 milion të rinj janë të punësuar në sektorët më të prekur nga pandemia, me çka një nga gjashtë të rinj në botë është i papunë.

Të dashur miq,

Në kushte kaq të vështira, por edhe kushte normale, politikanët duhet të gjejnë mënyrën jo vetëm për të dëgjuar me kujdes të rinjtë, por edhe për të përfshirë ata në politikëbërje dhe vendimmarrje. Për këtë qëllim, disa ditë më parë, u formua Qendra Presidenciale për Edukim Politik, e cila duhet të thellojë marrëdhëniet midis të rinjve dhe institucioneve. Kjo qendër duhet t’iu ndihmojë të rinjtë të mësojnë për kulturën politike, demokracinë, të drejtat dhe liritë e njeriut, tolerancën dhe solidaritetin. Me partnerët tanë nga Fondacioni “Friedrih Ebert”, Fondacioni Vestminister për Demokraci, Fondacioni “Konrad Adenauer”, Instituti Demokratik Kombëtar për Çështjet Ndërkombëtare, Instituti Republikan Ndërkombëtar dhe Fondacioni ”MK2025”, ne duam të lidhemi me organizata brenda dhe jashtë vendit që besojnë në të njëjtat ide. Do të jetë kontributi ynë në ndërtimin e vlerave evropiane në rajon.

Por, një parakusht për rezultatet e pritura pozitive është fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian gjatë presidencës gjermane, natyrisht nga fundi i këtij viti. Gjermania është një nga investitorët më të rëndësishëm në rajonin tonë. Por, sipas mendimit tim, investimi më i rëndësishëm gjerman janë pikërisht përpjekjet për integrimin e rajonit në Union. Një bllokadë e mundshme e negociatave do të ishte një dështim i Unionit dhe do të shkaktonte dëm serioz të besueshmërisë së tij në sytë e qytetarëve maqedonas. Dhe më tepër do të nxis procesin e emigrimit të të rinjve tanë.

Ngecja në procesin e integrimit gjithmonë ka qenë një burim zhgënjimi dhe frustrimesh, një fushë loje për nacionalistët dhe një ftesë e hapur për ndikime malinje gjeopolitike. Shtyrja e procesit do të jap mesazhin e gabuar jo vetëm për qytetarët maqedonas, por për të gjithë rajonin – domethënë, se një vend mund të marrë vendimet më të vështira dhe të bëjë sakrificat më të mëdha, dhe megjithatë të mos marrë atë që meriton.

Do të zbulojë qartë nëse Evropa është vetëm një treg i përbashkët ose një bashkësi vlerash në të njëjtën kohë. Dhe nëse vendimet politike të Unionit bazohen vetëm në interesat kombëtarë të shteteve anëtare ose nëse janë marrë parasysh edhe vlerat e përbashkëta evropiane

Të dashur miq,

Dhe asgjë nuk flet më shumë për vlerat evropiane sesa simbolika e ditës së djeshme dhe të sotme. Më 9 dhe 10 nëntor 1989, qytetarët e Berlinit filluan të shembnin murin që ndau jo vetëm qytetin por, edhe Evropën në dy pjesë. Ky akt i guximshëm i lirisë ishte gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt bashkimit të Evropës në frymën e lirisë. Mirëpo, kjo ditë duhet të na kujtojë se para se të ndërtohej me beton dhe tela me gjemba, çdo mur i ndarjes në fillim ndërtohet në ndërgjegjen e njerëzve dhe pasqyron vlerat e tyre. Dhe gjithçka fillon me perceptimin tonë për tjetrin, për atë që dallon nga ne. A perceptohet identiteti, gjuha, kujtesa kolektive si një kërcënim ose si një përfitim për të ardhmen e përbashkët evropiane?

Padyshim, çdo bllokim joparimor i perspektivës evropiane të cilitdo vend në Ballkanin Perëndimor është në funksion të ruajtjes së mbetjeve të murit që ndau Evropën.

Dhe këtu unë parashikoj rolin e të rinjve. Larg stereotipave të së kaluarës, ju i shihni rajonin dhe Evropën nga një këndvështrim tjetër – pa kufij dhe pa paragjykime. Vizioni juaj, natyrisht, më shumë sesa vizioni i brezit të vjetër të cilit unë i përkas, është imun ndaj virusit të nacionalizmit, shovinizmit, jotolerancës jo vetëm midis shteteve por edhe brenda shteteve. Prandaj, unë ju inkurajoj t’u jepni mesazhe udhëheqësve tuaj politikë dhe drejtuesve të Bashkimit Evropian që projekti i Evropës së Bashkuar duhet të përfundojë, por bazuar në humanizëm dhe dinjitetin e popullit.

Faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit