Fjalimi i Presidentit Pendarovski në konferencën kushtuar inteligjencës artificiale

15 Shkurt 2024 | Fjalimet, Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në konferencën kushtuar shkathtësive digjitale dhe inteligjencës digjitale në botën korporatave, të organizuar nga “Semos edukacija” dhe Oda Ekonomike për Teknologjike Informatike dhe Komunikative – MASIT.

Në fjalimin e vet Presidenti foli mbi sfidat globale me inteligjencën artificiale për zmadhimin e zbatimit të inteligjencës artificiale në nivele të ndryshme dhe në grupe të caktuara qëllimore, përmirësimin e klimës së biznesit dhe zmadhimin e përqindjes së kuadrit të kualifikuar dhe deficitar, amortizimin e rrezikut potencial nga ndikimi i inteligjencës artificiale mbi vendet e punës dhe krijimin e mundësive për zhvillim të teknologjive të reja të bazuara në inteligjencën artificiale.

Në suazat e këtij evenimenti u prezantua gjendja momentale dhe trendet e ardhshme të inteligjencës artificiale dhe kontributin e këtij sektori në tejkalimin e sfidave.

Të nderuar të pranishëm,

Miq të dashur,

Kam kënaqësinë e madhe t’ju përshëndes në këtë konferencë kushtuar aftësive digjitale në botën korporative. Me këtë eveniment “Semos Edukacija” dhe MASIT na mbajnë në hap me një nga çështjet më aktuale globale.

Së fundmi, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, pata mundësinë të flas shkurtimisht me Sem Altman, drejtorin ekzekutiv të OpenAI. Kur djali im, i cili po studion për robotikë, e pa selfin me Altman, më tha me shaka – tani të respektoj dy herë më shumë. Ky reagim flet se heronjtë e brezit të ri nuk janë liderët politikë, por ata teknologjikë dhe kjo është mirë.

Nuk është e rastësishme që inteligjenca artificiale po dominon vitet e fundit në shumë panele dhe diskutime në Davos. Liderët nga sfera teknologjike po konkurrojnë me njëri-tjetrin për të prezantuar më shpejt modele më të përparuara të inteligjencës artificiale. Qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare, nga ana tjetër, po garojnë me kohën dhe po përpiqen ta normativizojnë këtë teknologji relativisht të re. Njëkohësisht, ndihet ankth në tregun global të punës, ku miliona punëtorë kanë frikë nga pushimet masive nga puna.

Si asnjë teknologji tjetër, inteligjenca artificiale është një sfidë edhe për vendet edhe për kompanitë. Sipas Indeksit të Inteligjencës artificiale të Universitetit Stanford, disa kompani tashmë po zhvillojnë modele të cilat vetëpërmirësohen. Nga viti 2022 dhe në vazhdim, pothuajse çdo muaj lëshohet një model i ri i inteligjencës artificiale gjeneruese, me aftësi më të përparuara për të kryer një numër gjithnjë dhe më të madh detyrash, nga manipulimi dhe analiza e tekstit, deri te gjenerimi i imazheve dhe përmbajtjeve.

Njëkohësisht po ndryshon edhe përdorimi i tyre. Inteligjenca artificiale nuk është më thjesht një aplikacion interesant me të cilin luajmë, si “ChatGPT”, dhe po rritet në një mjet që po e transformon në thelb punën, po e rrit produktivitetin dhe po na fut në fazën e re digjitale.

Por ky potencial i madh sjell edhe rreziqe të mëdha. Nga viti 2012 e deri më sot, numri i incidenteve dhe polemikave në lidhje me inteligjencën artificiale është rritur me gati 30 herë. Nga videot e falsifikuara dhe dezinformatat, deri te sulmet kibernetike dhe kërcënimet ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut.

Këto situata janë veçanërisht të rrezikshme në vitet e zgjedhjeve, siç është viti 2024. Maqedonia e Veriut është një nga 64 vendet në botë, në të cilën jeton gjysma e popullsisë së botës, në të cilën mbahen zgjedhjet këtë vit.

Këto situata, përveç se në sferën politike, mund të shkaktojnë keqpërdorime edhe në fusha të tjera. Keqpërdorimi i inteligjencës artificiale është gjithashtu i rrezikshëm për biznesin. Javën e kaluar patëm një rast të një punësuari në një kompani të huaj shumëkombëshe, i cili mori pjesë në një video-takim me menaxhmentin nga i cili mori urdhër për të kryer një transaksion të caktuar. Më vonë doli se takimi me video ishte një falsifikim dhe se në këtë mënyrë kompania u dëmtua me 25 milionë dollarë.

Por, ndoshta sfida më serioze lidhet me tregun e punës. Një nga zërat më të mëdhenj të buxhetit të çdo kompanie dhe organizate janë pagat dhe kontributet e të punësuarve. Por, çdo të ndodhë nëse inteligjenca artificiale mund të kryejë në mënyrë më efikase dhe më lirë detyrat të cilat i kryejnë njerëzit sot? A mund të shkaktojë përdorimi i gjerë i saj papunësi masive, pabarazi ekonomike dhe trazira masive sociale?

Këtë dilemë e shtroi më qartë drejtori i Laboratorit të Ekonomisë Digjitale në “Stanford”, Erik Brinjolfson. Sipas tij, gjithçka varet nga fakti nëse inteligjenca artificiale do të përdoret për të rritur aftësitë njerëzore nëpërmjet augmentacionit apo për të zëvendësuar automatikisht njerëzit. Me fjalë të tjera, a do të jenë njerëzit dhe inteligjenca artificiale reciprokisht komplementare apo konkurruese.

Është fakt se tregu i punës po ndryshon rrënjësisht. Forumi Ekonomik Botëror vlerëson se 60% e punëtorëve do të duhet të rikualifikohen deri në vitin 2027. Po zmadhohet kërkesa për të punësuar me shkathtësi të reja digjitale, inxhinierë promt, dizajnues të interfejsit, kreatorë të përmbajtjeve për inteligjencën artificiale, si dhe specialistë për çështje etike. Kurse ne jemi ende në ditët e hershme të inteligjencës artificiale.

Të nderuar të pranishëm,

Çfarë nënkupton e gjithë kjo për ne, dhe jo vetëm për ne? Lajmi i mirë është se duke përmirësuar inovacionin, efikasitetin dhe produktivitetin, inteligjenca artificiale do të çojë në investime të reja dhe zhvillim dhe rritje më të madhe ekonomike. Lajmi i keq, për ne, është se kjo ka të ngjarë të ndodhë në ekonomitë më të zhvilluara të botës, ndërsa vendet më pak të zhvilluara do të mbeten prapa.

Ne jemi një shtet i vogël territorialisht me një shkallë të lartë emigracioni. Sistemi arsimor dhe tregu i punës janë në një hendek të madh. Prandaj, kompanitë maqedonase përballohen me sfida të mëdha: Ku të gjejnë punëtorë të kualifikuar me aftësi digjitale dhe si të rikualifikohet një pjesë e madhe e tregut maqedonas të punës për një kohë të shkurtër?

Që të përballohemi këto sfida, ne kemi nevojë për një dialog kombëtar për inteligjencën artificiale.

Para disa vitesh Fondi për Inovacionin dhe Zhvillimin Teknologjik krijoi një ekip për të përpiluar një strategji kombëtare për inteligjencën artificiale. Gjatë përpilimit të kësaj strategjie duhet të merren parasysh interesat kombëtare të shtetit, nevojat ekonomike të kompanive dhe, gjithsesi, të drejtat e punëtorëve. Që të mos na gjejë të papërgatitur, duhet ta normativizojmë sa më parë këtë sferë dhe kuptohet të thellojmë bashkëpunimin me partnerët dhe miqtë tanë strategjikë.

Është mirë që nuk fillojmë nga zeroja. MASIT me vite ndërton me përkushtim partneritet midis bashkësisë ekonomike, akademike dhe institucioneve shtetërore. Kemi edhe një nga qendrat më të mira për edukim në fushën e shkathtësive digjitale dhe të inteligjencës artificiale. Para pak kohe në Kankun, në Meksikë, “Semos edukacija” është shpallur si qendra më e mirë edukative në botë. Si partner i disa prej brendeve udhëheqëse TI, ju ishit të parët që vendosët trajnime për inteligjencën artificiale, jo vetëm në tregun maqedonas dhe rajonal por edhe në tregun global. Me ndihmë të trajnimeve, edukimit dhe stërvitjes u mundësoni kompanive që për një kohë të shkurtër të ndihmojnë të punësuarit e vet dhe t’i fitojnë shkathtësitë e domosdoshme nga fusha e inteligjencës artificiale.

Prandaj, besoj se kemi vullnet, por përveç vullnetit kemi edhe kapacitet t’i përgjigjemi kësaj sfide. Megjithatë, duhet të investojmë në ekosistemin inovator, t’i mbështesim startapet dhe të promovojmë kulturë të mësimit dhe përsosjes gjatë gjithë jetës. Kështu do t’u mundësojmë  kompanive dhe ekonomisë maqedonase të mos mbeten pas në garën globale digjitale.

Të dashur miq

Para pothuajse pesë vjetësh, kur në fjalimin tim të parë vjetor në Kuvend e paralajmërova përpilimin e kornizës strategjike për zhvillim “MKD 2030”, theksova se nëse duam të jemi të suksesshëm, republika jonë e katërt maqedonase duhet të jetë e digjitalizuar.

Nga hapat që do t’i ndërmarrim në këtë periudhë kyçe varet se në cilën anë të humnerës digjitale do të gjendemi. A do të jemi midis ekonomive të zhvilluara digjitale me standard të lartë dhe jetë cilësore apo midis rajoneve të pazhvilluara të cilat shërbejnë për regrutim të fuqisë së punës me kualifikim të ulët?

Nuk kemi shumë kohë, por atë që e kemi, duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë që mundemi.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....