Fjalimi i Presidentit Pendarovski në konferencën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut

10 Dhjetor 2023 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski mbrëmë mbajti fjalim në konferencën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, 10 dhjetori, e organizuar nga Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive dhe Misioni i OSBE-së në Shkup.

Të nderuar organizatorë të konferencës,

Të nderuar të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Mirë mbrëma.

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të mbaj fjalim në këtë konferencë për nder të Ditës së të Drejtave të Njeriut, e organizuar nga Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive dhe Misioni i OSBE-së në Shkup. Në fill, do të dëshiroja ta theksoj rëndësinë e festimit të 75-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, pikërisht në këtë ditë në viti 1948, e cila që atëherë festohet si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të njeriut. 

Shtatë dekada e gjysmë më vonë kemi të drejtë të jemi krenarë të ndryshimeve të cilat në suazat botërore kanë ndodhur në raport me bazën fillestare nga e cila u nisëm. Duhet të kemi parasysh se fillimi i luftës për të drejtat e njeriut ishte vetëm disa vite pas mundimeve të tmerrshme në Luftën e Dytë Botërore për të cilat përgjegjësinë e kishin regjimet totalitare dhe represive siç ishin nazizmi dhe fashizmi.

Ne në Evropë këtë e dimë më së miri. Jo vetëm sepse në kontinentin tonë filloi sulmi i përgjakshëm i këtyre regjimeve, por edhe sepse për herë të parë në historinë e njerëzimit ndodhi holokausti, gjenocid me karakteristika të shkatërrimit industrial të një populli vetëm sepse nuk është përputhur me kategorinë monstruoze të “mbinjerëzve dhe nënnjerëzve” në atë ideologji totalitare.

Megjithatë, optimizmi i shkurtër pas fundit të Luftës së Ftohtë se të drejtat e njeriut do të jenë standard global në politikën ndërkombëtare filluan të zhduken shpejt, që sot të gjendemi në një situatë kur në shumë vende në planet të drejtat e njeriut të shihen ose si pengesë për realizimin e ambicieve të rishfaqura imperialiste ose për to të flitet me cinizëm të pakuptueshëm dhe pikërisht nga gjeneratat të cilat e kanë privilegjin që të jetojnë në shoqëri pa frikë se do të diskriminohen për shkak të prejardhjes apo identitetit të vet.

Epoka e regresionit demokratik global nëpër të cilën po kalojmë ka si viktimën e parë të drejtat dhe liritë e njeriut në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Edhe pse në nivel rajonal dhe global ekzistojnë disa organizata ndërkombëtare që ndër të tjera kanë kompetencë parësore edhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës, OSBE-ja, por edhe institucionet gjyqësore si p.sh. Gjykata Penale Ndërkombëtare me kompetencën për të ndjekur penalisht shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, duket se koha e konsensusit global për të drejtat e njeriut është pas nesh dhe po vjen një epokë e re luftërash, represionesh dhe regjimesh autoritare.

Në këto kushte rëndësia e Deklaratës Universale, e Konventës Evropiane, si dhe e të gjithë sistemit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut jo vetëm që po zvogëlohet por edhe po bëhet më aktuale se kurrë më pare. Të drejtat e njeriut nuk janë privilegj, modë apo konstruksion ideologjik. Ato janë pjesë e pandashme e qenies njerëzore, arritjes qytetare dhe kusht për paqen në botë dhe për mbijetesën e njerëzimit. Në atë kuptim, të gjitha kritikat që vijnë nga nacionalistët apo të a.q. sovranistë me proveniencë të ndryshme ideologjike se të drejtat e njeriut janë kreacion i liberalizmit perëndimor janë vetëm burim për legjitimim të represionit vendas ose për rastet e agresionit të jashtëm.

Përvoja historike na mëson se përparimi dhe mirëqenia e kombeve dhe paqja ndërkombëtare janë të mundshme nëse kombet tona i respektojnë të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut dhe assesi më ndryshe.

Të nderuar,

Shteti ynë nëpërmjet përvojës personale vendosi standarde të rëndësishme për respektimin e të drejtave të njeriut në rajonin tonë dhe më gjerë. Edhe pse shoqëria jonë nuk është imune ndaj nacionalizmit në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, megjithatë, Maqedonia që në fillim të pavarësisë së vet vendosi se do të ndërtojë shoqëri të qytetarëve të lirë dhe të barabartë me respektim të të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive të njeriut.

Gjatë euforisë së ndërtimit të shteteve etnike ne miratuam Kushtetutë e cila mbështetet mbi themele qytetare, por dhe me senzibilitet për karakterin multikulturor të shoqërisë maqedonase. Pikërisht ky vendim strategjik në vitin 1991 ishte një nga aspektet më të rëndësishme që na ndihmoi të anashkalojmë luftën, kurse shteti i ri të marrë verifikim dhe legjitimitet më të gjerë ndërkombëtar.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001 vendosi standarde për mbrojtjen e të drejtave kolektive të bashkësive të cilat edhe pas më shumë se dy dekadash konsiderohen ende si shembull i jashtëzakonshëm për ndërtimin e demokracisë multikulturore jo vetëm në rajon por edhe në Evropë. Pjesë kyçe e kësaj marrëveshjeje është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe identitetit të të gjitha bashkësive, pavarësisht nga numri i tyre apo përfaqësimi politik. Edhe atëherë edhe tani jam i bindur se ajo marrëveshje e re shoqërore na mundësoi të ruajmë shtetin dhe paqen dhe të ndërtojmë të ardhme të përbashkët.

Ndërkohë, shteti ynë në një kuptim pozitiv i përmbushi standardet e vendosura me Marrëveshjen Kornizë. Një shembull i tillë është Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, me të cilin zgjerohet përdorimi i gjuhëve të bashkësive joshumicë, por nuk dëmtohet as gjuha maqedonase dhe statusi i saj i gjuhës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Edhe përkrah sulmeve të vazhdueshme mbi këtë ligj, konsideroj se koha do ta vërtetojë arsyetimin e tij, njëlloj si sot kur nuk ka parti politike që e mohon Marrëveshjen Kornizë e cila është kontestuar në vitin 2001.

Megjithatë, koha e nacionalizmit në rritje nuk e anashkalon edhe shtetin tonë. Për fat të keq, gjithnjë dhe më shpesh jemi dëshmitarë të provokimeve nacionaliste që vijnë nga rrathë të caktuar politikë dhe fetarë, me qëllim të vetëm, nëpërmjet imponimit të pikëpamjeve të veta ta shkatërrojnë stabilitetin e shtetit dhe ta minojnë rendin demokratik. Një pjesë e mirë e këtyre sulmeve janë rezultat i fushatave propaganduese të qendrave të huaja ose e infiltrimit të tyre të drejtpërdrejtë dhe të mbështetjes së organizatave politike radikale. Ngjarja tragjike që ndodhi para pak kohe dhe që përfundoi me vrasje makabre të dyfishtë, në sipërfaqe e nxori faktin e lënë pas dore se një pjesë e këtyre strukturave radikale jo vetëm që janë aktive te ne por edhe se politika e tyre dhe gjuha e urrejtjes mund të rezultojnë me pasoja tragjike. Prandaj konsideroj se detyra e parë e të gjitha strukturave demokratike politike është përforcimi i rezistencës së institucioneve dhe lufta e vazhdueshme kundër ekstremistëve, pa kalkulime politike ditore.

Të nderuar,

Në fund më lejoni edhe njëherë ta shpreh kënaqësinë time për ftesën që të flas në hapjen e kësaj konference dhe t’ju uroj një diskutim të frytshëm dhe interesant.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Pendarovski: VMRO-DPMNE nuk ka ofertë thelbësore për qytetarët

Pendarovski: VMRO-DPMNE nuk ka ofertë thelbësore për qytetarët

VMRO-DPMNE në mungesë të ideve dhe të ofertës thelbësore për qytetarët vazhdon të përdorë zhargonin rrugor dhe frazat e konsumuara, duke u përpjekur që ta diskreditojë Presidentin Pendarovski dhe reputacionin e tij. Me komunikimin e tillë politik VMRO-DPMNE-ja nuk do...

Kabinet i hapur me fëmijët e Kopshtit të fëmijëve “8 Prilli” dhe nxënësit e shkollave nëntëvjeçare nga Shkupi “Dimitar Makedonski”, “Kiro Gligorov” dhe “Kuzman Josifovski Pitu”

Kabinet i hapur me fëmijët e Kopshtit të fëmijëve “8 Prilli” dhe nxënësit e shkollave nëntëvjeçare nga Shkupi “Dimitar Makedonski”, “Kiro Gligorov” dhe “Kuzman Josifovski Pitu”

Në suazat e aktivitetit “Kabinet i hapur”, sot Kabinetin e Presidentit e vizituan fëmijët e Kopshtit të fëmijëve “8 Prilli” nga Shuto Orizari, dhe nxënësit e shkollave nëntëvjeçare “Dimitar Makedonski” nga Aerodromi, “Kiro Gligorov” nga Qendra dhe “Kuzman Josifovski...