Fjalimi i Presidentit Pendarovski në kremtimin e festës shtetërore, 2 Gusht – Ilinden në Pelince

2 Gusht 2020 | Fjalimet

Të nderuar të pranishëm,

dy Gushti është një ngjarje e jashtëzakonshme që të rikujtojmë edhe rëndësinë bashkëkohore edhe atë historike të kauzës ilindenase. Ajo epope historike nuk është vetëm luftë kundër tiranisë. Ilindeni, edhe i Krushevës në vitin 1903 edhe i KAÇKM-së në vitin 1944, janë unikë nga karakteri i vet, ashtu siç është unik edhe shteti ynë dhe rruga e tij drejt pavarësisë nga viti 1991 deri më sot. Në epokën e romantizmave nacionalë dhe nacionalizmave, Ilindeni ishte dhe u bë simbol i vullnetit të shprehur pa kontestim për shtetin e vet, të themeluar mbi parimet republikane dhe demokratike dhe jetesës së lirë të të gjithë bashkësive etnike dhe fetare në të. Më shumë se një shekull pas Manifestit të Krushevës dhe 76 vjet më vonë pas Deklaratës së KAÇKM-së për të drejtat themelore të qytetarit të Maqedonisë Demokratike, nuk ndalemi së inspiruari nga veprimi i revolucionarëve të atëhershëm. Lufta e tyre për të drejtat e njeriut i bashkon në vetvete humanizmin, kozmopolitizmin dhe solidaritetin dhe e vendos si parim themelor dhe ind lidhësi shtetësisë maqedonase. Vizioni i tyre për bashkekzistencën ndërfetare dhe ndëretnike është realizuar sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut si atdhe i përbashkët i të gjithë qytetarëve, të bashkuar rreth parimeve të lirisë, të drejtave të njeriut, demokracisë dhe solidaritetit.

Këtë Ilinden po e festojmë në rrethana me të vërtetë të veçanta. E gjithë bota është përfshirë nga pandemia me virusin korona. Kjo fatkeqësi, jo vetëm që solli vuajtje të miliona njerëzve, po kërcënohet që ta ndryshojë tërësisht mënyrën tonë të jetesës. Liria e lëvizjes si fitim qytetar sot është më e vështirë të realizohet madje edhe sesa nga koha para fillimit të udhëtimeve të mëdha. Socializimi, si thelb i bashkësisë njerëzore, tani po konfrontohet me distancën sociale si paradigmë e “normalitetit të ri”. Dhe në fund, ftohja që solli kjo krizë, nga më të mëdhatë në historinë bashkëkohore, po e rrezikon seriozisht solidaritetin tonë të ndërsjellë. Solidaritet me ata të cilët e kaluan dhe për fat të keq po kalojnë nëpër ferrin e sëmundjes dhe solidaritet me ata që humbën vendet e punës dhe mbetën pa të ardhura për një jetë të denjë.

Kriza shëndetësore e cila prej kohësh kaloi në krizë ekonomike, politike dhe morale në botë do të jetë me ne edhe shumë muaj dhe do t’i kufizojë seriozisht zhvillimin dhe aspiratat tona për një jetë më të mirë. Prandaj do të duhet si shtet të gjejmë sa më shpejt mënyrën se si ta sigurojmë drejtësinë sociale dhe ta nxitim veprimtarinë dhe zhvillimin ekonomik pa u futur në vorbullën e huazimit financiar dhe zmadhimit të pakontrolluar të borxhit publik.

Në muajt e kaluar edhe përkrah pandemisë, shteti ynë realizoi një prej dy qëllimeve të veta më të rëndësishme strategjike, kurse ai është anëtarësimi në NATO. Pas viteve të gjata të vështirësive dhe bllokadave nëpër të cilat ishim të obliguar t’i kalojmë këtë vit u bëmë anëtari i 30 në organizatën më të fuqishme ushtarake-politike të përbërë nga shtet demokratike dhe me prosperitet. Bëhet fjalë për një proces me konsekuenca historike afatgjata të drejtuar kah përforcimit të shtetësisë sonë, të pozitës sonë ndërkombëtare dhe nuk është më pak e rëndësishme, të kohezionit tonë të brendshëm.

Në mars të këtij viti, Këshilli Evropian, më në fund mori vendim për fillimin e negociatave me shtetin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, 15 vjet pas marrjes së statusit të kandidatit. Por, ky vendim është vetëm fillimi i një procesi të gjatë ku duhet të transformohemi fondamentalisht dhe të largohemi përfundimisht nga praktikat e këqija politike. Metodologjia e re për negociatat mundëson integrim më të shpejtë, por vetëm për shtetet të cilat kanë vullnet të bëjnë reforma të vërteta dhe jo reforma kozmetike.

Të nderuar,

Të gjithë e kemi të qartë se përveç standardit jetësor, problemi ynë kryesor është se nuk jemi të gjithë të barabartë para ligjit. Administrata jofunksionale, korrupsioni i lartë dhe gjyqësori joefikas jo vetëm që janë pengesë për integrim të shpejtë në Bashkimin Evropian, por, shumë më e rëndësishme, ato janë pengesa kryesore që të bëjmë një jetë normale në një shtet të rregulluar, të denjë. Qytetarët tanë, me të drejtë, janë të dëshpëruar kur shohin se prokuroria që ishte simbol i të gjitha shpresave tona për pastrimin e krimit të organizuar, u shkatërrua si pasojë e asaj se edhe vetë u bë pjesë e krimit të organizuar.

Çdo keqpërdorim i funksionit, çdo denar i keqpërdorur nga financat publike, çdo tender i rregulluar, çdo zvarritje në procedurat gjyqësore me vite, çdo keqtrajtim i qytetarëve në procedurat administrative janë shkak më shumë për largim nga shteti i shumë të rinjve, për mbylljen apo transferimin e bizneseve në shtete të tjera dhe për zmadhimin enorm të zhgënjimeve dhe radikalizmit të qytetarëve.

Investimet e reja, inovacionet në biznes, vendet e punës të paguara mirë, zhvillimi i tërësishëm ekonomik dhe social, janë të mundshëm vetëm në sistem ku mbrohet pronësia, financat publike nuk keqpërdoren për qëllime personale, prosperojnë ata të cilët punojnë sipas rregullave, kurse dënohen atë të cilët i shkelin ligjet. Mënyra e vetme që të ndërtojmë një shoqëri të drejtë është zbatimi i të drejtës. Çdo politikë tjetër, sidomos ajo e cila bazohet në korrupsion dhe klientelizëm është e dëmshme për zhvillim tonë dhe do ta shkatërrojë perspektivën për një jetë të mirë për shumicën e qytetarëve tanë në llogari të një pakice të privilegjuar dhe të korruptuar.

Në këtë drejtim, tani kur zgjedhjet parlamentare përfunduan, pres sa më shpejt që të jetë e mundur të konstituohet Kuvendi i ri dhe qeveria e re. Qeveria e ardhshme nuk do ta ketë komoditetin të mos i parashtrohen çështje të vështira në njëqind ditët e para. Trendet aktuale me virusin nuk do të lejojnë kthim të tërësishëm të ekonomisë në funksionim, ndërsa problemet ekonomike sjellin gjithmonë paqëndrueshmëri dhe pakënaqësi qytetare. Shumë më herët para se t’i fillojmë negociatat me BE-në, do të duhet të fillojmë me patjetër me zbatimin praktik të reformave juridike urgjente dhe ta intensifikojmë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

Në fund, qeveria e re do të ketë edhe një detyrë tjetër të komplikuar, sidomos pas një fushate zgjedhore të tillë ku janë shqiptuar akuza të rënda dhe diskualifikime personale të cilat i thelluan edhe më shumë ndarjet midis qytetarëve.

Të nderuar,

Menjëherë pas zgjedhjes si Presidenti i Republikës thashë se një prej obligimeve të mia kryesore politike dhe morale është të punoj mbi pajtimin qytetar, i cili, neve, sot, jam i bindur, na nevojitet më shumë se kurrë më parë në historinë tonë si shtet i pavarur. Shpresoj dhe pres që ky premtimi im do të mbështetet edhe nga qeveria e re dhe nga opozita dhe së bashku me të gjithë qytetarët, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike dhe bindja politike, do të punojmë mbi realizimin e këtij qëllimi. Askush të mos ketë dilemë, në shtetin tonë, duhet të respektohet me patjetër përkatësia etnike dhe politike e cilitdo, pa përjashtim, megjithatë, partizimi dhe etnizimi i institucioneve e rrënojnë kapacitetin dhe legjitimitetin tonë demokratik edhe në afat të shkurtër edhe në afat të gjatë.

Pajtimi qytetar është kushti themelor për funksionimin e një shoqërie demokratike pluraliste, kurse demokracia është bazë për prosperitetin ekonomik. Kur do të mësojmë se politika është betejë idesh dhe jo luftë për jetë apo vdekje dhe se nga ndryshimi i pushtetit nuk duhet të varet realizimi i të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, atëherë do të kemi një shtet të vërtetë demokratik.

Për këtë çështje, dhe pas kaq vitesh, nuk e humbin rëndësinë fjalët e delegatit më të moshuar në Mbledhjen e Parë të KAÇKM-së. Duke folur për bashkimin e të gjitha fuqive prodemokratike pas të njëjtës kauzë, jo shumë larg prej këndej, në vitin 1944, Panko Brashnarov tha – në këtë moment, vendi i të ndjerëve tanë, heronjtë e shumtë popullorë, të cilët ranë dhe lanë kockat nëpër të gjithë Maqedoninë – e kanë më të lehtë dhe ata në paqe e shohin agimin e lirisë sonë, e shohin miqësinë e ilindensave të vjetër, të Goce Dellçevit dhe ilindenasve të sotëm.

Të nderuar të pranishëm,

Të gjithë ne, ilindenasit e sotëm e kemi për detyrë ta respektojmë këtë premtim të ilindesave të vjetër. Gjenerata jonë që jeton e privilegjuar në paqe dhe ka shtetin e vet, si dhe çdo gjeneratë para nesh, ka betejën e vet të cilën duhet ta fitojë nëse dëshiron të lërë diçka të vlefshme pas vetes, për ata të cilët do të vijnë pas nesh.

Beteja jonë është të sigurojmë jetë me dinjitet për secilin qytetarin tonë në atdheun e vet dhe jo jashtë tij. Që ta arrijmë këtë gjë, duhet të ketë me patjetër drejtësi dhe liri për këdo. Vetëm atëherë, do të mund të themi se jemi trashëgimtarë të denjë të të parëve tanë.

Qoftë i përjetshëm Ilindeni!
E paçim të përjetshme Republikën!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...