Fjalimi i Presidentit Pendarovski në mbylljen e edicionit të 11-të të samitit të “Maqedonia 2025”

19 Maj 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në mbylljen e edicionit të 11-të të samitit të organizatës “Maqedonia 2025″, në të cilin, këtë vit, në fokus ishin transformimi i përshpejtuar digjital, bashkëpunimi rajonal dhe inovacionet.

Presidenti Pendarovski në fjalim theksoi se gjendjet ekonomike tashmë nuk ndryshojnë nga viti në vit, por nga dita në ditë, madje edhe nga ora në orë dhe shteti e ka për detyrë ta ndihmojë ekonominë që ta tejkalojë këtë periudhë. Ai nënvizoi se nëse duam zhvillim të qëndrueshëm do të duhet ta ripërpilojmë modelin e zhvillimit ekonomik dhe tha se Korniza për zhvillim MKD2030 është platformë për vizionin afatgjatë të zhvillimit dhe të ardhmes së Maqedonisë së Veriut, dokument strategjik i cili do të  promovohet zyrtarisht muajin e ardhshëm paralajmëroi Presidenti.

Presidenti foli mbi prioritetet e MKD2030 midis të cilave janë përshpejtimi i rritjes ekonomike me minimum 5% në vit, nëpërmjet transformimit të ekonomisë, mbrojtja më e lartë e mjedisit jetësor dhe ripërcaktimi i politikës maqedonase për energjetikën, fokusimi në infrastrukturën digjitale dhe përshpejtimi i transformimit digjital të shtetit dhe të shoqërisë, si dhe ndryshime serioze sistematike për krijim të arsimit gjithëpërfshirës, cilësor dhe digjital, të përshtatur me trendet bashkëkohore botërore dhe me tregun e punës.

” Besoj se nëse i plotësojmë këto prioritete, ne jo vetëm që do ta tejkalojmë këtë periudhë turbulente me shumë pak humbje por edhe do të arrijmë të krijojmë kushte për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm”, rekomandoi Presidenti Pendarovski.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski. 

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Miq të dashur, 

Kam nderin të mbaj fjalim në Samitin e sotshëm të “Maqedonia 2025”. Si edhe deri më tani, qëllimi i Samitit është të na ofrojë vizion të freskët mbi përparimin dhe prosperitetin e atdheut tonë të përbashkët. Këtë vit vizioni i tillë është më së i nevojshëm.

Para ca kohe mora pjesë në Konferencën e sigurisë të Munihut. Një nga përfundimet e kësaj konference ishte se shumë shtete po ballafaqohen me dukurinë e pafuqisë kolektive për shkak të krizave të shumta dhe të ndërlidhura që përforcohen ndërmjet tyre. Shprehja “pafuqia kolektive” është huazuar nga psikologjia dhe përdoret që ta përshkruajë gjendjen në të cilën subjektet nuk besojnë më se mund të ndryshojnë diçka dhe thjeshtë janë pajtuar me fatin. Qëndrimi i tillë çon në apati, mosinteresim dhe fatalizëm. Ky fenomen shqetësues ndodh për shkak të perceptimit gjithnjë dhe më të përhapur se shtetet dhe shoqëritë nuk mund të ballafaqohen me sfidat e shumta, nga pandemia dhe kriza ekonomike, nëpërmjet ndryshimeve klimatike dhe migrimeve, dhe deri në tensionet dhe përplasjet gjeopolitike dhe gjeoekonomike.

Sipas hulumtimit më të ri të Forumit ekonomik botëror kushtuar rreziqeve globale, vetëm 16% e të anketuarve janë optimistë për të ardhmen e botës, dhe mezi 11% besojnë se bota do të rimëkëmbet shpejt nga këto kriza. Pjesa më e madhe presin që tri vitet e ardhshme të jenë nën tension dhe të pasigurta, me fitues relativisht të pakët në numër dhe me shumë humbës. Prognozohet se borxhi i lartë publik dhe përplasjet gjeoekonomike do të shkaktojnë kriza të cilat do t’i karakterizojnë dhjetë vitet e ardhshme.

Megjithatë, rreziku më i madh për shoqëritë nuk janë vetë krizat por edhe qëndrimi ndaj tyre. Ballafaqohemi me dilemën: A do të kërkojmë zgjidhje kreative, apo nëpërmjet linjës së rezistencës më të vogël do të lëshohemi në vorbullën e krizës. Në këto kohë të paparashikueshme, suksesi i ekonomisë maqedonase do të varet jo vetëm nga faktorët e jashtëm mbi të cilët nuk mund të ndikojmë, por para së gjithash nga përkushtimi ndaj reformave të brendshme. Rezistenca ndaj krizave nuk është vetëm materiale por edhe mentale. Nëse duam që pafuqinë kolektive ta zëvendësojmë me shpresën kolektive ne duhet të  përdorim një resurs kyç, kurse ai është vullneti.

Dhe prandaj jemi mbledhur këtu. Organizata “Maqedonia 2025” është formuar në prag të krizës financiare globale të vitit 2008. Nga themelimi i saj dhe deri më sot “Maqedonia 2025” ia ka dalë ta ndihmojë sektorin maqedonas të biznesit që të tejkalojë disa kriza shtetërore dhe globale, të iniciojë gjenerata të reja të liderëve në biznes në vend dhe jashtë vendit për zhvillim të bizneseve dhe brendeve të tyre, të tërheqë shumë investitorë të huaj, si dhe ta mbështesë shpresën se mund ta ndryshojmë realitetin, pavarësisht nga rrethanat.

Pikërisht me bindjen e tillë, në fillim të mandatit tim presidencial në vitin 2019 e iniciova Kornizën për zhvillim MKD2030 si një platformë e përbashkët për vizionin afatgjatë mbi zhvillimin dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Qëllimi ishte të ndërtohet konsensus mbipartiak, nacional në lidhje me prioritetet e domosdoshme për zhvillim të përshpejtuar, përparim dhe jetë më të mirë për qytetarët. Projektin e filluam në kushte shumë të volitshme sesa këto të sotmet, para fillimit të pandemisë, në kohën kur u përmbyll integrimi ynë në NATO dhe kur perspektiva evropiane ishte shumë më afër.

Sot, bota duket dramatikisht më ndryshe sesa para tre vjetësh. Pandemia shkaktoi recesion global, krizë energjetike dhe tronditje çmimesh në tregjet globale. Në vitin 2024 ekonomia globale do të jetë të paktën 2.3% më e vogël sesa ka qenë para pandemisë. Invazioni rus në Ukrainë shkaktoi edhe dilemën energjetike evropiane, krizën ushqimore dhe ngadalësimin serioz të rimëkëmbjes postpandemike. Pritet borxhi publik, inflacioni dhe çmimet e prodhimeve të vazhdojnë të rriten. Paralelisht me këtë, po ballafaqohemi me bllokadë në integrimin evropian dhe shpërnguljen e të rinjve.

Të formohet korniza strategjike për zhvillim në kushte të krizave të paparashikueshme, tronditjeve gjeopolitike dhe gjeoekonomike është sfidë e madhe. Kjo është si të luajmë ndeshje ndërkohë që ndryshon edhe terreni, edhe lojtarët, madje edhe rregullat e lojës. Por një fjala jonë e urtë thotë “çdo e keqe e ka një të mirë”. Besoj se është mirë që MKD2030 po e përgatisim në kulmin e krizave sepse në këtë mënyrë kornizën zhvillimor e kalibrojmë duke pasur parasysh skenarët më të zinj dhe prognozat më pesimiste. Krizat e mëdha i kanë gjykuar shumë strategji dhe plane. Sa më shumë që është një vizion i vendosur mbi realitetin, aq më me sukses mund ta ndryshojë realitetin. Pres që MKD2030 të jetë pikërisht një kornizë e tillë.

Edhe pse ky dokument strategjik zyrtarisht do të promovohet muajin e ardhshëm, me këtë rast do të dëshiroja, vetëm shkurtimisht, me ju të shkëmbej dy-tri fjalë për katër prioritetet e tij zhvillimore.

Prioriteti i parë është zhvillimi i përforcuar ekonomik, i cili është parakusht për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për përmirësimin e standardit jetësor. Na nevojitet përshpejtim i rritjes ekonomike prej minimum 5% në vit. Duhet ta zmadhojmë me patjetër produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë nacionale nëpërmjet transformimit strukturor të ekonomisë. Këtu, përparësi duhet t’u jepet sektorëve që prodhojnë vlerë më të lartë të shtuar dhe të ndihmohen kompanitë maqedonase që të përfshihen në zinxhirët e vlerës së shtuar dhe zinxhirët e furnizimeve. Do të duhet t’i nxitim inovacionet dhe të vendosim zgjidhje të reja teknologjike në veprimtaritë prodhuese dhe shërbyese. Do të duhet të nxitim investime të reja, ta zvogëlojmë ekonominë e zezë dhe të sigurojmë një treg pune fleksibël dhe dinamik.

Në prioritetin e dytë është mbrojtja më e lartë e mjedisit jetësor dhe ripërcaktimi i politikës maqedonase mbi energjetikën me qëllim që t’u përgjigjet më mirë kërkesave të brendshme dhe tronditjeve të jashtme.

I treti, digjitalizimi, që e përcakton thelbësisht të ardhmen e çdo shteti. Rreziku më i madh në epokën digjitale është të mbetesh jashtë rrjedhave kryesore zhvillimore. Që të sigurojmë zhvillim të shpejtë dhe afatgjatë dhe të ardhme me prosperitet, ne duhet të fokusohemi në infrastrukturën digjitale dhe ta përshpejtojmë transformimin digjital të shtetit dhe të shoqërisë. Të ndërtojmë ekonomi digjitale dhe të investojmë në zhvillimin e sektorit TI maqedonas, në kërkime dhe inovacione. Duhet ta mbyllim hendekun e shkathtësive digjitale dhe arsimit digjital, që të mund të përparojnë sa më shumë njerëz dhe kompani dhe të zhvillojnë brende digjitale.

Prioriteti i katërt është arsimi dhe zhvillimi inkluziv, si thelb i të gjitha segmenteve të zhvillimit. Për shkak të mangësive në sistemin e tanishëm arsimor të rinjtë përfshihen më vështirë në tregun e punë prandaj largohen nga vendi. Si rrjedhim, janë të domosdoshme ndryshime serioze sistematike që të krijojmë arsim gjithëpërfshirës, cilësor dhe digjital, të përshtatur me trendet bashkëkohore botërore dhe me tregun e punës. Duhet të investojmë në çdo etapë të arsimit, ta përforcojmë relacionin midis institucioneve arsimore dhe kompanive, ta ngremë shkrim-leximin funksional dhe përgatitjen e të rinjve për zhvillim karriere. Kështu do ta zmadhojmë punësimin, do ta zvogëlojmë varfërinë dhe përjashtimin social dhe do të ndërtojmë shoqëri inkluzive për të rinjtë, por edhe për të gjitha kategoritë vulnerabile të qytetarëve.

Të nderuar të pranishëm,

Jam i bindur se gjendjet ekonomike tashmë nuk ndryshojnë nga viti në vit, por nga dita në ditë, madje edhe nga ora në orë. Shumë nga biznesmenët dhe menaxherët tanë duhet të marrin vendime të vështira. Si të sigurojnë energjensë, ku të furnizohen me lëndë të parë, si ta mbajnë prodhimtarinë, si ta ruajnë konkurrencën në treg, kurse ta mbajnë gjithashtu edhe numrin e të punësuarve.  Këto janë vendime të vështira. Shteti e ka për detyrë ta ndihmojë ekonominë që ta tejkalojë këtë periudhë. Nga kjo perspektivë kohore, 2030 ndoshta duket larg.

Por, nëse duam zhvillim të qëndrueshëm, ne duhet ta rikrijojmë modelin e zhvillimit ekonomik. Qëllimi ynë, ambicia jonë nuk është vetëm të mbijetojmë, por edhe të zhvillohemi dhe të përparojmë. MKD2030 do të na ndihmojë ta arrijmë pikërisht këtë. Ndoshta në afat të shkurtër disa nga këto politika do të jenë të dhimbshme, por në një periudhë afatgjate janë të domosdoshme. E di që shumë kompani ballafaqohen me dilemën midis urgjencës dhe të rëndësishmes. Por, korniza strategjike për zhvillim MKD2030 është njëkohësisht urgjente dhe e rëndësishme. Katër prioritetet e komplikuara dhe të ndërlidhura janë kyçe për përparimin tonë deri në vitin 2030 dhe pas tij. Këto janë konstantet tona në një rrethim të ndryshueshëm dhe të paparashikueshëm.

Besoj se nëse i plotësojmë këto prioritete, ne jo vetëm që do ta tejkalojmë këtë periudhë turbulente me shumë pak humbje por edhe do të arrijmë të krijojmë kushte për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm. Besoj se “Maqedonia 2025” së bashku me institucionet shtetërore, me sektorin qytetar, bashkësinë akademike dhe të biznesit, janë pjesë vitale e kësaj vepre për krijim të shpresës kolektive për të ardhme me prosperitet të Maqedonisë së Veriut. Nëpërmjet MKD2030 ne refuzojmë të pajtohemi me fatin dhe përzgjedhim të ndryshojmë realitetin, të krijojmë të ardhme më të mirë për të rinjtë tanë, për qytetarët maqedonas, këtu, në atdheun tonë të përbashkët.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...