Fjalimi i Presidentit Pendarovski në mbylljen e edicionit të 44-t të festivalit “Vëllezërit Manaki”

30 Shtator 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski mori pjesë dhe mbajti fjalim në mbylljen e edicionit të 44-t të festivalit internacional të kamerës filmike “Vëllezërit Milladinovci” në Manastir.

Në fjalimin e vet, Presidenti Pendarovski i cili është mbështetës i këtij manifestimi të rëndësishëm, tha se e gëzon fakti që arti filmik, si dhe arti në përgjithësi, arrin gjithmonë të mbijetojë, madje edhe në kushtet më sfiduese, ai i sfidon të gjitha kontekstet ekonomike dhe shoqërore të cilat nuk janë shumë të këndshme për shprehje kreative.

Duke theksuar se festivali i sivjetshëm në shtatë ditët e kaluara ofroi një program të jashtëzakonshëm dhe Manastirin e shndërroi në hapësirë ​​për takime dhe dialog me emrat më të mirë të filmit dhe kinematografisë, Presidenti Pendarovski e përgëzoi të gjithë ekipin për këtë sukses, duke uruar që ky festival të rritet në një trashëgimi të vërtetë kulturore bashkëkohore ndërkombëtare.

Presidenti ia dha çmimin special “Kamera 300” kinematografit Shejmos Mek Garvi.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar miq, të ftuar, laureatë, të përkushtuar të artit filmik,  

Më gëzon fakti që arti filmik, ashtu si arti në përgjithësi, arrin të mbijetojë gjithmonë, edhe në kushtet më sfiduese. Ai i sfidon gjithmonë të gjitha kontekstet ekonomike dhe sociale që nuk janë shumë të këndshme për shprehje krijuese. Pikërisht për këtë gjë, në ditën e fundit të edicionit të sivjetmë të festivalit më të vjetër të kamerës filmike në botë “Vëllezërit Manaki”, dëshiroj të përgëzoj organizatorët për këmbënguljen e tyre, kurse laureatët për të gjitha sukseset e tyre të deritanishme dhe të ardhshme.

Ekzistojnë teza dhe interpretime të ndryshme se çfarë do të thotë lëvizje apo art, në diskurset dhe dinamikat shoqërore dhe politike. Por një gjë është e qartë se lëvizja në hapësirë, siç theksohet nga filozofët e lashtë dhe teoricienët modernë, por, mbi të gjitha, kinematografët dhe të gjithë ata që i përkushtohen artit të kinemasë, nuk është vetëm një realitet fizik, por një kategori e thellë psikike, intelektuale, emocionale, etike dhe estetike që zbulon të panjohurën ose atë që nuk duhet thjesht të njihet. Prandaj edhe tema “E panjohura e mrekullueshme”, të cilën e kanë përcaktuar redaktorët programorë të festivalit të sivjetmë, është më se e saktë.

Të përshtatësh lëvizjet në diversitetin e tyre, dhe kështu të zbulosh të gjitha hijet e jetës dhe të njerëzimit që kryqëzohen, mbivendosen dhe shpesh ndryshojnë, është një aftësi që e bën filmin një degë unike të artit.

Konfliktet e jashtme dhe të brendshme, situatat, hidhërimet dhe gëzimet që dimë t’i heshtim apo t’i fshehim në jetën e përditshme, nëpërmjet filmit dhe mbi të gjitha, me syrin e kinematografisë, zbulohen dhe konfrontohen si tundim me të cilin nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ballafaqohemi.

Filmi ndonjëherë na shtyn të kemi një shikim të ri ndaj problemit – lirik ose epik, ndonjëherë në perspektivën historike, ndonjëherë në perspektivën futuriste, ndonjëherë intime dhe personale, por gjithmonë lloj përvoje që kërkon guxim ultimativ dhe refleksion kritik.

Është mbresëlënëse, që për një periudhë relativisht të shkurtër nga shfaqja dhe deri më sot, industria e filmit, edhe përkrah të gjitha konsekuencave politike dhe ekonomike me të cilat ballafaqohet në zhvillimin e vet të shpejtë, u vendos si art ultimativ i cili botës i ofron shumë opsione për riedukim të saj, zhvillim dhe eventualisht marrje të një drejtimi më të mirë.

Filmi, kujtdo, edhe ekspertëve edhe ne, laikëve që ndonjëherë duam të gjendemi në figurat dhe narracionet e tij të lëvizshme, na lejojnë një lëvizje dhe kalim nga iluzioni filmik në realitetin tonë jetësor, ku shpesh herë qëndrojmë në vend, në vend që të lëvizim siç lëvizin figurat filmike.

Të nderuar,

Regjizori danez, Lars fon Trier, thotë: “Filmi duhet të jetë si guri në këpucë – të shkaktojë shqetësim, madje dhe dhimbje, kurse në të njëjtën kohë t’ju bëjë të vetëdijshëm se gjërat nuk janë ashtu siç dëshironi, siç i imagjinoni, ashtu siç prisni dhe planifikoni, por janë të paparashikueshme, shpesh të pakëndshme dhe kërkojnë kontributin tuaj për t’i zgjidhur dhe ndrequr.”

Bota në të cikën jetojmë këto ditë nuk është, në shumë baza, një vend i këndshëm. Si rrjedhim, me të drejtë, ndihet zemërimi, inati, pakënaqësia. Por siç thotë i madhi Bergman: “Një film i mirë përmban gjithmonë kreativitet dhe zemërim. Prandaj, kultivojeni zemërimin tuaj krijues dhe konfrontojuni në mënyrë kreative me botën”.

Festivali i sivjetshëm në shtatë ditët e kaluara ofroi një program të jashtëzakonshëm dhe Manastirin e shndërroi në hapësirë ​​për takime dhe dialog me emrat më të mirë të filmit dhe kinematografisë. Për këtë sukses, dua të përgëzoj të gjithë ekipin dhe të uroj që ky festival të rritet në një trashëgimi të vërtetë kulturore bashkëkohore ndërkombëtare.

Ju faleminderit.

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit