Fjalimi i Presidentit Pendarovski në panelin “Të drejtat e njeriut në perspektivat arsimore” të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik

15 Dhjetor 2022 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në diskutimin në panelin e titulluar “Të drejtat e njeriut në perspektivat arsimore”, që u organizua nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup.

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar profesorë dhe studentë,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të jem sot me ju. E falënderoj udhëheqjen e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup për ftesën që të mbaj fjalim në këtë eveniment kushtuar arsimit inkluziv.

Më 10 dhjetor e shënuam Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe rikujtuam miratimin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut në vitin 1948. Autorët e saj arritën ta përmbledhin synimin e shumë brezave për njohjen e dinjitetit të lindur njerëzor dhe të drejtave dhe lirive të barabarta dhe të patjetërsueshme.

Një nga ato të drejta fondamentale është edhe e drejta e arsimimit për zhvillim të gjithanshëm të personalitetit. Nëse Deklarata Universale është në kuptimin simbolik – shtëpia e të drejtave të njeriut, atëherë e drejta e arsimimit është çelësi që e hap derën ose kodi që është i domosdoshëm për kuptimin dhe gëzimin e të gjitha të drejtave dhe lirive të tjera. Pa arsimin përkatës shumë të drejta do të jenë vetëm deklarative. Jo rastësisht, arsimi është fusha në të cilën janë bërë, po edhe ende po bëhen, disa nga betejat më të rëndësishme për të drejtat e njeriut.

Sot, arsimi te ne, por edhe në shumë shtete të tjera, po ballafaqohet me më shumë sfida, prej të cilave sot, në këtë rast do të desha të veçoj dy.

Sfida e parë është diskriminimi. Edhe pse është miratuar, e drejta e arsimimit nuk është zbatuar kudo dhe menjëherë. Gjatë viteve, janë hequr gradualisht pabarazitë dhe stereotipat e akumuluar, duke filluar nga ato racore, nacionale, sociale, kulturore, statusore dhe deri tek ato politike, gjinore dhe të brezave. Diskriminimi në arsim është një nga më shkatërruesit, sepse e minon dinjitetin njerëzor dhe e kthen pas zhvillimin e personalitetit njerëzor, kurse viktimat më të shpeshta janë fëmijët dhe të rinjtë

Dje, më 14 dhjetor, u mbushën 62 vjet nga miratimi i Konventës kundër Diskriminimit në Arsim. Si një nga instrumentet më të vjetra juridike-obligatore ndërkombëtare të UNESKO-s, kjo Konventë e ndalon diskriminimin në bazë të racës, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, gjuhës, fesë, bindjes politike apo ndonjë bindjeje tjetër, prejardhjes nacionale ose sociale, gjendjes ekonomike apo lindjes. Edhe pse kjo Konventë kontribuoi për përparim të rëndësishëm, megjithatë, ekzistojnë ende forma të reja dhe të vjetra të diskriminimit në arsim.

Raporti i fundit mbi të drejtat njerëzore i UNDP-së vërtetoi se po zgjerohet humnera e pabarazisë në shtete, duke përfshirë edhe humnerën në arsimin digjital. Çmimin më të lartë e paguajnë më të varfrit të cilët janë më të lëndueshëm në kohë krizash. Dihet se, për shembull, pandemia i pengoi ata nxënës dhe studentë të cilët nuk kishin qasje tek interneti i shpejtë ose te kompjuteri përkatës që ta ndjekin mësimin onlajn.

Por, përveç formave të reja kemi edhe forma të vjetra të diskriminimit, siç janë stereotipat dhe paragjykimet që shkaktojnë margjinalizim dhe dhunë midis moshatarëve. Në shkurt të këtij viti, opinioni maqedonas mësoi për rastin me vogëlushen 11-vjeçare nga Gostivari e cila për shkak të Sindromit Daun është margjinalizuar në procesin arsimor. Muajin e kaluar, u takova me familjen e nxënësit nga një shkollë fillore në Gradsko, i cili gjatë dy viteve të fundit ka qenë vazhdimisht nën dhunë nga bashkëmoshatarët. Këto janë vetëm dy raste, për fat të keq, nga rastet e shumta që lënë trauma në jetën e nxënësve dhe të familjeve të tyre. Këto dy raste dëshmojnë se mund të diskriminohen në mënyrë të barabartë edhe fëmijët me zhvillim tipik, por edhe ata me zhvillim atipik.

Inkluzioni në arsim nuk është vetëm obligim formal-juridik, ai është edhe obligimi ynë moral. Shteti duhet ta ndërpresë spiralen e dhunës në bashkëpunim me kuadrin arsimor dhe familjen. Gjatë kësaj, secili duhet të jetë i vetëdijshëm mbi pasojat e veprimeve të veta. Kurse pikërisht ky është funksioni i arsimit, por edhe i edukimit, t’i ndihmojë të rinjtë të bëhen anëtarë të përgjegjshëm të bashkësisë.

Arsimi inkluziv është shumë më tepër sesa mundësi për përfshirje fizike në çdo segment të shoqërisë. Kjo nënkupton edhe promovim të vlerave inkluzive. Nuk mjaftojnë vetëm të ketë rampa në dispozicion për hyrje në shkollë dhe në universitete për nxënësit dhe studentët me aftësi të kufizuar fizike, nëse ata, nga pragu e mandej nuk ndjehen të mirëseardhur dhe të pranuar.

Të nderuar të pranishëm,

Sfida e dytë e madhe me të cilën ballafaqohet arsimi në Maqedoninë e Veriut është demotivimi. Problemi me demotivimin na kthen në thelbin e arsimit. Cili është funksioni i tij? Ku është pozicionuar arsimi në shoqëri dhe në shtet? Sa investohet në të? A është përshtatur arsimi me nevojat reale të tregut të punës apo jo?

Vështrimi i shkurtër mbi ngjarjet zbulon se kemi investime të ulëta në arsim dhe perceptim të shpërhapur se është e vështirë të përparohet në bazë të cilësive personale. Si rrjedhim janë edhe rezultatet e këqija dhe renditja e ulët në testimet ndërkombëtare për nxënësit dhe studentët. Kur të rinjtë nuk janë të bindur se arsimi do t’i ndihmojë të përparojnë dhe të kenë sukses, atëherë kërkojnë korridore alternative.

Për dallim nga fuqia dhe paratë që zvogëlohen kur ndahen, tek arsimi nuk vlen e njëjta logjikë. Askush nuk ka humbur njohuritë nëse i ka shkëmbyer me të tjerët. Nga revolucioni shkencor në Evropë në shekullit të 16-të dhe të 17-të, si dhe deri te revolucioni digjital në fund të shekullit të 20-të dhe fillimit të këtij shekulli, shkëmbimi sa më i madh i njohurive ka çuar ë fitimet e mëdha në shkencë dhe në përmirësimin e jetës së njerëzve.

Dinjiteti i barabartë njerëzor në shoqëri nuk arrihet nëpërmjet shpërndarjes së barabartë të pasurisë apo të fuqisë, por nëpërmjet qasjes dhe mundësisë së barabartë për arsim cilësor. Shumë më tepër se pasuria dhe fuqia, pikërisht arsimi është çelësi i dinjitetit njerëzor.

Që ta zgjidhim problemin me demotivimin, është e domosdoshme që arsimi ta marrë trajtimin e vërtetë në shoqëri. Nevojiten angazhime sistematike që të kemi arsim gjithëpërfshirës, cilësor dhe digjital, të përshtatur me trendet bashkëkohore botërore dhe me tregun e punës. Duhet të investojmë shumë më shumë në çdo etapë të arsimit, ta përforcojmë lidhjen midis institucioneve arsimore dhe kompanive, ta ngremë alfabetizimin funksional dhe përgatitjen e të rinjve për zhvillim në karrierë.

Arsimi bashkëkohor, cilësor dhe inkluziv duhet të jetë kanal për mobilitet social, që do t’i ndihmojë të rinjtë të kenë jetë cilësore dhe më të këndshme se ajo e prindërve të tyre.

Por, të mos harrojmë se nëpërmjet arsimit nuk marrin vetën shkathtësitë e nevojshme për tregun e punës por edhe pikëpamje që duhet të na ndihmojë të orientohemi në jetë. Arsimi inkluziv dhe cilësor është parakusht për shkëmbim të lirë të ideve dhe njohurive që e bëjnë jetën më të vlefshme për ta jetuar.

Ju faleminderit!

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....