Fjalimi i Presidentit Pendarovski në Samitin vjetor të Parlamentit Global të Kryetarëve të Komunave

18 Nëntor 2023 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski mbajti fjalim në Samitin vjetor të Parlamentit Global të Kryetarëve të Komunave që mbahet në Shkup nga 17-19 nëntor, kurse nikoqir është kryetarja e komunës së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Samiti i sivjetshëm titullohet “Qytete të fuqishme, inkluzive dhe të kujdesshme: Sigurimi i demokracisë dhe zhvillimit me brezat që vijnë” dhe në të marrin pjesë mbi qindra kryetarë komunash, si edhe një numër i madh përfaqësuesish të organizatave ndërkombëtare.

Pjesëmarrësit në këtë samit nëpërmjet debate të strukturuara plenare kanë mundësi të diskutojnë mbi temat lidhur me çështjet urgjente globale në qytetet, si dhe tema nga shumë fusha ku do të mund të zbatohen përvojat e  tyre pozitive dhe mundësitë e liderëve të qytetit.

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin e madh të mbaj fjalim në Samitin e Parlamentit Global të Kryetarëve të Komunave, që këtë vit mbahet në kryeqytetin maqedonas – Shkupin.

Nëse shëtitët këto ditë nëpër Shkup, me siguri shumë prej jush hasët rrugë, spitale, kopshte, shkolla dhe ndërtesa të tjera publike që i mbajnë emrat e qyteteve ose shteteve tuaja dhe të qytetarëve të tyre më të famshëm. Kjo nuk është rastësisht.

Para 60 vjetësh, tërmeti katastrofik pothuajse e rrafshoi Shkupin me tokën. Shkupi nuk është as qyteti i parë, kurse për fat të keq as i fundit i goditur nga katastrofa. Por, për herë të parë në histori, rindërtimi i një qyteti të shkatërruar u ngrit në një solidaritet ndërkombëtar pa precedent.

Kombet e bashkuara e koordinuan ndihmën e mbi 80 qyteteve dhe e koordinuan konkursin ndërkombëtar për një plan të ri për qytetin. Për herë të parë është krijuar ekip ndërkombëtar prej arkitektësh dhe planifikues të shquar, me reputacion ndërkombëtar, të cilët ofruan vizion për Shkupin si qyteti i të ardhmes. Lirisht mund të thuhet se Shkupi është ndërtuar nga solidariteti i shumë qyteteve në botë. Dhe në kuptim, Shkupi është edhe qyteti juaj.

Për fat të keq, 60 vjet më vonë, vizioni për Shkupin si qytet i të ardhmes shihet gjithnjë e më shumë si një qëllim i paarritshëm. Centralizimi prej shumë dekadash i shërbimeve dhe zhvillimi i pabarabartë në shtet e përshpejtuan migrimin drejt Shkupit dhe shkaktuan mbipopullim. Si dhe shumë qytete në botë, edhe Shkupi, për fat të keq, u ballafaqua me një urbanizim të shpejtë dhe të paplanifikuar, betonizim agresiv, uzurpim të hapësirës publike dhe zvogëlim të sipërfaqeve të gjelbra. Urbanizimi rapid e zmadhoi pabarazinë sociale, midis lagjeve elite dhe ishujve të margjinalizuar të varfërisë që ekzistojnë në të njëjtin qytet.

Pyetja me të cilën ballafaqohemi është: si të rindërtohet besimi midis vetë qytetarëve që jetojnë në qytet, nga njëra anë, dhe midis qytetarëve dhe qytetit të tyre nga ana tjetër?

Të nderuar të pranishëm,

Kjo pyetje është e vjetër sa dhe vetë qytetet. Si forma më e vjetër e organizimit dhe e rregullimit, qyteti duhej t’i përgjigjej pyetjes themelore: si njerëzit që nuk janë pjesë e të njëjtës familje, gjinie apo klani të besojnë dhe të bashkëpunojnë midis tyre?

Përgjigja është se besimi në një rast të tillë ndërtohet rreth të mirës së përgjithshme dhe interesit publik. Edhe sot e kësaj dite, interesi publik është indi lidhës i çdo bashkësie më të madhe njerëzore, nga metropolet dhe deri te megaqytetet me dhjetëra miliona banorë.

Harmonizimi i nevojave dhe interesave të ndryshme të mijërave, madje dhe milionave banorë është matësi i vërtetë i suksesit të pushtetit lokal. Kjo arrihet më mirë nëpërmjet kthimit të të mirës së përgjithshme dhe interesit publik në vetëdijen e qytetarëve dhe në jetën e qytetit. Kuptohet, kjo vlen edhe për Shkupin.

Lajmi i mirë është se përqendrimi i njerëzve dhe institucioneve, përveç se arsye për probleme mund të jetë edhe bazë për zgjidhjen e tyre. Këtu në një vend i kemi edhe elementet për sukës – njerëzit, dijen dhe kapitalin. Përveç se qendër politike, Shkupi është edhe qendër arsimore, ekonomike, investuese dhe inovatuese. 60% e institucioneve arsimore maqedonase janë në qytet. Rreth Shkupit gravitojnë tri zonat më të përparuara teknologjike-industriale zhvillimore në vend.

Shkupi është edhe hab i bashkësisë maqedonase startap që mund të ofrojë zgjidhje inovative për qytetin që të bëhet më i qëndrueshëm, më efektiv dhe më rezistent ndaj rreziqeve. Nëse u përgjigjet si duhet nevojave të brezit të ri digjital, Shkupi ka potencial të bëhet magnet i nomadëve digjitalë.

Në fushën e kohezionit shoqëror, Shkup, përsëri, mund të lëvdohet me shumëllojshmërinë etnike, fetare dhe gjuhësore si vlera më e madhe e shoqërisë maqedonase. Në fushën e kulturës, na është dhënë një mundësi unike t’i ndryshojmë gjërat për më mirë. Shkupi është zgjedhur si qyteti evropian i kulturës për vitin 2028.

Kjo është një sfidë enorme që nuk duhet të reduktohet vetëm në ndryshimin e fasadës së qytetit dhe as vetëm në promovimin e trashëgimisë së lashtë kulturore, por të mundësojë që të gjitha shtresat kulturore të këtij udhëkryqi dikur të rëndësishëm qytetërues të dalin në pah. Nëpërmjet partneritetit privat-publik, Qyteti i Shkupit mund të lëshojë hapësira publike për skenën e pavarur kulturore duke dëshmuar kështu kujdes për kulturën e gjallë bashkëkohore dhe do të kontribuojë në zhvillimin dhe kultivimin e shprehive kulturore të qytetarëve.

Çelësi për këtë është demokracia participuese dhe e drejtpërdrejtë ku në vend të mbikëqyrësit pasiv, qytetari do të jetë pjesëmarrës aktiv. Qytetarët kanë të drejtë të dinë ku shpenzohen paratë nga tatimet e tyre, por kanë edhe obligim të marrin pjesë në krijimin e politikave dhe marrjen e vendimeve. Kurse kjo arrihet me aktivizëm, me ndërtim të vetëdijes publike dhe mentalitetit urban, me kujdesin për interesin publik.

Kuptohet, që të funksionojë pushteti lokal, është i domosdoshëm edhe decentralizimi fiskal real i ndjekur nga puna transparente e pushtetit dhe administratës lokale.

Të dashur miq,

E dimë rrugën drejt suksesit, posedojmë edhe një pjesë të mekanizmave të nevojshëm. Është e rëndësishme si të arrijmë sinergji midis sektorëve të ndryshëm që do ta transformojnë Shkupin në qytet me zhvillim të zgjuar, të qëndrueshëm dhe të drejtë urban. Parlamenti Global i Kryetarëve të Komunave dhe organizatave të ngjashme të qyteteve mund ta ndihmojnë pushtetin tonë lokal me këshilla për politika dhe praktika të mira.

Besoj se ky Samit dhe në përgjithësi puna e Parlamentit Global të Kryetarëve të Komunave mund të kontribuojë të gjitha qytetet tona, duke përfshirë edhe Shkupin, të bëhen vende më të mira për të jetuar.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit