Fjalimi i Presidentit Pendarovski

12 Qershor 2020 | Fjalimet

Të nderuar,

Më 30 maj të këtij viti mora Vendim për shpalljen e gjendjes së re të jashtëzakonshme në afat prej 14 ditësh. Gjendja e jashtëzakonshme përfundon nesër, më 13 qershor, në mesnatë. Të gjitha gjendjet e jashtëzakonshme, deri më tani, i kam shpallur me kërkesë të Qeverisë, me argumentimin e saj pse është e nevojshme që të vendosen. Dhe për të gjitha vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme është mbajtur mbledhje e Këshillit të Sigurimit ku kryeministri dhe ministrat e resorit i kanë shpjeguar shkaqet për nevojën e gjendjes së jashtëzakonshme. Dihet se të gjitha gjendjet e mëparshme të jashtëzakonshme i kam shpallur për shkak të nevojës, që në mungesë të Parlamentit, të menaxhohet nëpërmjet dekreteve me fuqi ligjore, me qëllim, lufta kundër efekteve të pandemisë, në sferën shëndetësore dhe ekonomike-sociale, pasi që shumica e subjekteve afariste e ndërprenë punën.

Ditët e fundit në opinon është shfaqur dilema a është e mundur të vendoset gjendja e jashtëzakonshme vetëm me kërkesë të Qeverisë apo edhe Presidenti mund të shpallë vetë gjendje të jashtëzakonshme, pa propozim nga Qeveria. Në këtë pjesë, Kushtetuta është e qartë, Presidenti i shteti mund të shpallë gjendje të jashtëzakonshme pa kërkesë nga Qeveria. Megjithatë, këtë gjë nuk e bëra asnjëherë sepse isha dhe jam ende i bindur se në asnjë kontekst politik, një institucion, cilido qoftë, nuk duhet të izolojë në asnjë mënyrë institucionet e tjera gjatë marrjes së vendimeve serioze.

Prandaj, duke marrë parasysh shkaqet për të cilat i kam shpallur gjendjet e mëparshme të jashtëzakonshme, konsideroj se në këtë moment nuk ekziston nevoja të shpall gjendje të re të jashtëzakonshme. Sipas informacioneve të Qeverisë, në peridhunën e kaluar janë siguruar sasi të mjaftueshme me pajisje mjekësore dhe mbrojtëse dhe janë miratuar masa ekonomike për mbështetje të ekonomisë nacionale, të cilat do të mbulohen nga Buxheti. Për këtë gjë flet edhe fakti që Qeveria këtë herë nuk ka dorëzuar kërkesë formale për vendosjen e gjendjes së re të jashtëzakonshme.

Këtu dua të theksoj se krahasimet të cilat bëhen midis gjendjeve të mëparshme të jashtëzakonshme dhe numrit të të infektuarve dhe të vdekurve në atë periudhë dhe numrin aktual të të infektuarve dhe të vdekurve, janë të pabaza, sepse thashë dhe do të përsëris se asnjë gjendje e jashtëzakonshme nuk është vendosur për ato arsye. Kurse, për masat siç janë: – ora policore, karantina apo gjendja e krizës në një pjesë apo në të gjithë territorin e shteti, ekziston normativë ligjore dhe nuk është aspak e nevoshme të vendoset gjendje e jashtëzakonshme që të zbatohen ato masa.
Një tjetër dilemë që plasohet në publik, me qëllim apo nga mosdija është se gjendja e jashtëzakonshme ka lidhje me datën e zgjedhjeve. Të sqaroj me fjalë të tjera – zgjedhjet mund të organizohen edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Duhet që vetëm Qeveria, nëse dëshiron, kjo nënkuptohet, në dekretin ku shkruhet – pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme vazhdojnë të rrjedhin afatet zgjedhore, të shkruajë – afatet zgjedhore rrjedhin edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe kaq.

Të nderuar,

Më lejoni, tani, të flas edhe për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Unë e di se shumica e qytetarëve tanë nuk mendojnë për zgjedhje në kohë kur kemi zmadhim të numrit të të infektuarve, megjithatë, zgjedhjet edhe në kohën e koronës, e cila nuk do të largohet shumë shpejt, janë të domosdoshme që të kemi një parlament funksional dhe jo të shpërndarë dhe një qeveri legale dhe legjitime, në vend të qeverisë teknike.

Mbi këtë temë, në javët e kaluara, kam komunikuar me liderët e partive politike dhe me partnerët tanë strategjikë nga bashkësia ndërkombëtare. Pushteti dhe opozita janë dakord se në zgjedhje duhet të ketë mision mbikëqyrës të OSBE/ODHIR. Pushteti dhe opozita janë dakord se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Komisionin për Sëmundjet Ngjitëse duhet të përgatitin protokole të veçanta për votim të sigurt të qytetarëve dhe qëndrim të sigurt në hapësirat e votimit për anëtarët e këshillave zgjedhorë dhe për mbikëqyrësit vendas dhe ndërkombëtarë. Për fat të keq, pushteti dhe opozita nuk i afruan qëndrimet e veta për datën e zgjedhjeve.

Këtu më lejoni të paralajmëroj një rrezik potencial dhe zhvillim të mundshëm të padëshiruar të ngjarjeve nëse ndodh të organizojmë një proces zgjedhor i cili nuk do të jetë inkluziv.
E dimë se shoqëria jonë është e polarizuar me vite, në baza të ndryshme, gjuha e urrejtjes i thellon dallimet në linjë politike, etnike, fetare dhe partiake. Nga marsi i këtij viti gjendemi në një krizë shëndetësore komplekse për shkak të pandemisë. Për shkak se Kuvendi është i shpërndarë, kurse, kemi një normativë të papërpunuar sa duhet për situatat e jashtëzakonshme, kemi elementë inicialë për një krizë kushtetuese-juridike. Nëse nuk arrijmë të dakordohemi për një proces zgjedhor transparent dhe inkluziv kjo do të thotë hyrje në një krizë të thellë politike. Nëse e shikojmë rajonin më të gjerë ku gjendemi dhe përpjekjet për destabilizim të tij nëpërmjet kërcënimeve hibride dhe lajmeve të rreme, nuk mund të përjashtojmë se kriza eventuale politike dhe juridike nuk do të kalojë në krizë siguria.

Prandaj, dua t’u bëj thirrje publike liderëve, të partisë më të madhe në pushtet – Zoran Zaevit dhe partisë më të madhe opozitare – Hristijan Mickoskit të ulemi që sot dhe të gjejmë dalje nga kjo situatë me vendosjen e interesave shtetërorë mbi ata personalë dhe partiakë. Në të kundërt, vetëm do ta hapim derën për një krizë edhe më të madhe të brendshme, ku nuk do ta vemë nën pikëpyetje vetëm perspektivën tonë evropiane, por, shumë më e rëndësishme, do t’i hedhim poshtë përpjekjet tona që t’i japim fund kësaj pandemie për të cilën na nevojitet konsensus i qartë shtetëror dhe institucione stabile.

Të nderuar,

Në tri vitet e kaluara kemi bërë kompromise pa precedent, jo vetëm për rajonin, por edhe për botën më të gjerë demokratike. Ato kompromise na mundësuan anëtarësim në NATO dhe fillim të negociatave me Bashkimin Evropian. Krizat me përmasa të tilla në botë rezultojnë shpesh me bashkimin e njerëzve rreth qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta. Nuk ekziston asnjë arsye e vetme që te ne kjo krizë të jetë burim i ndarjeve të reja të cilat i kemi pasur shumë nëpër historinë tonë.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....