Fjalimi i Presidentit Stevo Pendarovski në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut

22 Dhjetor 2022 | Kumtesat

Të nderuar qytetarë, i nderuar Kryetar i Kuvendit,

I nderuar Kryeministër, të nderuar deputetë,

të nderuar ministra, të ftuar të respektuar,

Shkëlqesitë tuaja, përfaqësues të mediave,

Një vështrim mbi të gjithë periudhën nga pavarësia jonë deri më sot do të dëshmojë se, për fat të keq, në këto tridhjetë e një vjet, nuk kemi pasur një periudhë më të gjatë të zhvillimit të qetë në shtet. Nga efektet katastrofale të privatizimit, embargove dhe sanksioneve në vitet 1990, nëpërmjet konfliktit në vitin 2001, krizës financiare botërore në vitin 2008/209, krizës së thellë të brendshme politike e cila përfundoi me sulm në Kuvend dhe nga i cili po i mjekojmë ende plagët, dhe në fund, pandemia dhe lufta në Ukrainë, një bashkësi faktorësh e limituan zhvillimin tonë dhe i shteruan resurset e kombit.

Një pjesë e këtyre krizave ciklike janë shkaktuar vazhdimisht nga faktorë të jashtë mbi të cilët ne kishim pak ndikim ose asnjë lloj ndikimi –  shpërbërja e Jugosllavisë, tensionet gjeopolitike, krizat financiare, ekonomike dhe shëndetësore – tronditjet rajonale dhe globale të cila e ngadalësuan më shumë apo më pak progresin e të gjitha shteteve, pavarësisht nga madhësia dhe fuqia e tyre.

Megjithatë, në përgjithësi, për gjendjet e pavolitshme të brendshme në shtet prej të cilave qytetarët në një përqindje të lartë janë të pakënaqur, realisht, pjesa më e madhe e përgjegjësisë bie mbi kurrizin e politikanëve dhe partive politike në vend, duke filluar nga garniturat e para në fillim të viteve 1990 dhe deri te ne, sot, të cilët jemi në krye të institucioneve në nivel qendror dhe lokal.

Kur besimi tek institucionet është në nivel të ulët, demokracia është në rrezik serioz. Në një ambient të tillë, populizmi dhe tendencat autoritare të cilat janë në ngritje, e realizojnë më lehtë qëllimin e vet, sepse demokracia nuk tregon nivel të mjaftueshëm të rezistencës. Kur klientelizmi dhe besnikëria partiake janë kritere për punësim dhe përparim në karrierë, nuk duhet të na habisë dobësia e institucioneve. Bllokadat politike dhe fizike të cilat i pamë në kryeqytet në muajt e kaluar, me siguri nuk do të jenë të fundit.

Të nderuar,

Në fillim të këtij fjalimi dua të flas mbi problemin më të madh global momentalisht, luftën në Ukrainë, për të cilën shumë pak veta besonin se ishte e mundshme, tri dekada pas rënies së botës bipolare dhe 47 vjet pas miratimit të Aktit final të Helsinkit, me të cilin palët ndërmorën obligimin se nuk do të mbështesin ndryshim të kufijve me përdorim të forcës.

Në vitin 2018, disa mendonin se për anëtarësim tonë në NATO paguam një çmim të lartë, duke argumentuar se një lloj i luftës klasike me pushtim të territoreve është i pamundshëm në shekullin e 21-të. Edhe pse në vitin 2016, jo shumë larg prej nesh, kishte përpjekje për grusht shteti nëpërmjet kërcënimit tradicional, por, jo me kërcënim hibrid, megjithatë, duhej të ndodhte tragjedia e madhe në Ukrainë që të bindemi se me Marrëveshjen e Prespës u vendosëm në kohë nën mburojën kolektive të NATO-s, pa u shpersonalizuar nacionalisht, siç kishin frikë disa.

Që atëherë, Aleanca na ndihmon aktivisht edhe në pjesën e kërcënimeve hibride, por, edhe në pjesën e kërcënimeve nga terrorizmi, para së gjithash, që lidhet me të kthyerit nga luftërat nga Lindja e Mesme. Pa nxjerrë detaje, por, sipas të dhënave të marra nga NATO-ja, në minimum tre raste, vitet e kaluara janë parandaluar sulme terroriste dhe ato në fazat e përgatitjes të cilat janë zhvilluar jashtë territorit të shtetit tonë.

Me këtë rast dëshiroj t’i jap përgjigje edhe pyetjes të parashtruar më shpesh në opinionin tonë: pse e ndihmojmë Ukrainën që ta çlirojë territorin e vet? Do të përmend vetëm dy aspekte të rëndësishme nga aspektet e shumta. Së pari, ne e ndihmojmë Ukrainën sepse jemi anëtare në NATO dhe sepse statusi formal na obligon të ndihmojmë. Domethënë, ka anëtare të Aleancës të cilat përveç mbështetjes diplomatike dhe retorike, nuk kontribuojnë në mënyrë tjetër.

Logjika jonë është si vijon: shtetet e vogla duhet të mbështesin rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe parime sepse në një botë e cila mbështetet në argumentet e forcës, shanset tona që të mbijetojmë janë të barabarta me zero. Së dyti, argumentet e Rusisë për agresionin ushtarak me të cilat de fakto dëshirojnë ta shkatërrojnë sovranitetin ukrainas, nuk dallojnë aspak nga  arsyet e mëdha shtetërore të shteteve ballkanike nga fillimi i shekullit të 20-të dhe trajtimin e tyre poshtërues ndaj popujve më të vegjël midis të cilëve jemi edhe ne. Në memorien kolektive të maqedonasve është gdhendur thellë vetëdija pse jemi midis të fundit që kemi krijuar shtet në Ballkan dhe pikërisht për këtë sot e dimë shumë mirë t’i dallojmë para kohe ato modele të sjelljes hegjemoniste ndaj nesh.

Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën i çrregulloi tregjet për ushqim dhe energji në botë, por, para së gjithash, infrastrukturën e sigurisë në Evropë të krijuar pas rënies së komunizmit. Edhe pse Ballkani Perëndimor është në dukje mjaft larg nga ajo anë e botës, nuk mund të përjashtohet se në një kontekst të caktuar është i mundshëm zmadhimi i tensioneve edhe në rajonin tonë – tashmë kemi refugjatë ukrainas, kemi shtetas rusë dhe firma të formuara prej tyre, regjistruam intensitet të zmadhuar të sulmeve kibernetike, kurse potencial të vet kanë edhe pikat e vjetra, të brishta që njihen mirë në rajon: Veriu i Republikës së Kosovës dhe entiteti Republika Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë ku rol kryesor stabilizues kanë misionet ndërkombëtare.

Të nderuar,

Lufta i zgjoi edhe institucionet në Bruksel, e vuri në lëvizje debatin për të ardhmen e Evropës dhe i riaktivizoi proceset të cilat kishin ngrirë, praktikisht, vitet e fundit. Ideja e Evropës gjeopolitike filloi të marrë një formë fillestare, kurse, sipas retorikës së Brukselit, Ballkani Perëndimor është pjesë e saj. Nga kjo foltore dua t’i bëj thirrje Bashkimit Evropian se presim që fokusi i ri ndaj rajonit të mos jetë vetëm episod, i shkaktuar nga lufta në Ukrainë i cili do të zgjasë derisa Ukrainë të jetë në fokus. Për ruajtjen e kredibilitetit të procesit integrues Evropa nuk duhet të lejojë që Ballkanin Perëndimor ta mbajë në fokus vetëm kur ka luftëra apo kriza migrantësh. Mbështetja për Bashkimin midis qytetarëve po bie dramatikisht, gjendemi në një pikë kritike dhe ky është shansi i fundit që ta ruajmë mbështetjen shumicë.

Këtë vit si shtet bëmë një hap serioz edhe në drejtim të përforcimit të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në, shtet i cili ka dhënë gjithmonë mbështetje kyçe për zhvillimin tonë që nga pavarësi, pranimi në Kombet e Bashkuara, në konfliktin në 2001, deri në hyrjen në NATO. Këtë vetë, të parët në rajon e filluam dialogun strategjik me SHBA-në, i cili po merr formë institucionale dhe themelet e të cilit janë vlerat e përbashkëta për zhvillim demokratik dhe stabilitet të shtetit. Gëzon fakti që SHBA-ja edhe përkrah interesave të veta globale i intensifikuan përpjekjet diplomatike dhe po kthehen në rajon në nivel i cili nuk është parë në pesëmbëdhjetë vitet e fundit.

Të nderuar,

Këtë verë ishim dëshmitarë të protestave masive dhe ndarjeve të thella midis qytetarëve lidhur me të ashtuquajturin “propozim francez” i cili sot është Kornizë negociatore evropiane. U krijua atmosferë e tensioneve të ashpra politike në vend dhe perceptimi te një pjesë e opinionit se kjo është dilemë fatale, të jesh apo të mos jesh, për kombin dhe shtetin dhe se gjoja po marrim vendim i cili do ta përcaktojë fatin e brezave të ardhshëm të maqedonasve dhe të qytetarëve maqedonas.

Dhe pas pesë muajsh, jam thellësisht i bindur se qëndrimin që e thashë më 3 korrik të këtij viti se vendimi që ta pranojmë propozimin e modifikuar francez nuk është as triumf historik, as debakël histori dhe sot mund t’i rezistojë kritikës së argumentuar.

Domethënë, propozimi i modifikuar francez për shkak të të cilit u ndamë deri në kufij të paparë shkaktoi kontroverse të shumta, por, të gjitha lidheshin drejtpërdrejt apo tërthorazi me frikën për kërcënimin e identitetit, për maqedonasit dhe gjuhën maqedonase. Duke iu referuar tezës se vetëm si bullgarë mund të hyjmë në Bashkim, dua të theksoj se nuk ekziston absolutisht asnjë mënyrë nga maqedonas të bësh bullgar. Ato janë dy kode të ndryshme të identitetit, dy popuj të ndryshëm me etnogjenezën e vet specifike. Nuk ekziston shembull i tillë në histori që me marrëveshje t’i ndryshohet ndjenja nacionale një populli të tërë.

Në të njëjtën kohë, refuzoj të besoj se qëllimi apo prioriteti politik i Presidentit të Republikës Franceze ose, për shembull, kancelares gjermane është të shpersonifikojnë popullin maqedonas që të na futin si bullgarë në Evropë.

Hapat praktikë të cilët vijuan më pas vetëm se vërtetuan që formulimi i gjuhës maqedonase në këtë kornizë ishte kategorik, që u vërtetua qartë me nënshkrimin e marrëveshjes me Fronteksin.

Por, sot nuk është keq të rikujtojmë shkurtimisht si është kujdesi ynë, më sakatë moskujdesi për gjuhën maqedonase, në vend, në atdhe, prej nga pohoj se na vijnë potencialisht rreziqet më të mëdha për mbijetesën e saj, sesa nga sulmet e Bullgarisë. A ishte e nevojshme të presim 100-vjetorin jubilar të lindjes së Koneskit, që të ballafaqohemi me moskujdesin për gjuhën në hapësirën publike, me numër drastik të zvogëluar të lektorateve dhe maqedonistëve në botë, me vetëm disa paralele të mbetura me fëmijë maqedonas të cilët e mësojnë gjuhën maqedonase në diasporë apo me gjendjen e dëshpëruar me kuadër të ri mësimdhënës i cili me vite nuk është ripërtërirë në fakultetet dhe institutet e gjuhës maqedonase.

Të nderuar,

Kompleksin e çështjeve që lidhen me integrimet tona evropiane të cilat i hapëm më në fund pas shtatëmbëdhjetë viteve të gjata të pritjes, do të më lejoni ta përmbyll me qëndrimin tim në lidhje me çështjen për ndryshimin e Kushtetutës.

Dua nga ky vend të rekomandoj se neve na nevojitet dëshpërimisht një procedurë e qartë dhe e pastër juridike dhe politiket për ndryshimin e Kushtetutës, siç i ka hije një demokracie evropiane. Askush nuk duhet të ushtrojë trysni, as të kushtëzojë që të votojë kundër vullnetit të vet, por, njëkohësisht, të gjithë deputetët duhet të kenë parasysh dy gjëra: së pari vetë përmbajtja e propozimit konkret, vendosja e bullgarëve dhe pjesëve të tjera të popujve në Kushtetutë, nuk e cenon në asnjë mënyrë identitetin maqedonas, dhe së dyti, ata që sot janë kundër, nëse besojnë me të vërtetë se BE-ja është qëllimi ynë strategjik, konstanta jonë strategjike që nga vitit 1991 e deri më sot dhe nëse sot janë kundër, si do të votojnë për këtë ndryshim kushtetues kur të jenë në pushtet?

Obligimi ynë për ndryshim të Kushtetutës nuk lidhet me hapjen e klubeve të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, megjithatë, mbetet përshtypja se bëhet fjalë për një aktivitet të organizuar në kohë të caktuar i cili nuk kontribuon në ndërtimin e besimit midis Shkupit dhe Sofjes. Me tensionet që i ngriti hapja e këtyre klubeve, për fat të keq, pala tjetër përzgjodhi qasje konfrontuese në vend të qasjes kooperative që është tërësisht në linjë me retorikën publike të historianëve bullgarë në Komisionin e përbashkët të cilët insistojnë që historia ta dominojë agjendën e tërësishme bilaterale, në vend që të jetë vetëm një segment i saj.

Fakti se nuk ekziston asnjë shkelje sistematike e të drejtave të pakicës bullgare, nuk duhet ta limitojë mundësinë e tyre që të hapin klube ku të duan dhe sa të duan, por me respektim të rreptë të ligjeve maqedonase të cilat janë në përputhje me ato evropianet.

Përndryshe, për më të rinjtë të cilët nuk i mbajnë mend vitet 1990, përkundrejt perceptimit të përgjithshëm, maqedonasit dhe qytetarët maqedonas kanë ditur të bashkohen dhe të punojnë bashkërish në interes të shtetit, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet: për referendumin e pavarësisë në vitin 1991 është formuar dhe ka funksionuar shtab i përbashkët i pushtetit dhe opozitës, vendimi për aplikim për anëtarësim në NATO i dhjetorit 1993 është dorëzuar me mbështetje të pushtetit dhe opozitës, amendamentet të cilat dolën nga Marrëveshja Kornizë janë miratuar me dy të tretat  shumicës, kurse Rezoluta mbi pozitat shtetërore në lidhje me Bullgarinë, vitin e kaluar, është mbështetur nga 95 deputetë.

Çështje dhe dilemë tjetër në opinion është: a mund të ketë garanci se kjo do të jetë kërkesa e fundit ndaj nesh në procesin e negociatave? Ja shembulli i fundit: Bullgaria dhe Rumania janë anëtare të Bashkimit pesëmbëdhjetë vjet, kurse para pak kohe janë bllokuar për të hyrë në Zonën e Shengenit. Nëse dy anëtare të Bashkimit janë bllokuar për të hyrë në një nga projektet më të rëndësishme të hapësirës unike evropiane, nënkuptohet se askush nuk mund t’i japë garanci vendit kandidat, i cili sapo i ka filluar negociata të cilat nuk janë të njëtrajtshme. Prandaj, ne, në këtë proces duhet të hyjmë me vetëbesim dhe të fokusohemi në plotësimin e kritereve të cilat do të sigurojnë jetë më të mirë për qytetarët tanë. Kanë ikur kohët kur e matnim suksesin në integrime me numrin e ligjeve të miratuara. Qytetarët presin – rezultate!

Edhe një gjë e cila për dikë është teknike dhe procedurale, kurse, sipas meje është politike dhe thelbësore. Pushteti duhet të bëjë përpjekje gjatë gjithë procesit të negociatave në ekipe të marrin pjesë edhe ekspertë të propozuar nga organizatat qytetare, por, edhe nga opozita. Një propozim i tillë duhet të vijë, nga dy arsye minimum: së pari, sepse negociatat e tejkalojnë me siguri mandatin e një qeverie, dhe së dyti, nëse nuk e mbledhim potencialin e tërësishëm kreativ dhe ekspert në një vend, negociatat do të zgjasin më gjatë.

Duke folur për procesin e rrumbullakimit ndërkombëtar të identitetit maqedonas, ky ishte vit i një hapi të madh dhe me etablimin përfundimtar të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit në suazat e ekumenisë ortodokse. Edhe pse bëhet fjalë për vendime të pushtetit fetar, kurse ne jetojmë në një shtet laik, është fakt i njohur se propagandat e huaja nëpër histori, kurse, edhe sot, po përpiqen ta lëkundin lidhjen shpirtërore të maqedonasve me kishën e tyre. Zhvillimi i tillë pozitiv i ngjarjeve mundësoi dhe për herë të parë pas shumë viteve të falemi në manastirin “Ati i shenjtë Prohor Pçinski” në vendin ku janë vendosur themelet e shtetit modern maqedonas.

Të nderuar,

Jam i bindur se politika e jashtme e ka përcaktuar shumë gjatë dinamikën e proceseve politike në shtet. Nevojitet fokus në planin e brendshëm, në shtëpi.

Tempi i pamjaftueshëm i zhvillimit tonë ekonomik dhe social në tranzicion është pasojë e disa faktorëve të brendshëm strukturorë, por, një nga shkaqet kryesore të historisë së gjatë, dekadore të reformave të filluara, por të papërfunduara është korrupsioni dhe fenomeni i klientelizmit politik që lidhet me të, që e gërryen besimin e qytetarëve tek institucionet.

Interesi i jashtëzakonshëm i mediave me të cilin është ndjekur vizita e të ashtuquajturit “ekipi për sanksione” nga SHBA-ja është vërtetimi më i mirë për mosbesimin të cilin e kanë qytetarët tanë në organet vendase meqenëse shpresën e vetme për drejtësi e shikojnë tek institucionet e huaja dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, realiteti është se askush nga jashtë nuk do të çrrënjosë korrupsionin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse atë nuk e bëjnë institucionet tona dhe përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve. Është e saktë se në raportin e fundit të “Transparensi  Interneshënël” (Transparency International) shënojmë një kërcim pozitiv përpara prej njëzet e katër vendesh, por, kjo është ende nën mesataren evropiane.

Në këtë luftë investimi është enorm: shteti ose do t’i vendosë kriminelët pas hekurave në burgje të llojit të mbyllur, ose disa prej tyre edhe mandej, me paratë e vjedhura nga populli do të vazhdojnë të ndërtojnë imazhin e qytetarëve të ndershëm dhe të virtytshëm dhe t’i tallin të gjithë të tjerët nga një distancë e sigurt.

Në këtë ballafaqim midis kriminelëve dhe numrit enorm të qytetarëve të ndershëm ka dy qëllime: së pari, si shtet të tregojmë rezultate konkrete, jo vetëm arrestime për opinionin, por dënime të shqiptuara për burgim shumëvjeçar dhe kthim të mallit të vjedhur, si dhe së dyti, të respektohet prezumimi i pafajësisë, që nënkupton, që njerëzit të mos i dënojmë në opinion para se t’i dënojë gjykata kompetente.

Megjithatë, të gjitha përpjekjet tona do të bien në ujë nëse organet kompetente gjyqësore dakordohet me personat për të cilët e di i gjithë opinioni se me para nga populli i kanë siguruar edhe fëmijët dhe nipërit e tyre të palindur. Tezë që shumë prej nesh e përsëritin me vite është se nuk ka drejtësi nëse nuk ka politikanë aktualë në burg për korrupsion, por, drejtësi nuk do të ketë edhe deri sa janë në liri gjykatësit dhe prokurorët të cilët marrin vendime skandaloze pas të cilave ndoshta ekzistojnë motive korruptuese.

Të nderuar,

Rezultatet e regjistrimit këtë vit vetëm na vërtetuan se rreziku më i madh i sigurisë sonë nacionale, mbetet – demografia. Në Maqedoninë emigrante, për fat të keq, ka pasur gjithmonë më shumë maqedonas dhe qytetarë maqedonas, sesa në atdhe, por, për shkak të varfërisë dhe mos sundimit të së drejtës “murtaja e bardhë” vazhdon ta rrallojë kombin. Ne mund ta numërojmë dhe shtojmë diasporën dhe të gënjejmë veten se jemi më shumë, por e vërteta e ashpër është se projektimet e Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2050, nëse mbahen këto trende, në vend do të kemi vetëm rreth një milion banorë prej dy milionëve saç ishim kur e ndërtuam shtetin.

Për tre vjet e gjysmë pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar në biseda me të rinjtë duke folur për nevojat dhe problemet e tyre – standardin rinor, arsimin. Isha mbështetës i dhjetëra iniciativave dhe projekteve me organizata qytetare nga vendi dhe jashtë për pjesëmarrje më të madhe rinore gjatë vendimmarrjes, për vendosjen në funksion të Ligjit për të rinjtë, propozimit të ligjit të ri për arsimin e mesëm. Edhe vitin e ardhshëm e njëjta agjendë do të mbetet në krye të prioriteteve time.

Megjithatë, sistemi duhet të funksionojë sepse nuk mjaftojnë iniciativat individuale. Nevojitet një orë e më parë të arrijmë konsensus të gjerë shtetëror dhe strategji për këtë çështje e cila do ta përcaktojë të ardhmen tonë shumë më tepër sesa ndryshimi i Kushtetutës.

Të nderuar deputetë, i nderuar opinion,

Pas hyrjes në NATO u bëmë pjesë e fushatave intensive dhe të organizuara propaganduese për dezinformim të opinionit në lidhje me çështjet dhe dilemat vitale.

Dezinformacionet nga shtetet dhe entitetet të cilat nuk na e mendojnë të mirën, i manipulojnë sistematikisht qytetarët me dhënien e informacioneve të gabuara, të lajmeve gjysmë të vërteta apo tërësisht të fabrikuara që t’u shërbejnë interesave të qendrave të fuqisë, interesat e të cilave janë në kundërshtim me interesat tona nacionale.

Vetëm dy shembuj në këtë kuptim janë mjaft indikativë: përkundrejt traditës së gjatë dhe solide nga ish-Jugosllavia, në fushën e imunizimit kundër kovid-19 nuk arritën as deri në 50% të popullatës, për të cilën, sipas disa analizave, pjesërisht janë të përgjegjshme dezinformacionet për vaksinat në dispozicion. E gjithë kjo, për fat të keq, në fund na kushtoi shëndet dhe jetë. Ose dezinformacionet në lidhje me luftën në Ukrainë që shtynë shumë bashkëqytetarë tanë ta argumentojnë agresionin, duke harruar përvojën tonë personale historike, kur ne, vetë, jo vetëm njëherë, kemi vuajtur nga fqinjët më të mëdhenj.

Njëkohësisht, retorika antiperëndimore në mediat tradicionale dhe sociale po intensifikohet dhe nëpërmjet saj, populistët i manipulojnë njerëzit se kanë zgjidhje të shpejta dhe të thjeshta edhe për problemet më të komplikuara të cilat, gjoja, sistemet demokratike nuk mund t’i zbatojnë sepse janë të ngadalshme, të shtrenjta dhe të korruptuara.

Përforcimi i rezistencës ndaj dezinformacioneve është detyrë komplekse, sepse nevojitet edhe rezistencë sistematike edhe personale ndaj tyre, kurse kjo është e pamundur pa bashkëpunim të afërt me institucionet shtetërore, arsimin, organizatat qytetare dhe mediat.

Në këtë kontekst është vendimtare që në arsimin fillor dhe të mesëm të zhvillojmë shkrim-lexim mediatik te të rinjtë të cilët do të mësojnë t’i dallojnë gënjeshtrat dhe të formojnë mendim në bazë të fakteve. Kështu do ta dallojnë më lehtë edhe demagogjinë e autokratëve se për zgjidhjen edhe të problemeve më të vështira duhet vetëm disiplinë dhe dorë e fortë. Në historinë e afërme edhe në rajon edhe në Evropë kemi mjaft shembuj tragjikë të popujve të cilët edhe sot e kësaj dite ballafaqohen me pasojat e shkatërrimit të cilin ua sollën vitet e entuziazmit kombëtar dhe besimi pa kushte te liderët e tillë.

Të nderuar qytetarë,

Të ballafaquar me peshën e viteve të mundimshme të tranzicionit të cilat po i kalojmë, dalëngadalë po e humbasim respektin ndaj njëri-tjetrit, kurse, solidariteti po zhduket nga jetët tona. Ndërkohë që mijëra qytetarë po ballafaqohen me varfërinë ekstreme, po i humbim nga sytë ata bashkëqytetarët tanë të cilët edhe në kohët më të lumtura janë në margjina. Vetëm dy shembuj dëshmojnë sa duhet për karakterin e kohës në të cilën jetojmë: rasti i vogëlushes nga Gostivari e cila ishte izoluar nga procesi arsimor ose nxënësit nga Gradsko i cili dy vite me radhë ka qenë objekt i keqtrajtimit dhe poshtërimit nga bashkënxënësit e tij.

Të dyja rastet i nxorën në sipërfaqe të gjitha lëshimet e sistemit, edhe në nivel qendror edhe në nivel lokal, por, edhe më shumë, paragjykimet tona dhe mospërgatitjen tonë që t’i respektojmë më të dobëtit dhe të ndryshmit. Kemi traditë shekullore të bashkëjetesës midis njerëzve me përcaktim të ndryshëm etnik ose fetar, por, nëse duam të ndërtojmë një shoqëri bashkëkohore demokratike, duhet t’i respektojmë edhe ata që janë të ndryshëm prej nesh edhe sipas statusit social, aftësisë së kufizuar, identitetit gjinor, orientimit seksual apo përkatësisë politike.

Të nderuar,

Njeriu mund të luftojë me probleme ekonomike dhe shëndetësore, me pengesa burokratike, por, më e vështirë është të luftosh me mungesën e shpresës. Si politikanë të cilët e kanë marrë besimin që ta udhëheqin shtetin, obligimi dhe përgjegjësia jonë më e madhe është të mos i lemë qytetarët maqedonas pa shpresë për një të ardhme më të mirë.

T’ju uroj në vitin 2023 paçi shëndet dhe fat, ju dhe më të afërmit tuaj. Të dëshirojmë vitin që vjen të jetojmë të paktën pak më mirë, sepse qytetarët tanë e meritojnë me siguri këtë gjë.

Rrofshi dhe paçi shëndet, qoftë i përjetshëm shteti ynë.

Ju faleminderit!

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....