Fjalimi i Presidentit Stevo Pendarovski në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut

16 Dhjetor 2020 | Fjalimet

Të nderuar qytetarë, i nderuar Kryetar i Kuvendit,

I nderuar Kryeministër, të nderuar deputetë, të nderuar ministra, miq të vyer,

Shkëlqesitë Tuaja, përfaqësues të mediave,

Në fillim, më lejoni të shpreh ngushëllime për më të afërmit e të gjithë atyre të cilët e humbën jetën si pasojëe pandemisë me kovid 19 dhe t’i lut të gjithë të pranishmit në sallë t’i respektojmë me një minutë heshtje bashkëqytetarët tanë – 2169 të cilët, për fat të keq e humbën betejën me virusin! Qofshin të lavdishëm!

Do të dëshiroja t’u shpreh falënderim mjekëve, personelit mjekësor dhe të gjithë qytetarëve të cilët ishin dhe janë ende në linjën e parë të frontit në luftën me pandeminë. Ata janë heronjtë e vërtetë në këtë vit 2020 i cili krejtësisht pa pritur u bë një nga vitet më të vështira nga pavarësia jonë, dhe të cilët përditë, dëshmojnë në vepër se humanizmi dhe solidariteti nuk janë kategori të harruara dhe se dekadat e jetesës së vështirë dhe vitet e tranzicionit të zymtë nuk na çnjerëzuan, që të harrojmë mundimet e të tjerëve.

Të nderuar,

Pandemia duhej të jetë moment i kthjelltësimit për të gjithë në shtet dhe të çojë drejt bashkimit të kombit që ballafaqohet me kundërshtarin e panjohur, pa marrë parasysh dallimet krejtësisht legjitime, politike, etnike dhe njerëzore midis nesh. Në një pjesë ajo e arriti këtë, megjithatë, për fat të keq, në pjesën tjetër i përforcoi antagonizmat ekzistues, e zmadhoi humnerën e ndarjeve në shoqëri dhe i nxori në sipërfaqe dobësitë institucionale, që së bashku, përveç krizës shëndetësore dhe politike, e rrënoi dhe ekonominë, e cila nga fundi i vitit hyri në recesion.

Shteti mbeti, pothuajse, nëntë muaj pa Kuvend funksional dhe duhej për herë të parë nga pavarësia jonë, të vendosej gjendja e jashtëzakonshme që të mundësojmë të funksionojë sistemi, të mbijetojë ekonomia, kurse qeveria të ketë një hapësirë më të gjerë juridike që t’i ndihmojë qytetarët dhe subjektet ekonomike të cilat janë më të goditurat.

Të gjithë i mbajmë mend skenat e mundimshme, madje edhe në disa prej shteteve më të fuqishme në botë, ku njerëzit prisnin para dyerve të spitaleve në të cilat nuk kishte shtrat të lirë. Pandemia ushtroi një presion enorm mbi sistemin tonë shëndetësor, por, çdo analizë objektive do të dëshmojë se shteti, në përgjithësi, e menaxhoi gjendjen me pandeminë në mënyrë racionale me shpërndarje të planifikuar të resurseve të kufizuara të cilat janë në dispozicion, duke e anashkaluar kolapsin që ndoshta do të nënkuptonte një numër më të madh viktimash dhe të sëmurësh.

Gjatë pandemisë arritëm të organizojmë zgjedhjet parlamentare në të cilat rreth 940.000 njerëz e shfrytëzuan të drejtën e vet të votimit, por numri i madh i votuesve nuk ishte shkak për shpërhapjen e virusit. Zgjedhjet, të cilat në kohën e pandemisë ishin ndër të parat që u organizuan në botë, janë vlerësuar nga misioni i OSBE/ODHIR si demokratike, dhe kjo dëshmoi se kemi kapacitet edhe në kushte jashtëzakonisht të komplikuara të organizojmë zgjedhje dhe të formojmë institucione demokratike.

E kam konvokuar disa herë Këshillin e Sigurimit që të dakordojmë koordinim më të mirë midis institucioneve dhe zbatim të masave të domosdoshme, kurse, e përfshiva edhe Armatën në mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe policisë edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme edhe gjatë gjendjeve të krizës të shpallura në nivel komunal dhe shtetëror.

E di se vlerësimet e tilla nuk do t’u nënkuptojnë asgjë familjeve të cilat i humbën më të dashurit e vet, por rrënimi strukturor, dekador i sistemit shëndetësor mund të kontribuonte lehtë për rezultate edhe më të këqija, nëse nuk do të ishte angazhimi natë e ditë i punonjësve mjekësorë, ushtrisë, policisë dhe i mijërave vullnetarëve.

Detyra jonë e parë dhe më e rëndësishme që na pret si shtet, menjëherë pas vendosjes nën kontroll të pandemisë është të bëjmë analizë të thellë mbi funksionimin e rendit tonë juridik, politik dhe ekonomik në vitin e kaluar, të nxjerrim mësime dhe t’i vendosim mbi baza të shëndetshme të gjitha pjesët e sistemit të cilat dështuan, sepse askush nuk e di se a na pret ndonjë pandemi tjetër në kthesën tjetër të historisë.

Në këtë kontekst, në pjesën e kompetencave të mia, në fillim të vitit të ardhshëm do të inicioj debat publik i cili duhet të japë kontribut për përpilimin e ligjeve për gjendje lufte dhe gjendje të jashtëzakonshme dhe kornizë juridike për reforma të sistemit të tërësishëm të menaxhimit të krizave. Gjatë kësaj, qëllimi ynë i vetëm duhet të jetë përcaktimi i bazave juridike për koordinim më të mirë midis institucioneve në kohë krizash, transparenca më e mirë e punës së tyre dhe mekanizmat më të mirë për kontroll si digë kundër keqpërdorimeve eventuale nga pushteti.

Megjithatë, ekziston diçka që asnjë ligj nuk mund ta rregullojë dhe ku nuk ndihmojnë asnjë dekret dhe rregullore. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, ndërsa sidomos kufizimi i lëvizjes dhe kontaktet sociale midis njerëzve, ishte një masë e detyruar, kishin edhe një efekt të theksuar negativ psikologjik mbi qytetarët. Kam ndjenjën se në kushte të tilla kur detyra jonë parësore ishte lufta me virusin, jo vetëm këtu dhe jo vetëm ne, i kushtuam vëmendje të pamjaftueshme lëndueshmërisë së qytetarëve ndaj propagandës, dezinformacioneve dhe lajmeve të rreme në këtë gjendje të veçantë shoqërore.

Ballafaqimi me krizën shëndetësore është sfidë serioze, por anashkalimi i pasojave negative afatgjata të mosbesimit të qytetarëve në institucionet, por edhe në shkencë dhe në profesion, i cili po intensifikohej gjatë pandemisë nuk është rrezik më i vogël. Ajo që na pret me siguri është vala e re e fushatave negative të cilat do t’i dekurajojnë njerëzit të vaksinohet nëpërmjet teorive të konspiracionit në rrjetet sociale. Prandaj, fushata e vaksinimit, i cili do të jetë, gjithashtu, në bazë vullnetare, do të duhet të kryhet nëpërmjet shembujve personalë. Nuk duhet të lejojmë, që në shekullin e 21 për çështje të tilla serioze, të dominojnë sharlatanë dhe pseudomjekë gjysmë të shkolluar mbi emrat dhe institucionet e mëdha shkencore të cilët në dy shekujt e kaluar, nga shfaqja e vaksinave të para, kanë shpëtuar miliona jetë njerëzore.

Të nderuar,

Këtë vit 2020 u bëmë anëtare e plotë e Aleancës së NATO-së. Më 11 shkurt të këtij viti, kur e ratifikuam Protokollin për aderim, në seancën e Kuvendit thashë:

“Vitet e kaluara, për fat të keq kishim shumë pak çështje për të cilat arritëm konsensus të tërësishëm shtetëror, kurse kur flas për këtë, nuk mendoj vetëm për konsensusin midis elitave apo partive politike. Mendoj për konsensusin i cili i bashkon të gjithë qytetarët, pavarësisht nga dallimet e tyre, sipas kombit, fesë apo gjuhës. Pa pretendim që të tingëlloj patetik, konsideroj se vendimi i sotshëm për ratifikim të Marrëveshjes të Atlantikut Verior është hap i madh në rrumbullakimin e shtetësisë maqedonase dhe vulosjen e integritetin dhe sovranitetit tonë territorial. Nderin që ta marrim këtë vendim historik e kishim ne, përfaqësuesit e popullit në shtëpinë ligjvënëse dhe ekzekutive. Tani përgjegjësi e gjeneratë sonë është: t’i tregojmë botës se kur besohet në vlera të njëjta nuk ekzistojnë dallime midis shteteve të mëdha dhe të vogla”.

Edhe sot i mbështes kualifikimet e shqiptuara sepse jam i vetëdijshëm për madhësitë historike të asaj që është arritur. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjitha probleme janë pas nesh dhe se nuk ekzistojnë sfida të reja të cilat i sjell koha moderne. Kërcënimet hibride, sajber-kërcënimet dhe lajmet e rreme kanë qenë të pranishme edhe gjatë pandemisë, kurse do të jenë e në të ardhmen. Por, për herë të parë në historinë tonë ne nuk jemi të vetmuar në luftën kundër kërcënimeve të vjetra dhe të reja. Bashkë me ne janë edhe 29demokraci dhe 29 armata si aleatë tanë.

Në kontekst të obligimeve tona lidhur me anëtarësimin në NATO, në këtë rast dua të tregoj një aspekt, i cili nuk është debatuar deri më tani në publik, një obligim i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i cili është, de fakto, vetingu i parë i eshalonëve më të lartë, politikë, të sigurisë, mbrojtjes dhe kundërzbulimit të pushtetit. Deri më tani, për të gjithë funksionarët që kanë pasur kontakt me informacionet e klasifikuara ka qenë e nevojshme e a.q. certifikata nacionale për qasje te to, por nga marsi i këtij viti është e domosdoshme certifikata e NATO-s për qasje te informacionet e klasifikuara, që nënkupton se, përveç nesh, edhe të gjitha vendet anëtare të Aleancës duhet të vërtetojnë se funksionari konkret është i pastër në dy baza: së pari, kontakte me shtete, entitete dhe individë të cilët e trajtojnë NATO-n si oponent të vet, së dyti, involvimi në raste të korrupsionit të lartë ku ekziston mundësi të keqpërdoren shtete, individë dhe entitete maligne.

Ky është një proces i komplikuar dhe rigoroz i cili është në vijim edhe i cili në raste të pranimeve të mëparshme të shteteve në NATO, mesatarisht, i ka distancuar informacionet e besueshme nga 10 deri në 15% prej individëve të lartë ushtarakë, policorë dhe politikë. Faza e parë e këtij procesi neve po na përfundon, shpresoj se deri në fund ne do të dalim me një përqindje shumë të vogël të funksionarëve të refuzuar, megjithatë, secili prej nesh duhet të jetë i vetëdijshëm se anëtarësimi në Aleancë nënkupton shembull personal dhe mbështetje të vërtetë dhe jo vetëm retorike të vlerave mbi të cilat është vendosur ajo organizata.

Të nderuar deputetë,

Vitin e kaluar  në një intervistën time thashë se nëse çmimi që të hyjmë në Bashkimin Evropian është të heqim dorë nga identiteti dhe gjuha, atëherë nuk ekziston maqedonas i gjallë i cili do të dakordohet me kushtin e tillë, Për këtë qëndrim, jam kritikuar nga disa rrathë të cilët thoshin se është gabim dhe se ne duhet të bëjmë gjithçka, dhe pa marrë parasysh çmimin të hyjmë në Bashkim. Edhe atëherë edhe sot unë jam i bindur se anëtarësimi në asnjë organizatë ndërkombëtare nuk është i vlefshëm nëse prej jush kërkohet të shpersonifikoheni. Për propozimin e tillë madje as nuk është e nevojshme të shpallet referendum – sepse rezultati do të jetë paraprakisht i njohur. Ne nuk negociuam me Republikën Helene vetëm për shtimin në emër, por, para së gjithash, për vërtetimin ndërkombëtar nga e gjithë bota, nëpërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara për atë se kush jemi ne dhe çfarë jemi ne. Në fund bëmë kompromis vetëm sepse edhe në parlamentin grek edhe në Kombet e Bashkuara ishte ratifikuar dhe vërtetuar se ne jemi maqedonas dhe flasim gjuhë maqedonase.

Vjet në fjalimin vjetor në këtë Kuvend thashë: “ne jemi absolutisht të përgatitur që të ballafaqohemi me argumentet për kontroverse të caktuara historike lidhur me interpretimet e ndryshme të një ngjarjeje apo një personaliteti të njëjtë, megjithatë, e drejta të identifikohemi si maqedonas të cilët flasin maqedonisht ka qenë dhe do të jetë jashtë çfarëdo lloj debati, sepse ato procese historike kanë përfunduar prej kohësh”.

Vitin që po kalon, në kontekst me kontestin me Bullgarinë, kishte propozime për konvokim të takimit të liderëve ose të një seance të veçantë të Parlamentit ku, demek, duhet t’i përcaktojmë linjat tona të kuqe në bisedimet me Sofjen.

Në lidhje me takim e liderëve, dua të them se edhe pse vitin e kaluar edhe këtë vit, me kërkesë të partive politike, nën udhëheqjen time janë mbajtur shumë takime të tilla, qëndrimi im është se formatine tillë jashtinstitucional tëtakimeve, në parim, duhet ta lëmë, sepse takimet e liderëve janë, në thelb, zëvendësim i institucioneve kur ato nuk kanë legalitet dhe legjitimitet të plotë, që tek ne nuk është rast. Kurse, në lidhje me konvokimin e seancës së veçantë të Kuvendit, edhe pse kjo është kompetencë e kësaj shtëpie, gjithashtu, nuk shoh nevojën për një gjë të tillë, sepse asnjë subjekt politik parlamentar nuk e konteston identitetin e popullit dhe gjuhës maqedonase. Për mua është joserioze në 2020 të mblidhen të gjitha partitë politike dhe politikanët relevantë dhe në mënyrë solemne të nënshkruajnë se jemi maqedonas dhe flasim gjuhë maqedonase!?

Jam thellësisht i bindur se asnjë nga gjenerata e sotshme e politikanëve nuk ka të drejtë të dakordojë apo negociojë për ato çështje, edhe sot edhe në të ardhmen, sepse linjat tona të kuqe i kanë përcaktuar prej kohësh ata të cilët e bënë këtë shtet në vitin 1944 dhe atë me akte shtetformuese në Mbledhjen e Parë të KAÇKM-së: Manifestin për popullin maqedonas dhe Dokumentin numër 8 për vendosjen e gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në shtetin maqedonas.

Në lidhje me qëndrimet për këtë çështje të partive më të mëdha politike, kam thënë edhe më parë, sot do të përsëris: ato kanë qëndrim tërësisht identik në lidhje me identitetin tonë dhe dallohen vetëm në lidhje me metodologjinë si të arrijmë te qëllimi. Ju flas nga përvoja ime personale: në udhëheqjen e tërësishme politike maqedonase edhe te pushteti edhe tek opozita unë nuk njoh asnjë i cili është i gatshëm të tregtojë me gjërat më të shenjta për çdo maqedonas. Prandaj dhe propozoj, këtë çështje ta heqim nga agjenda ditorepolitike dhe të mos e harxhojmë energjinë në lidhje me këtë.

Më lejoni, në suazat e të njëjtës çështje, ta them edhe qëndrimin tim në lidhje me përfaqësuesit politikë të bashkëqytetarëve tanë shqiptarë dhe raportin e tyre ndaj çështjeve të cilat e prekin identitetin maqedonas. Për fat të keq, te një pjesë e maqedonasve etnikë vite me radhë ekziston dyshimi: A e mbështesin politikanët shqiptarë luftën tonë për afirmimin më të gjerë ndërkombëtar? Pohoj me përgjegjësi, sepse unë jam dëshmitar i këtyre proceseve më shumë se 20 vjet, që në vitet 1990 kur negocionim me Greqinë, faktori politik shqiptar kur ka qenë në pushtet dhe në opozitë, të gjitha këto vite ka pasur sjellje dhe mirëkuptim tërësisht korrekt për përpjekjet tona që ta ruajmë dhe ta promovojmë identitetin maqedonas. Qëndrimi i tillë na ndihmoi të jemi më të fuqishëm në të gjitha takimet me emisarët e huaj sepse e dinim se na ka mbështetur pozitë shtetërore e harmonizuar. Nuk ka si të jetë ndryshe, sepse Maqedonia e Veriut është shtëpi e përbashkët për të gjithë ne, ku nuk ka ndarje midis qiramarrësve dhe pronarëve.

Në fund, edhe përkundrejt vetos bullgare, askush nuk ka dileme: Maqedonia e Veriut do të vazhdojë drejt Bashkimit Evropian, sepse jemi të bindur se vetëm nëpërmjet proceseve të evropeizmit mund të bëhemi demokraci reale dhe me prosperitet për një periudhë relativisht të shkurtër. Bashkimi Evropian është larg përkryerjes, interesat nacionale shpeshherë e paralizojnë, atraksioni i modelit të tij dhe fondet paraaderuese nuk janë në nivelin që kanë qenë para 15 apo 20 vjetësh, por, ende është instrument i pazëvendësueshëm për demokratizimin, kurse me vlerat e tij inspiron miliona njerëz në botë. Kështu që, nuk do të pranojmë asnjë variant rezervë, ndërsa, do të marrim pjesë në të gjitha iniciativat rajonale dhe kontinentale vetëm nëse ato janë komplementare, dhe nuk  janë zëvendësim i anëtarësimit në Bashkim.

Alternativa ekësaj rruge evropiane është të vegjetojmë me standard më të ulët jetësor në vend që ta jetojmë jetën, ta humbim energjinë në kontestet historik, të mbytemi në nacionalizma, të hapim hapësirë për tendenca autoritare dhe të numërojmë të rinjtë të cilët largohen. E di se një numër i madh i qytetarëve tanë nuk do të dëshironin të shohin një zhvillim të tillë të evenimenteve.

Të nderuar deputetë,

Në procedurën e Kuvendit është Propozim-ligji për regjistrimin rreth të cilit një kohë të gjatë ekzistojnë qëndrime diametralisht të kundërta sepse te ne, përkundrejt të gjitha apeleve për qasje të arsyeshme, për fat të keq, regjistrimi nuk perceptohet si statistikë, por, si operacion klasik politik. Në këtë rast dua t’i bëj apel pushtetit t’i vendosë në tekst të gjitha standardet më të larta statistikore të Eurostatit dhe të gjitha propozimet konstruktive të opozitës që të marrim rezultate valide kredibilitetin e të cilit nuk do ta kontestojë askush.

Jam i bindur se tensionet më të larta politike rreth kësaj nisme strategjike për shtetin, në një masë të madhe do të ishin të zvogëluara nëse të gjitha subjektet politike e arsyetojnë qëllimin e vet që presin të arrihet me miratim të ligjit: a është të arrihen të dhëna të sakta statistikore në bazë të të cilave do të mund të formulojmë politika dhe strategji afatgjata, apo politizim i rezultateve të regjistrimit që të kontestohet statusi i bashkësive etnike?

Parashikimin tim për këtë çështje e kam thënë disa herë dhe nuk kam problem ta them publikisht as sot: nuk ekziston shtet në botë  i cili ka përparuar nëpërmjet shkurtimit të të drejtave të qytetarëve të vet ose me problematizim të statusit të tyre juridik dhe politik. Një gabim të tillë ne e bëmë në vitet e largëta të ’80-ta të shekullit të kaluar dhe kjo rezultoi me tensione ndëretnike të cilat e zvogëlojnë në mënyrë drastike kohezionin e shoqërisë dhe rezistencën e tij në kriza.

Të nderuar,

A do ta vendosim përfundimisht shtetin juridik në themele të shëndetshme nuk është çështje për reformë teknike të ndonjë prej institucioneve gjyqësore. Kjo është çështje ekzistenciale për mbijetesën e shtetit tonë. Nga shteti juridik varen drejtpërdrejt: zhvillimi ekonomik, demokracia, përfundimisht edhe emigrimi. Të rinjtë dhe të aftit nuk e lënë vendin e vet vetëm për shkak të mbijetesës, por shpesh edhe për shkak të (jo)cilësisë së jetës. Kurse, drejtësia është një nga aspektet kryesore të cilësisë së jetës. Gjithkush dëshiron të jetojë në një shoqëri të organizuar dhe në një shtet me të ardhme të parashikueshme.

Pas vitesh të kaluara në ndjekje dhe analiza të indikatorëve katastrofalë demografikë, duhet të kuptojmë se shpërngulja është një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë tonë nacionale. Zgjidhja, sipas meje është, një orë e më parë, me konsensus mbipartiak të miratojmë strategji për ballafaqimin me këtë problem enorm. Për këtë, të gjitha partitë politike dhe politikanët kemi qëndrim identik sepse shpërngulet rinia jonë, pavarësisht nga përkatësia etnike. Shpërngulet pa kthim truri, energjia dhe kreativiteti i të gjitha gjeneratave të cilat kanë potencial enorm që ta bëjnë vendin e vet të denjë për të jetuar.

Pas rastit ku ishte përfshirë njeriu i parë i PSP-së së dikurshme, qytetarët sikur e humbën akoma më shumë shpresën se drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit janë të mundshme. Detyra jonë si politikanë, është, jo e dikujt tjetër, atë shpresë se drejtësia është e arritshme dhe se nuk ka të paprekshëm, t’ua kthejmë qytetarëve.

Qeveria e vendosi luftën kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar si prioritetin e vet më të lartë dhe i përgëzoj për këtë gjë. Megjithatë, në Qeveri, duhet të jenë të vetëdijshëm, gjithashtu, se suksesi në atë luftë, do të jetë në të njëjtën kohë edhe indikatori kryesor, sipas të cilit, jo Brukseli, por qytetarët tanë do të vlerësojnë se a do ta arsyetojnë mandatin që e mori në zgjedhjet e 15 korrikut.

Të nderuar,

Neve nuk na nevojitet dialogu për çështjet e antikës ose të shekullit të 19-të, as për atë se çfarë jemi dhe në ç’gjuhë flasim. Neve na nevojitet konsensus nacional për digjitalizim të tërësishëm të shoqërisë, për burime të rinovueshme të energjisë, agrosektor modern, sistem modern shëndetësor, arsim të shekullit të 21.

Nga Revolucioni i parë  industrial deri më sot ekziston një konstante në zhvillim e shteteve: zbatimi i inovacioneve teknologjike është faktori kryesor për progres të shoqërive. Bota është në fillim të revolucionit të katërt industrial, ku arsimi 4.0 është komponenti kryesor.

Maqedonia e Veriut duhet të transformohet me patjetër në vend startap, vend në të cilin mbështeten dhe promovohen inovacionet dhe teknologjitë e reja nëpërmjet hapjes së inkubatorëve dhe parqeve teknologjike. Për gjithçka nevojiten ndryshime strukturore në sistemin tonë arsimor i cili duhet t’i përgatisë nxënësit që të zgjidhin probleme, në vend që të memorizojnë zgjidhje të gatshme, siç është sot, për fat të keq, në shumë shkolla.

Gjatë këtij viti u përpoqa në çdo rast të mundshëm ta mbështes dialogun me partitë politike, me organizatat joqeveritare, me shoqatat e zejtarëve, me individët nga të gjitha rajonet e vendit të cilët ose kanë pasur ndonjë problem ose dëshironin që ndonjë ide të vet ta prezantojnë para institucioneve. Për fat të keq, në kultivimin e dialogut nuk kam qenë gjithmonë si suksesshëm prandaj ndonjëherë nga ana tjetër në vend të vullnetit për bisedë ekzistonin paragjykime politike. Por, pavarësisht nga kjo, unë do ta respektoj parimin tim themelor dhe në politikë dhe në jetë se për të gjitha çështjet dhe problemet zgjidhja arrihet nëpërmjet dialogut dhe respektit për këdo.

Në periudhën në vijim do të vazhdoj të bisedoj me shoqatat për të drejtat e njeriut dhe të punëtorëve, me ata të cilët janë të margjinalizuar dhe të lëndueshëm, me ata, zëri i të cilëve nuk vjen deri te ne, sepse lufta për jetë të denjë dhe shoqëri solidare dhe të drejtë nuk duhet të të ndalojëasnjëherë.

Të nderuar qytetarë, të nderuar deputetë, i nderuar publik,

Vitin e kaluar, si popull, kaluam nëpër golgotën më të madhe siç nuk mbajnë mend as qytetarët tanë më të moshuar. Paguam një shumë enorme, mbi 2.100 qytetarë tanë e humbën jetën, shumë familje mbeten të trishtuara përjetë. Duke jua uruar të gjitha festat që vijnë, dëshiroj, jo vetëm si President, por edhe si njëri prej jush, t’ju lut t’i festoni në shtëpi në rrethin e më të afërmve që ta ruajmë më të shtrenjtin që e kemi – shëndetin dhe jetën. Kur duruam gjithë vitin, me maska, karantinë, izolim dhe lëvizje të kufizuar, ju lutem, të durojmë edhe ndonjë muaj para se të fillojmë të kthehemi në normalitet. Do të ketë kohë edhe për të dalë edhe për t’u shoqëruar edhe për biseda me miqtë dhe shokët. Por, humbëm shumë njerëz që të lejojmë tragjedi të reja njerëzore dhe familjare.

T’ju dëshiroj në vitin 2021 paçi shëndet ju dhe të afërmit tuaj. Nëse e ruajmë më të shtrenjtin – shëndetin, për të gjitha problemet dhe vështirësitë të cilat i sjell gjithmonë jeta me vete, do të kërkojmë zgjidhje dhe do të ndihmojmë njëri-tjetrin.

Qofshi të gjithë gjallë dhe të shëndetshëm dhe e paçim të përjetshëm shtetin tonë të përbashkët – Republikën e Maqedonisë së Veriut!

Ju faleminderit!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit