Fjalimi me rastin e 18 Gushtit – Ditës së Armatës

18 Gusht 2020 | Kumtesat

Të nderuar përfaqësues të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut,

Të nderuar ekselenca

Të dashur qytetarë,

Festa jonë e sotshme është rast që të kthehemi në vitin 1943 kur në Malin Sllavej është formuar batalioni i parë i luftës nacionalçlirimtare. Vazhdimësia  midis batalionit “Mirçe Acev” dhe armatës së sotme bashkëkohore nuk është vetëm historike, por është edhe e vyeshme. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, njësitë partizane maqedonase ishin pjesë e koalicionit global i cili iu kundërvu të keqes fashiste dhe naziste. Përveç se është realizuar qëllimi më i rëndësishëm – liria, ushtria partizane ishte në anën e vërtetë të historisë, kështu që popullit tonë i siguroi  vend me dinjitet midis fitimtarëve të luftës të cilët e krijuan rendin e ri botëror.

Këtë vit u bëmë anëtari i 30 i NATO-s, organizata e shteteve demokratike dhe prosperitare. Anëtarësimi është rezultat i vullnetit të shumicës së qytetarëve tanë, si dhe e përpjekjeve të shumë përbërjeve parlamentare dhe qeverive në tri dekadat e kaluara. Është e pakontestueshme se bëhet fjalë për një arritje të jashtëzakonshme historike e cila e garanton sigurinë tonë dhe e përforcon kohezionin e brendshëm të shoqërisë sonë multietnike.

Anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO nuk do të ishte i mundshëm pa përpjekjet në vazhdimësi dhe raportin profesional të të gjithë përfaqësuesve të Armatës, pa njerëzit të cilët janë fuqia kryesore dinamike e procesit integrativ. Anëtarësimi ynë është rezultat i reformave të thella në mbrojtje, përkushtimit personal të grave dhe burrave të guximshëm në forcat tona të armatosura dhe pjesëmarrja e tyre në misionet e ndryshme paqësore nëpër botë.

Në realizimin e qëllimit tonë strategjik e kemi pasur gjithmonë edhe mbështetjen konsistente të shteteve anëtare. Midis tyre, vend të veçantë ka mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Që nga pavarësia jonë deri më sot, SHBA-ja na ka ndihmuar të ndërtojmë një armatë dhe shtet stabil, të sigurt dhe me prosperitet. Pikërisht sot, ia dhashë Urdhrin për merita ushtarake Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky urdhër është shprehje simbolike e falënderimit të qytetarëve maqedonas ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit mik amerikan për të gjithë mbështetjen në dekadat e kaluara.

Të nderuar të pranishëm,

Nuk është frazë nëse themi se po të jesh pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake-politike në botë është privilegj, por edhe obligim edhe më i madh ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj aleatëve tanë. Arsyeja kryesore pse duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s është për shkak të vlerave themelore të këtyre dy bashkësive. Aty është edhe vlera kyçe e sundimit të të drejtës dhe shtetit juridik funksional si kusht themelor për zhvillim ekonomik dhe social. Krimi i organizuar dhe korrupsioni i lartë të cilët, për fat të keq, janë pjesë e përditshmërisë sonë e shkatërrojnë besimin e qytetarëve në institucionet dhe shpresën për një jetë të mirë.

Detyra më e rëndësishme e gjeneratës sonë politike është vendosja e një sistemi për ballafaqim efikas me krimin dhe korrupsionin. Jam i bindur plotësisht se trashëgimia jonë politike do të varet më shumë nga suksesi i realizimit të kësaj detyre. Historia nuk do të na i falë nëse edhe kësaj here nuk jemi në anën e vërtetë siç ishim edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pa besim në institucionet e rrezikojmë edhe sigurinë tonë nacionale. Reputacioni i ulët dhe dëshpërimi i qytetarëve nga politika dhe nga ne, politikanët, krijojnë ambient ideal për mënyrat e reja të minimit të stabilitetit dhe sigurisë, siç janë kërcënimet hibride. Mënyra më e mirë për luftën kundër dezinformacioneve, lajmeve të rreme dhe kërcënimeve të tjera hibride është pikërisht besimi i lartë i qytetarëve në institucionet demokratike. Kurse, ai besim meritohet vetëm nëpërmjet politikës së përgjegjshme dhe luftës pa kompromis me ata të cilët i shkelin ligjet, pavarësisht nga funksioni dhe fuqia e tyre. Nëse nuk jemi të gjithë të barabartë para ligjit dhe nëse pushteti politik përdoret për të mirën personale, ndërsa jo për të mirën publike, shteti i tillë nuk ka perspektivë.

Anëtarësimi në NATO e ngre në një shkallë shumë më të lartë edhe përgjegjësinë e Armatës. Nga marsi i këtij viti uniforma dhe emri ynë janë pjesë e pandashme e kësaj aleance globale. Prandaj, duhet të vazhdojmë të investojmë në mbrojtje, ta modernizojmë dhe pajisim Armatën dhe për këtë gjë do ta keni vazhdimisht mbështetjen time personale.

Përpjekja ime politike e lartë si Komandant suprem, kurse këtë e pres edhe nga qeveria e re, është që në vitet e ardhshme ta realizojmë qëllimin e caktuar për investim të minimum 2% të PBV-së në modernizimin dhe zhvillimin e Armatës. Këtë përpjekje, së bashku me qeverinë e re dhe me parlamentin e ri, do ta aktualizojmë sidomos në prag të përgatitjes së buxhetit për vitin e ardhshëm. Në këtë kontekst dua të nënvizoj se është e pakontestueshme vazhdimësi e pjesëmarrjes sonë aktive edhe në misionet paqësore të udhëhequra nga NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara duke kontribuar në paqen dhe në sigurinë globale.

Të nderuar

Sfidat e reja të sigurimit për shtetin tonë dhe për aleancën e NATO-s duhet t’i shohim edhe në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga virusi korona. Është e dukshme se pandemia nuk shkakton vetëm krizë shëndetësore, por edhe politike, ekonomike dhe sigurie. Kërcënimet hibride, të cilat i përmenda, janë vetëm një pjesë e kërcënimeve që kanë për qëllim ta shkatërrojnë stabilitetin e shteteve, ta lëkundin besimin midis aleatëve dhe t’i dobësojnë përpjekjet nacionale dhe të përbashkëta për fitore mbi virusin. Nga fillimi krizës, një nga qëllimet kryesore të aleatëve, kurse edhe qëllimi ynë, ishte dhe mbetet të jetë – kriza shëndetësore, ekonomike dhe sociale të mos kalojë në kërcënim sigurie.

Muajt e kaluar kishim shansin edhe në kushte të tilla të krizës së thellë globale ta shohim rezistencën dhe përshtatjen e Aleancës. NATO-ja e ka bërë këtë me sukses në shumë nivele. I ndërton resurset e shteteve anëtare për ballafaqim me rreziqet, duke përfshirë edhe epidemitë, si dhe kapacitetet për luftë kundër fushatave për dezinformim të publikut të cilat janë zmadhuar në mënyrë rapide. NATO-ja jep mbështetje të tërësishme logjistike dhe për transportin e pajisjes së domosdoshme mjekësore për vendet anëtare dhe mundëson shkëmbim solidar të materialit dhe personelit mjekësor. Si anëtare e plotfuqishme ne jemi tashmë pjesë e mekanizmave koordinues të NATO-s në ballafaqimin me pandeminë dhe me kërcënimet hibride.

Të nderuar,

Në nivel nacional, në betejën kundër virusit pjesëmarrje të rëndësishme ka edhe Armata. Prandaj sot, Urdhrin për merita ushtarake ua kam dhënë dy njësive të Armatës, të cilat kanë rezultate të theksuara. Përveç angazhimit të tyre në kushte të paqes në vend dhe në misione ndërkombëtare, këto dy njësi dhe në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur u dhanë mbështetje të madhe institucioneve të tjera, sidomos Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe njësive të vetëqeverisjes lokale.

Batalioni i tretë këmbësor i Brigadës së Parë Këmbësore i Komandës për Operacione nga Tetovës kishte mision të suksesshëm në rajonet e shpallura të krizës në komunën e Dibrës dhe të Qendër Zhupës. Batalioni  për Mbështetje Mjekësore Ushtarake i Bazës Logjistike, përveç se përditë kujdeset për shëndetin e përfaqësuesve të Armatës, e ka vënë spitalin e vet në dispozicion të Klinikës për Sëmundje Infektuese dhe angazhoi personel mjekësor për mbështetje të Qendrës Kovid në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”. Nëpërmjet dhënies së dekoratës për këto dy njësi në mënyrë simbolike u japim mirënjohje edhe të gjithë përfaqësuesve të Armatës të cilët në muajt e kaluar ishin angazhuar në ballafaqimin me pasojat e pandemisë.

Si Komandanti juaj suprem jam veçanërisht krenar që keni dëshmuar profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të lartë në këto kohë të vështira. Gatishmëria juaj që të ndihmoni aty ku nevojitet më shumë është shembull për të gjithë bashkësinë tonë. Kjo na obligon të vazhdojmë investimin në Armatë, në pajisjen dhe armatosjen e saj, por, para së gjithash dhe mbi të gjitha, të investojmë te ju, në potencialin njerëzor dhe në standardin tuaj jetësor, sepse Armatën nuk e përbëjnë objektet, por njerëzit prej të cilëve varet siguria dhe stabiliteti ynë.

Të nderuar përfaqësues të Armatës,

Të nderuar bashkëqytetarë,

 Kjo është një ditë e madhe për Armatën tonë dhe për të gjithë ne. 18 Gushtin – Ditën e Armatës po e festojmë për herë të parë si shtet anëtar i NATO-s. Për herë të parë, së bashku me Armatën tonë, festojnë simbolikisht edhe aleatët tanë në NATO.

Gëzuar Ditën e Armatës!

E paçim të përjetshëm shtetin!

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...