Fjalimi në hapjen e ekspozitës “150 vjet nga lindja e Goce Dellçecit (1872-2022)”

4 Shkurt 2022 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim me rastin e ekspozitës “150 vjet nga lindja e Goce Dellçecit (1872-2022)” ku janë përfshirë dokumente origjinale, letra, fotografi si dhe artikuj të gazetave dhe material tjetër arkivor në lidhje me jetën e tij dhe aktivitetin revolucionar. Ekspozita e vendosur nga Arkivi Shtetëror u realizua me mbështetje nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

I nderuar kryetar i Kuvendit, i nderuar kryeministër,

I nderuar drejtor i Arkivit Shtetëror, të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik, të ftuar të respektuar, miq të dashur,

Sot shënojmë një jubile me të vërtetë të rëndësishëm – 150 vjet nga lindja e apostullit të lëvizjes revolucionare maqedonase – Gjorgji Nikollov Dellçev, i njohur në popull si Goce Dellçev. Ekspozita e vendosur nga Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila përfshin dokumente origjinale, letra dhe fotografi, si dhe artikuj gazetash dhe materiale të tjera arkivore që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e tij revolucionare, është padyshim ngjarja kryesore në kremtimin e këtij jubileu.

Kjo është padyshim një mundësi jashtëzakonishte rrallë për të bërë pasqyrim të materialit arkivor për Dellçevin të mbledhur ndër vite, por edhe për të nxitur interesin shkencor për kërkime të mëtejshme, veçanërisht në arkivat e Republikës së Turqisë, si dhe në disa vende fqinje. Dihet se për Goce Dellçevin si një nga figurat tona më të rëndësishme historike ekziston një opus mjaft i gjerë shkencor-historik dhe letrar. Në një pjesë bëhet fjalë për një qasje të estetizuar, beletristike me patos romantik, kurse bie në sy përmendja e shpeshtë e emrit të tij në krijimtarinë tonë folklorike

Megjithatë, karakteri dhe vepra e tij meritojnë hulumtime të reja, studime të reja dhe tubime shkencore dhe përkthim të gjetjeve të reja në gjuhët botërore. Kuptohet se është e rëndësishme që shkenca historike të qëndrojë larg politikës ditore, të mbajë qasje objektive, të lirë nga kufizimet e narrativave të dhëna ideologjike dhe nacionale. Në këtë kontekst, ajo që është grumbulluar si material deri tani në arkivin tonë ka një vlerë të paçmuar. Prandaj e konsiderojmë me të drejtë Arkivin Shtetëror si ruajtës të kujtesës së së shkuarës, historisë dhe kulturës sonë.

Përveç se në tekstet e historisë dhe letërsisë sonë, Dellçevi është i pranishëm edhe në muzikë, pikturë, radiodrama, projekte filmike televizive. Shpresoj se edhe artistët tanë bashkëkohorë, që krijojnë në fusha të ndryshme dhe në media të ndryshme, do të gjejnë nxitje dhe frymëzim në biografinë e Dellçevit, në mendimet dhe idetë e tij dhe do të na ofrojnë këndvështrime të reja autoriale, për të cilat, shpresoj që nxitje do të jetë ekspozita që do të hapet sot.

Të nderuar,

Goce Dellçevi ishte vizionar, ideolog dhe udhëheqës i veprës nacionalçlirimtare maqedonase nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të dhe arritjet kryesore të brezit të Ilindenit maqedonas padyshim që e mbajnë vulën e tij. Ai e dha jetën për çështjen më të lartë të lirisë kombëtare dhe shoqërore dhe me të drejtë për popullin maqedonas është shtyllë mbi të cilën e ndërtojmë shtetësinë dhe pavarësinë tonë. Falë përkushtimit ndaj punës, Dellçevi e ka siguruar përgjithmonë vendin e tij në kujtesën kolektive të popullit maqedonas.

Idetë dhe kozmopolitizmi i tij, që ishin shumë përpara kohës në të cilën ka jetuar, i tejkalojnë lehtësisht kornizat kombëtare dhe rajonale. Bëhet fjalë për një revolucionar, mendimi dhe vepra e të cilit mbështesin konceptet më të rëndësishme universale njerëzore për lirinë, drejtësinë dhe barazinë. Na bën krenarë që idealet e tij i ndajmë me të gjitha kombet liridashëse në botë, veçanërisht me fqinjët tanë të parë.

Të nderuar të pranishëm,

Bota në të cilën ka jetuar Dellçevi dhe ajo në të cilën jetojmë sot janë krejtësisht të ndryshme. Populli maqedonas, për lirinë e të cilit luftoi, e fitoi atë dhe formoi shtetin e tij, në mënyrë që të mund të konkurrojë barabar me të gjithë popujt e tjerët në botën, e kuptuar si fushë për konkurrencë kulturore midis kombeve.

Megjithatë, idealet e tij nuk janë realizuar plotësisht. Jemi dëshmitarë se bota moderne nuk është imune ndaj konflikteve, tensioneve dhe krizave të karaktereve të ndryshme. Fusha e konkurrencës kulturore po ngushtohet dhe herë pas here bëhet arenë për të cilën vlen sintagma se njeriu për njeriun është ujk.

Beteja jonë kryesore sot është të bëjmë gjithçka brenda mundësive tona – si shtet, si individë, si njerëz mbi të gjitha dhe të konkurrojmë vetëm në betejat kulturore, civilizuese dhe në garën e ideve. Të kultivojmë solidaritetin dhe t’i vëmë në jetë idealet e Dellçevit për të treguar se ato mund të jenë po aq relevante dhe përparimtare edhe sot saç ishin edhe para më shumë se një shekull kur kanë lindur për herë të parë.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....