Fjalimi i Presidentit Pendarovski me rastin e 65-vjetorit të ekzistimit të ISHP Spitali i Specializuar i Gjeriatrisë dhe Mjekësisë Paliative “13 Nëntori” – Shkup

13 Nëntor 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski së bashku me bashkëshorten Elizabeta Gjorgievskën morën pjesë në festimin e 65-vjetorit të ekzistimit të ISHP Spitali i specializuar i gjeriatrisë dhe mjekësisë paliative “13 Nëntori” – Shkup.

Në fjalimin e vet, Presidenti Pendarovski theksoi se që ta përmbushë rolin e vet të vërtetë, sistemi maqedonas për mbrojtje sociale dhe shëndetësore duhet të mësojë nga shembujt dhe praktikat e mira, kurse për këtë nuk duhet të shkojmë më larg se Spitali i specializuar për mjekësinë gjeriatrike dhe paliative “13 Nëntori”.

“Thelbi i spitalit jeni ju doktorët, infermieret, teknikët, kujdestarët, laborantët, fizioterapeutët, punonjësit socialë dhe të punësuarit e tjerë të përkushtuar në punën e vet, që kanë pamje të qartë për rolin tuaj në jetën e pacientëve. Me profesionalizmin dhe sakrificën tuaj, ju jeni ruajtës të mirëqenies së pacientëve dhe të familjeve të tyre, kurse nëpërmjet kësaj edhe të reputacionit të këtij institucioni shtetëror të ndërtuar me vite me radhë”, theksoi Presidenti Pendarovski.

ISHP Spitali i specializuar për mjekësinë gjeriatrike dhe paliative “13 Nëntori” – Shkup është institucioni i vetëm publik shëndetësor në Republikën e Maqedonisë së veriut që punën në fushën e kujdesit gjeriatrik dhe paliativ. Institucioni ka qëllim ta ndjekë gjendjen, të studiojë, evaluojë, informojë dhe planifikojë projeksionin e nevojave shëndetësore të ardhshme dhe të aftësive të kufizuara funksionale të të moshuarve në institucion dhe jashtë institucionit.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar të pranishëm,

Kam nderi t’ju përshëndes sot në këtë ditë kur festojmë çlirimin e Shkupit, por festojmë edhe 65-vjetorin jubilar të themelimit të Spitalit të specializuar “13 Nëntori”.

Funksioni themelor i këtij spitali është të ndihmojë disa kategori jashtëzakonisht vulnerabile, kurse ata janë të moshuarit dhe personat e pafuqishëm, si edhe pacientët të cilët kanë nevojë të domosdoshme për përkujdes intensiv dhe kujdes paliativ. Raporti ndaj më vulnerabilëve është matës i vërtetë i karakterit të një shoqërie. Por, kjo detyrë e rëndësishme është sfidë gjithnjë dhe më e madhe për sistemin shëndetësor maqedonas, për disa shkaqe.

Së pari, popullata jonë po plaket dhe numri i personave të moshuar të cilët kanë nevojë për ndihmë të domosdoshme po rritet. Së dyti, për shkak të migrimit, numri i punonjësve shëndetësorë cilësorë, profesionalë po zvogëlohet. Pesha gjithnjë më e madhe e sistemit bie mbi një numër gjithnjë dhe m të vogël të punonjësve shëndetësorë të cilët ballafaqohen me sindromën e mbingarkesës apo të djegies. Së treti, mospërputhjet dhe keqpërdorimet e akumuluara sistematike kanë ulur besimin e qytetarëve te shëndetësia.

Çmimin më të lartë e paguajnë bashkëqytetarët tanë më vulnerabilë që, në vend që të trajtohen si personalitete me dinjitetin e vet, perceptohen si peshë për sistemin. Madje në opinion imponohet edhe pyetja a ballafaqohemi ne me një diskriminim të heshtur ndaj më të moshuarve Si të kujdesemi për të moshuarit dhe të pafuqishmit në kohë të cilat e imponojnë rininë për shkak të moshës?
Që ta përmbushë rolin e vet të tërësishëm, sistemi maqedonas i mbrojtjes sociale dhe shëndetësore duhet të mësojë nga shembujt dhe praktikat e mira. kurse për këtë nuk duhet të shkojmë më larg se Spitali i specializuar për mjekësinë gjeriatrike dhe paliative “13 Nëntori”. Thelbi i spitalit jeni ju doktorët, infermieret, teknikët, kujdestarët, laborantët, fizioterapeutët, punonjësit socialë dhe të punësuarit e tjerë të përkushtuar në punën e vet, që kanë pamje të qartë për rolin tuaj në jetën e pacientëve. Me profesionalizmin dhe sakrificën tuaj, ju jeni ruajtës të mirëqenies së pacientëve dhe të familjeve të tyre, kurse nëpërmjet kësaj edhe të reputacionit të këtij institucioni shtetëror të ndërtuar me vite me radhë.

Besoj se rezultatet e tilla nuk janë të rastësishme dhe se ju, i respektoni dhe udhëhiqeni, me të vërtetë, nga vlerat të cilat i kanë besuar dy humanitaret më të shquara të shekullit të 20-të emrat e të cilave i mbajnë shtëpitë për të moshuarit në Zllokuqani dhe shtëpia për kujdes paliativ në Shkup dhe në Manastir.

E para është bashkëqytetarja jonë, Nënë Tereza, e njohur si nëna e mëshirës e cila ka besuar se “sëmundja më e madhe e së sotshmes është ndjenja se jeni të padëshiruar, pa kujdes dhe të lënë nga të gjithë” dhe se medikamenti më i mirë është dashuria e shprehur nëpërmjet veprave të mira dhe humane.

E dyta është britanikja e saj bashkëkohore, Sju Rajder e cila ua ka kushtuar jetën e vet kategorive të lëndueshme pasi ka parë shumë njerëz të cilët kanë qenë të harruar krejtësisht gjatë rindërtimit të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

Nënë Tereza dhe Sju Rajderi kanë vepruar në vende të ndryshme të botës dhe në kontekste të ndryshme sociale. E para është ballafaquar me sistemin e padrejtë kastin që i ka shtypur të varfrit dhe të sëmurët në margjinat e nënkontinentit indian. E dyta, ka luftuar me pasojat e ideologjive dhe regjimeve totalitare në Evropë që e kanë idealizuar rininë dhe fuqinë, kurse i kanë çnjerëzuar të sëmurët, të dobëtit dhe të moshuarit.

Por pavarësisht nga dallimet, Nënë Tereza dhe Sju Rajder kanë pasur një mision të njëjtë të përbashkët. Në vend që të dëshpërohen nga nevojat për ndihmë dhe kujdes të një numri të madh njerëzish, secila prej tyre është fokusuar të ndihmojë individë konkretë. Sju Rajder ka thënë “bëj gjithçka që mundesh për personin që është para teje”, kurse një qëndrim dhe besim shumë të ngjashëm kushte edhe Nënë Tereza e cila ka thënë “Mos u shqetëso asnjëherë për numrat. Ndihmoji njerëzit, një nga një, dhe fillo gjithmonë nga personi që është më afër teje”.

Të dyja na rikujtojnë se pacientët janë shumë më tepër se sëmundja e tyre. Se të moshuarit dhe të pafuqishmit janë shumë më tepër se dobësia e tyre dhe se nevoja për kujdes. Ata janë individë me dinjitet të lindur dhe vlerë të patjetërsueshme që meritojnë trajtim dhe kujdes njerëzor. Janë prindërit, gjyshërit, të afërmit e dikujt, të cilët për shkak të nevojës për terapi intensive apo paliative, i janë besuar sistemit shëndetësor dhe detyra e sistemit është t’u ofrojë kujdes shëndetësor pa i trajtuar si barrë apo statistikë.

Të udhëhequr nga besimi i tyre i thellë te Zoti, por edhe nga dashuria për njerëzit, këto dy gra markante krijuan shumë më tepër sesa institucionet. Ashtu si paraardhësi i tyre Florence Najtingejl dhe bashkëkohësi i tyre Albert Shvajcer, ata frymëzuan një lëvizje njerëzish të përkushtuar për t’u kujdesur për anëtarët më vulnerabël të shoqërisë. Dhe të gjithë këtë e arritën në kushte shumë më të vështira se ato në të cilat është sot shëndetësia maqedonase. Me shembujt e tyre, ata treguan se edhe në kushte modeste mund t’u kushtohet kujdes dinjitoz personave të sëmurë, të moshuar dhe të pafuqishëm.

Ndër vite, Spitali “13 Nëntori” i ka përvetësuar këto vlera fisnike dhe për këtë arsye sot mund të jetë shembull për shumë institucione publike dhe private se si të kujdesen për pacientët e tyre. Për këtë arsye shteti, së bashku me organizatat bamirëse, duhet të vazhdojë të investojë në kuadrin e tij dhe në pajisjet materialo-teknike të këtij spitali.

Kuptohet, Spitali “13 Nëntori” nuk është ishull i izoluar sepse për ditë bashkëpunon me disa nga institucionet më të rëndësishme në Maqedoni në tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohen. Për shkak të përvojës enorme dhe kuadrit profesional, “13 Nëntori” është institucion i cili i di nevojat reale shëndetësore të shoqërisë maqedonase për kujdes gjeriatrik dhe paliativ.

Domethënë, për këtë arsye Spitali “13 Nëntori” nuk duhet të anashkalohet gjatë përpilimit të strategjive dhe politikave që duhet ta kthejnë kujdesin për shëndetin dhe për jetën e pacientit në qendër të sistemit shëndetësor maqedonas.

Në fund, duke jua uruar të jubile të madh – 65 vjet nga themelimi, në emër të të gjithë pacientëve të mëparshëm, të tanishëm dhe të ardhshëm si edhe në emër të të afërmve të tyre ju faleminderit për gjithçka që bëni për shëndetin e mirë për të gjithë ne.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit