Gjorgievska: Edukimi është kryesor për ballafaqim të stigmatizimit dhe diskriminimit të personave pozitivë me HIV

1 Dhjetor 2021 | Kumtesat

Bashkëshortja e Presidentit, znj. Elizabeta Gjorgievska, sot mori pjesë në diskutimin panel “Sot jetohet me HIV”, me rastin e festimit të 1 Dhjetorit – Ditës Botërore të Luftës kundër Sidës.

Në këtë panel u diskutua mbi partneritetin e suksesshëm të institucioneve dhe sektorit qytetar në ballafaqimin me infeksionin HIV, shërbimet për testim HIV të organizatave qytetare, rëndësinë e testimit në kohë, parametrat kryesorë në lidhje me gjendjen epidemiologjike dhe trendët e infeksionit HIV në Maqedoninë e Veriut, kurse janë prezantuar edhe dëshmitë e pacientëve.

Znj. Gjorgievska shprehu mbështetje për qytetarët tanë të cilët jetojnë me HIV, për familjet e tyre më të gjera dhe për të gjitha institucionet edhe organizatat që kujdesen për personat me HIV/SIDA.

Bashkëshortja e Presidentit tha se në kushte të pandemisë së vazhduar të kovid-19, këto diskutime dhe shkëmbime të përvojave janë një mundësi e përkryer të njihemi me të gjitha sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen institucionet, si dhe personat me status pozitiv HIV.

Në fjalimin e vet, znj. Gjorgievska foli edhe mbi diskriminimin dhe stigmën me të cilën ballafaqohen njerëzit me HIV në realizimin e të drejtave të veta nga fusha e mbrojtjes shëndetësore dhe sociale, si dhe me paragjykimet e bashkësisë.

“Momenti kryesor në ballafaqimin me diskriminimin dhe stigmatizimin është edukimi dhe nxitja e vetëdijes që në moshë të vogël. Më e rëndësishmja është t’i mësojmë fëmijët për shprehi dhe kuptime të drejta”, rekomandoi znj. Gjorgievska.

Duke thënë se kjo është një çështje shëndetësore globale dhe se përafërsisht 38 milionë persona në botë jetojnë me HIV/SIDA, znj. Gjorgievska theksoi se në vendin tonë është arritur një përparim i jashtëzakonshëm në ballafaqimin me HIV/SIDA.

Në lidhje me statistikat se numri i të infektuarve të rinj shënon rënie, ajo shprehi shpresën se ky trend rënës do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

“Unë shpresoj se deri në fund të vitit 2030, do të arrijmë t’i plotësojmë këto qëllime globale të përcaktuara, kurse ato janë të arrijmë zero raste të reja të infektuar me HIV në vendin tonë”, rekomandoi bashkëshortja e Presidentit.

Duke theksuar rëndësinë e testimeve të shpeshta, në kohë dhe anonime si dhe rëndësinë e zbulimit të infektimit në fazë të hershme, znj. Gjorgievska apelon të testohen jo vetëm grupet e rrezikshme, por edhe të gjithë ata që kanë pasur sjellje të rrezikshme.

Njëkohësisht, ajo shprehu mbështetjen e fuqishme për platformën e shoqatave qytetare, të cilët janë angazhuar në zbatimin e programit HIV dhe e përshëndeti bashkëpunimin e tyre të përkryer me institucionet shtetërore.

“Dëshiroj t’u jap mbështetje të gjitha shoqatave qytetare të cilat bashkëpunojnë me institucionet shtetërore në dhënien e ndihmës psikologjike, ndihmojnë me testimin, dhënien e terapisë, dhe u japin mbështetje të gjithë personave, jo vetëm atyre të cilëve jetojnë me HIV, por edhe të gjitha familjeve më të gjera dhe miqve të tyre, me qëllim që praktikisht t’u mundësohet jetë normale dhe ata të mund të funksionojnë normalisht pa dallim nga statusi i tyre HIV”, theksoi në këtë diskutim znj. Gjorgievska.

Në diskutimin panel, morën pjesë edhe dr. Milena Stevanoviq, drejtori mjekësor i Klinikës për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Ferbile, Vesna Ilievska, koordinatore e projektit të Shoqatës HERA, Andrej Senih, drejtori ekzekutiv i Shoqatës për mbështetje të njerëzve që jetojnë me HIV “Së bashku jemi më të fuqishëm”, Angela Aleksandrovska, vullnetare dhe edukatore nga HERA Të Rinj dhe ambasadori Dejvid Gir, Shef i delegacionit të BE-së në Shkup.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit