Gjorgievska: mund të krijojmë botë ku barazia gjinore nuk është qëllim i largët, por realitet i tanishëm

5 Tetor 2023 | Takimet

Në suazat e konferencës rajonale të nivelit të lartë “Fuqia e zgjedhjes: duke realizuar autonominë trupore te gratë dhe vajzat” bashkëshortja e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Elizabeta Gjorgievska mbajti fjalim në panelin e fundit me titull “Thirrje për aksion”.

Duke folur për motivimin e vet që të angazhohet për autonominë trupore të grave dhe për barazinë gjinore, bashkëshortja e Presidentit, Elizabeta Gjorgievska theksoi se në vend, si dhe në shumë pjesë të botës, ekzistojnë sfida me të cilat duhet të ballafaqohemi sepse gratë historikisht ballafaqohen me barriera për qasje te mbrojtja shëndetësore, arsimi, mundësitë ekonomike, kurse dhuna e bazuar në gjini mbetet shqetësim që ndikon mbi shumë jetë.

Sipas znj. Gjorgievska, në vendin tonë janë bërë hapa të rëndësishëm për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave, por ende ka sfida dhe nuk mund të arrihet përparim i qëndrueshëm pa bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar. Ajo shtoi se kjo konferencë është një dëshmi e përkushtimit tonë që të bashkojmë forcat, të shkëmbejmë njohuritë dhe të frymëzojmë veprime.

“Kur flasim për këtë, më lejoni të sqaroj se çfarë është ajo që frymëzon angazhimin tim, i cili është në përputhje me thelbin e pyetjes suaj. Është e thjeshtë, me të vërtetë. Këto janë historitë dhe fytyrat e grave dhe vajzave që kam takuar gjatë gjithë jetës sime, si këtu dhe në mbarë botën. Janë zërat e panumërt që shpesh nuk dëgjohen, forca që nënvlerësohet dhe potenciali që neglizhohet”, theksoi znj. Gjorgievska.

Duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për historitë e luftës dhe padrejtësisë, por edhe për potencialin e pabesueshëm që kanë gratë dhe vajzat, bashkëshortja e Presidentit tha se kur investojmë në mirëqenien e tyre, kur u sigurojmë autonominë trupore dhe mundësitë e barabarta, ne e zhbllokojmë forcën për ndryshim pozitiv e cila mund të transformojë shoqëritë dhe kombet.

“Thënë thjesht, kur grave dhe vajzave u jepen mjetet dhe mundësitë që u nevojiten, ato bëhen nxitës të fuqishëm të ndryshimeve pozitive në shoqëritë tona dhe në botën tonë”, theksoi bashkëshortja e Presidentit.

Në lidhje me motivimin e saj për autonominë trupore të gruas dhe barazinë gjinore, znj. Gjorgievska theksoi se është e motivuar nga besimi se askush nuk duhet të refuzohet për shkak të gjinisë së vet, atë e motivon besimi se çdo grua dhe vajzë meriton të drejtën të vendosë për jetën dhe trupin e saj, si dhe vizionin e një botë ku barazia nuk është vetëm një fjalë, por një realitet i gjallë.

“Gjithashtu, jam e motivuar nga njohuria se mund ta arrijmë atë. Mund të krijojmë një botë ku barazia gjinore nuk është një qëllim i largët, por një realitet aktual. Ky është një mision që i kapërcen kufijtë, kurse unë jam krenare që jam pjesë e kësaj lëvizjeje globale drejt një bote më të drejtë”, rekomandoi bashkëshortja e Presidentit.

Në këtë diskutim në panel folën edhe Armanda Begaj, bashkëshortja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Mirela Beqiroviq, bashkëshortja e anëtarit të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Tamara Vuçiq, bashkëshortja e Presidentit të Serbisë dhe Alesh Musar, bashkëshorti i Presidentes së Republikës së Sllovenisë. Nëpërmjet videomesazhit folën e dhe bashkëshortet e presidentëve të Republikës së Kroacisë dhe të Ukrainës, Sanja Musiq Millanoviq dhe Olena Zelenska.

Organizator i kësaj konference rajonale të nivelit të lartë “Fuqia e zgjedhjes: duke realizuar autonominë trupore te gratë dhe vajzat” është bashkëshortja e Presidentit, Elizabeta Gjorgievska dhe kjo konferencë është organizuar në bashkëpunim me Fondin për Popullatën të Kombeve të Bashkuara – UNFPA, me mbështetje nga Presidenti Stevo Pendarovski.

Në këtë konferencë morën pjesë rreth 100 përfaqësues nga shteti dhe rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, OKB-ja, bashkësia ndërkombëtare, kreatorë të politikave, gra udhëheqëse, përfaqësues/përfaqësuese të shoqërisë qytetare, të rinjtë, ekspertë dhe aktorë të tjerë. Autonomia trupore dhe shëndeti dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë kyçe për përparimin drejt barazisë gjinore, arritjen e Qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së dhe qëllimeve të Programit të veprimit të Konferencës Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD) të mbajtur në Kajro, Egjipt, në vitin 1994.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit