Gjorgievska: Nevojiten përpjekje më të mëdha për motivim dhe përfshirje të grave në shkencë

10 Shkurt 2022 | Kumtesat

Me rastin e 11 Shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, me iniciativë të bashkëshortes së Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Elizabeta Gjorgievska, u mbajt panel-diskutim mbi rolin, përfaqësimin dhe dukshmërinë e grave në shkencë, si dhe sfidat me të cilat përballohen.

Pjesëmarrëse në panel-diksutimin ishin gra shkencëtare nga vendi, kurse prezantimet kishin profesoreshat Jana Kllopçevska, Jadranka Bllazevska – Gilev dhe Emilija Fidançevska nga Fakulteti Teknologjik-Metalurgjik, Marina Stefova nga Instituti i Kimisë në Fakultetin e Shkencave Matematikore dhe të Natyrës, dhe Arieta Aliu, profesoreshë në Qendra Mjekësore shkollore “Nikolla Shtejn”.

Gjorgievska theksoi se barazia dhe disbalanca gjinore janë ende sfidë në aspektin e qasjes së plotë dhe të barabartë të grave dhe vajzave në shkencë dhe për pjesëmarrje në të.

“Gratë zakonisht marrin grante më të vogla për hulumtime sesa kolegët e tyre meshkuj. Edhe pse ato përfaqësojnë 33.3% të të gjithë studiuesve, vetëm 12% e anëtarëve në akademitë kombëtare të shkencës janë gra. “Gratë ende përbëjnë një përqindje të vogël të inxhinierëve të diplomuar dhe shpesh kanë karriera më të shkurtra dhe më pak të paguara dhe puna e tyre nuk është e përfaqësuar sa duhet në revistat shkencore,” tha Gjorgievska. Ajo shtoi se arritja e barazisë gjinore globale dhe zhvillimi në shkencë janë dy aspekte kryesore të synimeve ndërkombëtare për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030.

Sipas Gjorgievskës, është i domosdoshëm rrjetëzimi dhe lidhja e shkencës me bashkësinë e biznesit me qëllim që të rritet potencialin inovativ në vend.

“Jam dakord se edukimi është i rëndësishëm, është e rëndësishme të botojmë punime shkencore dhe të shihet se sa shumë kemi bërë në fushën e shkencës, por në fund të fundit, shkenca në vetvete nuk mjafton. Megjithatë, më në fund duhet të ketë një rezultat nga ajo që kemi punuar, domethënë, lidhja e shkencës me industrinë dhe përpilimi i atyre modeleve që i kemi marrë nëpërmjet metodave shkencore. Mendoj se ky është rezultati përfundimtar që duhet ta kemi”, tha Gjorgievska.

Ajo vlerësoi se është e domoshdoshme pjesëmarrje më e madhe të grave dhe vajzave në debatet publike, duke shprehur shpresën se nëpërmjet diskutimeve të tilla të hapura dhe me përfshirje më të madhe të institucioneve përkatëse, gratë dhe vajzat do të jenë pjesë e zgjidhjeve për tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohemi.

Edhe përkundër përpjekjeve të bëra në dekadat e fundit për motivimin dhe përfshirjen e grave në shkencë, shtoi Gjorgievska, ato ende nuk janë përfshirë sa duhet në shkencë.

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë këtë vit shënohet nën moton “Barazia, shumëllojshmëria dhe përfshirja: uji na bashkon” dhe në këtë drejtim në panel u diskutua mbi ndikimin e shkencës në trajtimin e ndryshimeve klimatike, në drejtim të ruajtjes së resurseve ujore dhe sigurimin e qasjes tek uji i pastër dhe i sigurt, me qëllim të mbrojtjes dhe parandalimit të sëmundjeve.

Janë shqyrtuar aspektet e ndikimit të shkencës dhe teknologjisë mbi përmirësimin e cilësisë së jetës, nevoja për të investuar në shkencë dhe në teknologjinë mjedisore me qëllim që të gjenden zgjidhje për përmirësimin e mjedisit jetësor, si dhe mënyrat se si gratë shkencëtare mund të kontribuojnë në përmirësimin e qasjes tek uji i pijshëm i pastër dhe për nevoja higjienike.

Në diskutim morën pjesë edhe asistentet Marija Prosheva, Iva Dimitrievska, Despina Kostadinova dhe magjistrja Ema Stojçevska.

Gjorgievska i përshëndeti arritjet shkencore të pjesëmarrësve në këtë panel dhe bashkëpunimin vendor dhe ndërkombëtar që e arrijnë, duke shtuar se është veçanërisht frymëzuese kur dëgjojmë vajza të reja të realizuara në fushën e shkencës.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit