Bashkëshortja e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Elizabeta Gjorgievska sot mori pjesë në panelin e diskutimit për dhurimin dhe transplatimin e organeve “Çfarë është bërë? Deri ku jemi? “Ku po shkojmë?”
Bashkëbiseduesit diskutuan mbi aktivitetet edukative dhe informative që kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për transplantimin dhe dhurimin, mbi sfidat e Regjistrit të donatorëve të Maqedonisë së Veriut, mbi gjendjen aktuale, shembujt e suksesshëm dhe progresin e bërë në vitet e fundit, mbi legjislacionin dhe a nevojiten ndryshime, si dhe për problemet me të cilat ballafaqohen pacientët që kanë nevojë për transplantim. Kiril Jancovski, pacient me transplantim të veshkës, e tregoi historinë e tij personale.
Gjorgievska, në fjalimin e vet, i përshëndeti shembujt e suksesshëm të transplantimit, të cilët paraqesin një hap të madh përpara në sistemin shëndetësor maqedonas, duke shtuar se njohuria, gatishmëria e kapaciteteve dhe mbi të gjitha entuziazmi i të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë proces edhe mandej do të rezultojnë me suksese.
“Numrat tregojnë se është bërë shumë në këtë fushë, por mund të bëhet edhe shumë më tepër në të ardhmen. Gjëja më e rëndësishme është ngritja e vetëdijes se transplantimi është një nga mrekullitë e mjekësisë moderne dhe duhet të bëjmë gjithmonë thirrje për humanizëm, solidaritet dhe empati te njerëzit. Te ne njerëzit janë humanë, por edhe duhet të informohen. Duhet të punojmë përditë në rritjen e vetëdijes se transplantimi dhe dhurimi i organeve shpëton jetë dhe përmirëson cilësinë e jetës së njerëzve”, tha Gjorgievska.
Ajo shprehu kënaqësinë për këtë seri debatesh të realizuara me sukses në fushën e shëndetësisë, si mundësi e shkëlqyer që mjekët e rinj të njihen me progresin në fusha të caktuara të sistemit shëndetësor. Gjorgievska shtoi se në vend ka ekspertë të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e transplantimit dhe se është veçanërisht e rëndësishme që t’u përkushtohemi të rinjve dhe edukimit të tyre në qendrat botërore për të zbatuar praktikat botërore dhe trendet e më të reja.
Në lidhje me dhurimin e organeve dhe normativat ligjore, Gjorgievska rekomandoi se duhet të respektohet para së gjithash dëshira e donatorit, por të kihet parasysh edhe gjendja psikologjike e familjes në ato momente kritike.
Në këtë debat morën pjesë Nikolla Brzanov nga Klubi i Mjekëve të Rinj, prof. dr. Aleksandar Petliçkovski, udhëheqës i Institutit për Imunologji dhe Gjenetikë Humane, dr. Irina Panovska-Stavridis, drejtoreshë e Klinikës së Hematologjisë, dr. Bozhidar Koçovski nga Asociacioni i specializantëve dhe të rinjve, dr. Maja Mojsova Mijovska, koordinatore nacionale për transplantim, Dushko Gjorgjiev nga Shoqata e pacientëve të sëmurëve me veshka NEFRON dhe shefi i Delegacionit të BE-së, ambasadori Dejvid Gir.
Ata rekomanduan se këto procese duhet të kenë mbështetje mbinacionale, të jenë të qarta dhe transparente, të sigurojnë fonde nga buxheti për forcimin e procedurave të deritanishme dhe vendosjen e opsioneve të reja të trajtimit për pacientët, monitorim më të mirë dhe cilësi më të mirë të jetës për të gjithë pacientët e transplantuar.
Panel-diskutimi është vazhdimësi e një serie debatesh mbi temat e shëndetësisë të filluara vitin e kaluar, me mbështetjen e bashkëshortes së Presidentit, Elizabeta Gjorgievska dhe ambasadorit Dejvid Gir.