Fjalimi i Presidentit Stevo Pendarovski në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut

19 Dhjetor 2023 | Kumtesat

Të nderuar qytetarë, i nderuar Kryetar i Kuvendit,
I nderuar Kryeministër, të nderuar deputet,
Të nderuar ministra, të ftuar të çmuar,
Shkëlqesitë tuaja, përfaqësues të mediave,

Më lejoni të them se është nder i veçantë që sot për herë të pestë në shtëpinë ligjvënëse mund t’i drejtohem publikut maqedonas për herë të fundit në këtë mandat si President. Kjo ndërtesë dëshmon historinë e tërësishme të shtetit modern maqedonas, momentet e tij sublime, por edhe ato tragjike, nga fillimet e tij si Maqedonia Demokratike Federale pas luftës, dhe deri më sot.
Të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur këtu qofshin ato të bukura ose të shëmtuara, dhe të përgjakshme si 27 prilli i vitit 2017 janë pjesë e historisë sonë së përbashkët prej të cilave, shpresoj, të gjithë së bashku nxorëm mësime të vyeshme historike, që të dimë, siç thoshte Misirkovi, “Çfarë duhet të bëjmë paraprakisht?”.

Megjithatë, periudha më relevante, në perspektivën historike, ka ndodhur në këtë vend, në fillimet e pavarësisë sonë kur janë vendosur fondamentet e shtetit që ishte motivi kryesor të gjithë deputetët e përbërjes së parë parlamentare t’i dekoroj me Urdhrin “8 Shtatori”.

Të nderuar deputetë,

Më 12 maj 2019, në fjalimin tim të parë në këtë Kuvend, si President thashë se energjia dhe potenciali i shoqërisë duhet të jenë të bashkuar rreth disa gjërave strategjike: aspirimet euroatlantike për të cilat ekziston marrëveshje retorike midis subjekteve relevante politike, edhe pse kemi dallime drastike në modalitetet e realizimit të tyre. Mandej, balanca në marrëdhëniet ndëretnike, që ka qenë gjithmonë aksiomë për stabilitetin dhe sigurinë e brendshme, kurse në pjesën e prioriteteve supreme prej të cilave varet se si do të jetë e ardhmja jonë, thashë, se ato janë, së pari, arritja e normave shumë më të larta në zhvillimin ekonomik nga të deritanishmet, dhe, së dyti, zero tolerancë për krimin, korrupsionin dhe nepotizmin.

Pyetja që parashtrohet logjikisht është: Ku kemi qenë atëherë dhe ku jemi sot pas pesë vjetësh?

Më 20 mars 2020 e nënshkrova Instrumentin për aderim në Aleancën e Atlantikut të Veriut, kurse një javë më vonë u bëmë anëtare e plotfuqishme e organizatës më të madhe ushtarako-politike në botë. Kështu i rrumbullakuam angazhimet e shumë përbërjeve parlamentare dhe qeverive, si edhe e materializuam mbështetjen të cilën na e jepte vazhdimisht shumica enorme e qytetarëve maqedonas.

Anëtarësimi në NATO nuk është garanci se nuk do të ballafaqohemi më me kërcënime dhe sfida të sigurisë sepse me to po ballafaqohet çdo shtet në botë. Megjithatë, anëtarësimi është garanci se me sfidat nuk ballafaqoheni më vetë, me ne janë 30 shtete, 30 demokraci, 30 ushtri të fuqishme, 30 miqtë tanë, edhe në kohë të mira edhe në kohë të këqija.

Edhe pse nuk ishte kërcënim ushtarak, pandemia me kovid-19 që shkaktoi traumë kolektive në komb me rreth 10 000 të vdekur i konfirmoi performancat e larta të Aleancës e cila anëtareve të veta u siguroi pajisje mjekësore mbrojtëse në muajin e parë pas shpërthimit të saj. Megjithatë, testimi i vërtetë për arkitekturën e sigurisë së pas luftës në Evropë, ku NATO-ja është shtylla kryesore, erdhi me invazionin brutal rus mbi Ukrainën.

Ne jemi midis pesë shteteve të para anëtare të Aleancës sipas raportit midis prodhimit bruto vendas dhe ndihmës ushtarake dhe materiale-teknike që ia japim Ukrainës në këtë periudhë kritike. Disa e parashtrojnë në mënyrë legjitime pyetjen, pse zbatojmë një politikë të tillë. Përgjigja formale do të ishte: këtë e bëjmë sepse jemi anëtar në NATO, ku vlen parimi i solidaritet, si edhe sepse besojmë në Konventën e Kombeve të Bashkuara e cila nuk lejon agresion ushtarak nga një vend anëtar i saj mbi një tjetër.

Por, përgjigja thelbësore dhe reale do të ishte: sepse nëpër histori kemi vuajtur nga popujt më të mëdhenj rreth nesh, të cilët në disa periudha historike kanë zbatuar strategji destruktive ndaj popullit maqedonas, në spektrin nga shpërfytyrimi i identitetit tonë dhe deri në eliminimin tonë fizik.

Në këtë kontekst të sigurisë, më lejoni të referoj shkurtimisht edhe mbi konfliktin botëror më aktual në këtë moment, midis Izraelit dhe Hamasit, mbi të cilin ne si shtet i vogël nuk mund të ndikojmë me siguri, por mund t’i ndiejmë efektet negative të atij konflikti të përgjakshëm.

Qëndrimi ynë politik është i qartë dhe këtë e demonstruam në të gjitha votimet deri më tani në Kombet e Bashkuara. Elementi i parë në atë pozitë është se Hamasi është organizatë terroriste dhe besoj se ka ardhur koha, ne si shtet ta konfirmojmë edhe me vendim formal. Së dyti, Izraeli, sipas të gjitha akteve ndërkombëtare ka të drejtë të mbrohet, por së treti, sipas të njëjtave akte ndërkombëtare, duhet të ketë kujdes jo për terroristët e Hamasit, por për të drejtat njerëzore të palestinezëve. Në këtë kuptim, armata izraelite duhet të ketë një përdorim proporcional të fuqisë vdekjeprurëse, si dhe t’i mbrojë jetët e civilëve, grave dhe fëmijëve.

Ajo që është më e rëndësishmja nga aspekti i interesave tona nacionale, nevojitet që të gjitha subjektet politike të veprojnë me kujdes dhe përgjegjësi që ai konflikt të mos i thellojë ndarjet në shoqërinë tonë shumetnike, por edhe shumëfetare. Për fat të keq, efektet fillestare të gjuhës së tillë të urrejtjes janë tashmë të dukshme në rrjetet sociale te ne.

Të nderuar,

Vendimet e fundit të Këshillit Evropian, për fat të keq, e konfirmuan skenarin pesimist për Ballkanin Perëndimor, të cilin euroskeptikët e paralajmëruan në fillim të luftës në Ukrainë. Është se pakontestueshme se ne nuk e përfunduam detyrën tonë shtëpiake në raport me obligimet e ndërmarra, por është e vështirë të gjendet logjikë edhe në vendimet e fundit të Brukselit me të cilat është anashkaluar praktikisht i gjithë rajoni, që do të kontribuojë me siguri për rënien e mëtejshme të atraksionit të projektit të quajtur Evropa e Bashkuar. Deklarata se do të jetë katastrofë gjeopolitike nëse Ukraina dhe Moldavia do të kenë prioritet në raport me Ballkanin nuk është e imja, as e ndonjë politikani maqedonas, por e ministrit austriak të Punëve të Jashtme, ku përmbahen të gjitha frustrimet tona dhe shpresa e tradhtuar.

Megjithatë shteti duhet të mbetet në rrugën e integrimeve evropiane pa marrë parasysh se cili pushtet ekzekutiv do ta udhëheqë pas zgjedhjeve në maj të vitit 2024 dhe si do të jenë lëvizjet pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ngadalësimi eventual, edhe më shumë, ndalimi i tërësishëm i integrimeve evropiane nuk do të reflektohet mirë mbi asnjë sferë të jetës shoqërore, duke filluar nga ekonomia dhe deri te marrëdhëniet ndëretnike. Entuziazmi midis qytetarëve për anëtarësim në Bashkim po bie dramatikisht, gjendemi në pikën kritike dhe ky është shansi i fundit që ta ruajmë mbështetjen shumicë për negociatat të cilat kanë gjithmonë efekt neutralizues përkundrejt strukturave të cilat duan ta minojnë demokracinë.

Në raport me ndryshimet kushtetuese, përbërja e ardhme parlamentare duhet ta vazhdojë debatin mbi baza reale dhe me një raport shumë më të ndershëm ndaj opinionit maqedonas. Është e qartë si kristal se korniza evropiane nuk mund të ndryshojë për më mirë, as marrëveshja bilaterale me Bullgarinë, pavarësisht se kush është në pushtet në Bruksel apo në Sofje.
Më lejoni, për një moment, për këtë çështje të jem thellësisht personal dhe të rikujtoj tani vitin e largët 2008, kur në Samitin e NATO-s në Bukuresht, si anëtar i delegacionit maqedonas, isha dëshmitar i drejtpërdrejtë i shansit të humbur historik, për shkak të përçarjes nacionale dhe kalkulimeve të imëta partiake.

Dhjetë vjet më vonë, pranuam një propozim shumë më të keq, kurse humbëm, gjithsej, 12 vjet jashtë Aleancës. Nuk besoj se historia po përsëritet në cikle identike, megjithatë, ekzistojnë personalitete në ambientin politik vendas, që, si edhe atëherë, disa mendojnë se Evropa dhe bota do të na presin ne. Kuptohet, është politikisht krejt legjitime që të jeni kundër kornizës negociuese evropiane, por politikisht është, gjithashtu, virtyt të pranoni se ekziston një dallim enorm midis asaj që e kanë kërkuar bullgarët në fillim prej nesh dhe nga ajo që mbeti në fund nga ato kërkesa në atë dokument.

Edhe pse e kemi debatuar këtë çështje shpeshherë deri më tani, do ta shfrytëzoj këtë rast, të përsëris edhe njëherë qëndrimin tim, më shumë për shkak të frikës së popullit maqedonas i cili është i bombarduar përditë me propagandë politike. Jam thellësisht i bindur se asnjë nga brezi i sotshëm i politikanëve nuk do të negociojë asnjëherë për çështje të identitetit, sepse linjat tona të kuqe nuk i përcaktuam ne, ato i kanë përcaktuar prej kohësh ata të cilët e kanë formuar këtë shtet në vitin 1944 me aktet shtetformuese në Mbledhjen e Parë të KAÇKM-së.

A kanë bërë qeveritë e Bullgarisë vitet e fundit, një sërë, krejtësisht të panevojshme, të lëvizjeve të këqija ndaj popullit maqedonas – kanë bërë, a është lëkundur besimi i maqedonasve ndaj fqinjit lindor në një masë të madhe dhe do të nevojiten vite, ndoshta edhe breza që ai të rinovohet – edhe kjo është e pakontestueshme, por me siguri nuk është në interesin tonë strategjik ta bëjmë armik Bullgarinë, sepse është interesi ynë të kemi një mjedis rrethues stabil dhe një bashkëpunim produktiv me të gjithë fqinjët, në vend që ta shpenzojmë pa dobi energjinë me ta, duke debatuar për historinë.

Me shtyrjen e ndryshimeve kushtetuese, do të lëshojmë edhe një shans i cili mund të na kushtojë minimum edhe një dekadë jashtë integrimeve, kurse kjo do të nënkuptojë progres më të vogël ekonomik, standard më të keq për qytetarët dhe shpërngulje më të madhe. Në atë dekadë me siguri nuk do t’i kthejmë të rinjtë nga Kanadaja, Australia dhe nga Zelanda e Re, as nga destinacionet e reja të Maqedonisë emigruese – Emiratet, Malta, Kroacia apo Sllovenia.

Ndarjet në indin nacional maqedonas për këtë çështje janë kontraproduktive për vitalitetin e kauzës sonë. Në atë kuptim, propagandat e huaja të rinovuara e kryejnë në “mënyrë të përkryer” punën e vet, praktikisht pa ndërprerje, më shumë se një shekull, kështu që nuk është e nevojshme që ne të gërmojmë më tej për të thelluar hendekun midis nesh.

Njëkohësisht, është jashtëzakonisht e papërgjegjshme të luash me ndjenjat e maqedonasve dhe të marrësh pikë të vogla politike mbi temën e frikës nga humbja e pretenduar e atributeve për identitetin. Dhe këtë e kam thënë shumë herë më parë, por duhet ta përsëris: nëse shpërfytyrimi i maqedonasit është rruga që duhet të ndjekim për të arritur në Bashkim, nuk njoh askënd që është i gatshëm të ecë në atë rrugë.

Në hapësirën publike, në rrjetet sociale, vitet e fundit po zhvillohen luftëra të vërteta se kush është patriot apo tradhtar më i madh. Ka ardhur koha ta ripërkufizojmë patriotizmin, i cili në një formë moderne, individualish dhe kolektivisht duhet të bazohet në integritetin e individit dhe lojalitetin ndaj shtetit.

Patriotizëm është kur nuk e keqpërdorni funksionin për pasurim personal, kur personat e kualifikuar vijnë në ballë të institucioneve. Patriotizëm është kur lini hapësirë kundërshtarët tuaj politike ta thonë lirisht mendimin e vet, kur tregoni raport fisnik ndaj atyre me të cilët nuk dakordoheni, patriotë janë ata që punojnë për shërbime më të mira publike, për arsim dhe shëndetësi më të mirë, patriotët nuk e ndotin mjedisin jetësor.

Të nderuar,

Me vite po ballafaqohemi me rezistencë nga shumë anë gjatë çdo përpjekjeje për reforma thelbësore në pjesën e sistemit gjyqësor. Shkaku për këtë është lidhja midis pjesëve të bashkësisë politike dhe afariste me një pjesë të gjykatësve dhe prokurorëve, që në dekadat e kaluara krijoi atmosferë ku zhvilluam korrupsion endemik i cili e rrezikon vitalitetin e shtetit.

Në afat të mesëm dhe të gjatë, është kyçe cilësia e potencialit njerëzor, e kandidatëve për gjykatës dhe për prokurorë. Asnjë ligj nuk mund ta ndryshojë realitetin nëse kriter i vetëm gjatë përzgjedhjes është përzgjedhja negative e bazuar në klientelizmin partiak dhe lidhjet me oligarkinë.

Me përgjegjësi për veprat e kryera nuk mendoj për statistikën për “xhepaxhinjtë” e dënuar që shërben për të mashtruar publikun, por për numrin dhe cilësinë e aktvendimeve të plotfuqishme nga sfera e korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar. Vetëm në këtë mënyrë do të konfirmohet se ligjet vlejnë për të gjithë, madje edhe për më të fuqishmit dhe më të pasurit.

Për fat të keq lihet përshtypja se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë luftëtarë më të vendosur kundër korrupsionit te ne sesa institucionet tona. Megjithatë, sanksionet e huaja nuk mjaftojnë, jo vetëm se nuk ndiqen me sanksione vendase. Domethënë, ne po ballafaqohemi me një problem shumë më të thellë sepse korrupsioni, ndërkohë, është bërë mënyrë jetese për shumë veta apo siç e përshkroi para pak kohe një ambasador i huaj, bëhet fjalë për mentalitetin e njerëzve i cili duhet të ndryshojë. Kështu, dy aspekte të problemit i theksojnë më tej përmasat e tij.

Së pari, nëse ngrihen, proceset e korrupsionit të lartë janë krejtësisht të ngadalshme dhe të pasigurta, kështu që, përforcohet perceptimi te qytetarët se drejtësia është e ngadalshme, por e paarritshme.

Së dyti, madje edhe proceset e pakta gjyqësore të përfunduara me sukses janë të kufizuara në një periudhë konkrete kohore, ku, pothuajse mungon gjithmonë vazhdimësi në aksionet e shtetit, sidomos pas ndryshimit të pushtetit në nivel lokal apo qendror. Periudhat e tilla vakum i rrëzojnë praktikisht efektet e rasteve të rralla të përfunduara me sukses për korrupsion kundër ushtruesve të funksioneve publike.

Këtu, dua t’i rekomandoj parlamentit të ardhshëm atë që tashmë e kam propozuar publikisht disa herë: menjëherë pas zgjedhjeve të zbatojmë pastrim edhe te gjykatësit edhe te prokurorët, por së pari, te ne – politikanë. Dhe për secilin, për të cilin nuk ka arsyetim logjik si është bërë milioner me rrogë shtetërore, duhet të ketë menjëherë jo vetëm dorëheqje por edhe procedurë penale.

Të nderuar deputetë,

Kur më në fund në vitin 2021 gjetëm vullnet politik të numërohemi, thashë se rezultatet do të na ballafaqojnë me frikën tonë më të madhe. Këtu, nuk mendoja për frikën nga të tjerët, të ndryshmit prej nesh, por për frikën se sa pak, në të vërtetë, jemi në shtetin tonë. Rezultatet e pohuan atë që e flas me vite se kërcënimi më i madh për sigurinë tonë nacionale, dhe në përgjithësi, për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut është demografia.

Domethënë, realiteti është se të gjitha bashkësitë etnike janë më pak në numra absolutë dhe se asnjë bashkësi etnike nuk “e rrezikon” tjetrën, por se të gjithë jemi të rrezikuar. Prandaj na nevojitet urgjentisht strategji demografike, por e mbështetur edhe nga pushteti edhe nga opozita, e cila do të bazohet mbi të dhënat e këtij regjistrimi, por edhe mbi projeksionet për zhvillimin demografik deri në vitin 2070, të cilat i shpalli para disa ditësh Enti Shtetëror i Statistikës.

Ajo strategji, parimisht, duhet të përbëhet nga dy elementë. Elementin e parë e përbëjnë politikat aktive demografike të cilat do ta stimulojnë natalitetin.

Kurse, së dyti është ballafaqimi me gjendjen reale. Kjo nënkupton se duhet të jemi të vetëdijshëm se politikat aktive demografike do të jepnin rezultate pas dhjetë, ose ndoshta, pas njëzet vjetësh. Kurse, deri atëherë duhet të përgatitemi për një jetë me më pak nxënës dhe të punësuar, kurse me shumë pensionistë. Kjo nënkupton ta përgatisim fondin e pensionit, ta optimizojmë mbrojtjen shëndetësore, ta riorganizojmë sistemin arsimor, të fillojmë digjitalizim intensiv i cili do të zëvendësonte njerëzit aty ku ka mundësi për këtë gjë, dhe, në fund, por jo dhe më pak i rëndësishëm, ta riorganizojmë sistemin e mbrojtjes në kushte kur do të fillojë të zvogëlohet numri i ushtarëve dhe i policëve.

Të nderuar,

Pas zgjedhjeve tona, vitin e ardhshëm, pa marrë parasysh se çfarë do të vendosin qytetarët maqedonas, dy gjëra janë kyçe për shteti: mbajtja e marrëdhënieve ndëretnike stabile dhe orientimi perëndimor në politikën e jashtme, përkatësisht vazhdimin e integrimit në BE.

Vitin e ardhshëm në Bruksel dhe në Uashington, te partnerët tanë kryesorë strategjikë, do të mbahen cikle zgjedhore nga rezultati i të cilave do të varen shumë gjëra. Zmadhimi i populizmit në Evropë nuk është risi, por asnjëherë si deri më tani, fuqitë populiste po fitojnë peshë dhe ndikim politik në proceset me të cilat është përfshirë edhe shteti ynë. E gjithë kjo ndodh në sfondin e luftës në Ukrainë, konfliktit në Lindjen e Afërme dhe konkurrencës gjeopolitike midis dy faktorëve kryesorë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Parashikimet janë se këto trende nuk do të ndryshojnë thelbësisht as në vitin 2024.

Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën i çrregulloi tregjet për ushqim dhe për energji në botë, por, para së gjithash, infrastrukturën e sigurisë në Evropë të krijuar pas rënies së komunizmit. Edhe pse Ballkani Perëndimor, në dukje, është mjaft larg nga ajo pjesë e botës, nuk mund të përjashtohet se në një kontekst të caktuar ekziston mundësia për zmadhim të tensioneve edhe në rajonin tonë në të cilin ka refugjatë ukrainas, shtetas rusë dhe firma të formuara prej tyre, intensitet i zmadhuar i sulmeve sajber, kurse potencial të vet kanë edhe pikat e vjetra, të ndjeshme në rajon: veriu i Republikës së Kosovës dhe entiteti Republika Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë ku rol kryesor stabilizues kanë misionet ndërkombëtare në të cilat marrim pjesë edhe ne.

Prioriteti ynë duhet të jetë që nëpërmjet dialogut konstant politik midis pushtetit dhe opozitës, ta zmadhojmë potencialin e brendshëm për arritje të konsensusit për çështjet qenësore nacionale, kurse në atë segment këtë vit ndodhi një lloj paradoksi: domethënë, në mars, bashkësia ndërkombëtare duke besuar në kapacitetet tona, na e besoi organizimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, kurse në të njëjtën kohë pa asistencë nga ajo bashkësi e njëjtë ndërkombëtare, nëpërmjet dialogut Zhan Mone, nuk do ta harmonizonim Rregulloren e re të punës së Kuvendit.

Të nderuar deputetë,

Fundi i vitit 2023 na e solli hidhërimin më të madh në dekadën e fundit. Nëpërmjet tragjedisë personale të Vanjës së vogël dhe të familjes së saj, mund ta shihnim si në pëllëmbë të gjithë patologjinë e tranzicionit maqedonas, ambientit, të cilin, të gjithë ne, më shumë apo më pak, e krijuam në 32 vitet e kaluara. Ambient në të cilin, në hapësirën publike toleruam jo-njerëzit të cilët propagandonin urrejtje dhe intolerancë ndëretnike, ideologji agresive, gjuhë të urrejtjes, kanë bërë publikisht kërcënime për linçim të individëve dhe likuidime të kundërshtarëve politikë.

Duhej secili prej nesh, kurse veçanërisht ne politikanë, të flasim më shpesh dhe më zëshëm kundër këtyre dukurive, në vend që të besojmë në fuqinë e sistemit tonë demokratik se do të mund t’i tolerojë dhe absorbojë ekstremet e tilla. Për fat të keq, dështoi edhe sistemi i përgjithshëm shoqëror sepse në emër të një lloj pluralizmi demokratik të kuptuar gabimisht nuk i pengoi këta individë ta ndotin edhe më tej hapësirën publike.

Mekanizmat e shtetit juridik duhet t’i sanksionojnë në kohë të gjithë ata që përdorin gjuhë të urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë, të cilët ofendojnë ose u kërcënohen njerëzve të fesë apo kombit tjetër, duhet të ndalohen të gjitha partitë politike dhe organizatat joqeveritare që punojnë në kundërshtim me atë që kanë deklaruar në dokumentet e themelimit dhe, në thelb, e keqpërdorin demokracinë si vlerë e pakontestueshme e botës moderne.

Me fjalë të tjera, shteti duhet t’i margjinalizojë në kohë dhe sistematikisht ata që propagandojnë vlera antiqytetëruese që të parandalojmë disa vrasës së ardhshëm të cilët përveç qytetarëve, fëmijëve, të rriturve apo të moshuarve tanë, mund ta vrasin përsëri edhe ndërgjegjen tonë kolektive.

Të nderuar deputetë,

Në fjalimin tim të parë në këtë Kuvend, pas dhënies së betimit më 12 maj 2019 thashë se kriteri themelor sipas të cilit, unë vetë, do ta vlerësoj angazhimin personal si President, por edhe shumë më i rëndësishmi, sipas të cilit pres të më vlerësojnë qytetarët është: a do të jem President i të gjithë qytetarëve apo vetëm i atyre të cilët më mbështetën. Nga ana tjetër, jo më pak i rëndësishëm është si do të jetë raporti im me opozitën politike sepse e di se në sistemet politike demokratike, obligim strategjik i Presidentit, i propozuar nga shumica politike është të mbrojë statusin dhe të drejtat e pakicës politike nga arbitrariteti, eventual, i asaj shumice.

Në demokraci nuk ekziston politikan për të cilin nuk ka kritika të mira dhe të këqija. Edhe mua në mandatin tim edhe më kanë mbështetur edhe më kanë kritikuar për vendime të caktuara të cilat i kam marrë. Ndonjëherë për qëndrimet time të shprehura publikisht kam qenë i kritikuar edhe nga ata që më mbështetën gjatë zgjedhjes, për shembull, për aferën “Reket”, gjatë vendosjes së vetos për Ligjin për ndërtesat jashtëligjore ose për rritjen e rrogave të funksionarëve. Por, gjithmonë, në plan të parë i kam pasur interesat e qytetarëve dhe të shtetit para të cilëve kam qenë gjithmonë transparent dhe asnjëherë nuk kam ikur nga përgjegjësia.

A kam mundur gjatë marrjes së disa vendimeve të veproj më ndryshe – sigurisht! A kam qenë i pagabueshëm – absolutisht jo. Megjithatë, asnjëherë në mandatin tim nuk kam marrë pjesë në fushata të pista kundër oponentëve politikë, edhe pse nga një pjesë e tyre nuk kam qenë i kursyer, as unë as familja ime, asnjëherë nuk kam dakorduar tenderë dhe provizione, nuk kam punësuar farefis dhe miq dhe asnjëherë as për vete apo për më të afërmit nuk kam kërkuar trajtim të veçantë. Si për të gjithë ashtu edhe për mua.

Jam përpjekur të mos jem i mbyllur në zyrë, të jem në dispozicion për çdo qytetar, t’i dëgjoj hallet e tyre dhe kudo ku kam mundur të ndihmoj – kam ndihmuar, ndonjëherë edhe joformalisht, duke u bindur me ata të cilët janë kompetentë formalisht që t’i ndihmojnë njerëzit. Kam konsideruar se obligimi im moral është t’i përfaqësoj qëndrimet e grupeve të margjinalizuara, të të dëmtuarve nga padrejtësitë ose të padukshmit, të të harruarve nga sistemi zëri i të cilëve nuk arrin tek institucionet.

Nga ai aspekt, ndërgjegjja ime është e qetë.

Më lejoni, në fund, të gjithë qytetarëve maqedonas dhe juve, të nderuar deputetë, t’ju uroj festat dhe t’ju dëshiroj shëndet dhe lumturi juve dhe më të afërmve tuaj.

Ju faleminderit!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit