Presidenti Pendarovski: Duke investuar në paqen rajonale dhe stabilitetin global, investojmë edhe në sigurinë tonë

31 Maj 2021 | Fjalimet

Sot, Presidenti Stevo Pendarovski, iu drejtua pjesëmarrësve të stërvitjes ushtarake “Goditje vendimtare 21”, e cila po zhvillohet nga 17 maj deri më 2 qershor 2021, në poligonin ushtarak Krivollak, me pjesëmarrjen e anëtarëve të ushtrive të Republikës së  Maqedonisë së Veriut, Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Greqisë, si dhe pjesëtarë të Task Forcës Mjekësore për Ballkanin.

Në vijim është teksti i integruar i fjalimit të Presidentit Pendarovski:

Të nderuar pjesëmarrës në stërvitjen ushtarake “Goditje vendimtare 21”
Të nderuar të ftuar të lartë.
Shkëlqesi të respektuar

Përgatitja e një armate varet, para së gjithash, nga përgatitja e ushtarëve dhe oficerëve të saj. Përgatitja e Aleancës së NATO-s, përsëri, në tërësi, varet nga përgatitja e armatave të vendeve të saj anëtare. Kurse, shkalla e përgatitjes nuk kontrollohet në kabinete dhe zyra, por në teren, me stërvitje ushtarake.

Sot e përfundojmë me sukses stërvitjen “Goditje vendimtare 21” e cila është stërvitja jonë e parë e profilit dhe karakterit të tillë pasi jemi bërë anëtarë të NATO-s. Kjo stërvitje është pjesë e “Defender Europe 21” stërvitja më e madhe e NATO-s në Evropë për këtë vit, e udhëhequr nga Armata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne në të marrim pjesë me rol të dyfishtë, edhe si nikoqir i poligonit ushtarak “Krivollak” edhe nëpërmjet përfaqësuesve të armatës sonë. Pjesëmarrja e tillë është rezultat i besimit të lartë të cilin e kanë aleatët te ne, tek armata jonë dhe tek instalimet e saj ushtarake.

Kur isha në këtë teren para një muaji e gjysmë në vizitë, m’i prezantuan planet dhe aktivitetet për transformim të poligonit ushtarak “Krivollak” në një poligon bashkëkohor të kalibrit ndërkombëtar. Sot dëshiroj t’i falënderoj përfaqësuesit e batalionit inxhinierik të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe batalionin e 15-të inxhinierik të Armatës së SHBA-së të cilët janë përfshirë në zhvillimin dhe zgjerimin e kapaciteteve për trajnim dhe stërvitje të këtij poligoni. Keni bërë një punë të përkryer për një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër dhe ju përgëzoj për këtë gjë!

Testin e parë të madh e kaluam. Prandaj si shtet do të vazhdojmë të investojmë dhe ta zhvillojmë poligonin “Krivollak”, i cili tashmë nuk është vetëm kapaciteti ynë ushtarak, por edhe kapacitet i të gjithë Aleancës.

Dëshiroj t’i përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë stërvitje të madhe ushtarake. Në dy javët e kaluara kishit mundësi të përkryer të kontrolloni interoperabilitetin me disa shtete të NATO-s. Është e pakontestueshme se keni dëshmuar kapacitet dhe aftësi për planifikim dhe organizim të stërvitjeve të mëdha së bashku me armatat e tjera aleate.

Përveç se është vërtetim, në kuptimin ushtarak, i kapaciteteve për zbatim të operacioneve të integruara të ndërmjetme, kjo stërvitje është shumë e rëndësishme për përforcimin e partneritetit transatlantik dhe nëpërmjet kësaj, për sigurinë e Evropës dhe të Ballkanit Perëndimor.

Me planifikim dhe realizim të përbashkët të stërvitjes së tillë të parë, Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja e afirmuan partneritetin strategjik i cili ekziston vite me radhë midis nesh. Përveç kësaj ekziston edhe një dimension shumë i rëndësishëm rajonal. Në “Goditjen vendimtare 21” përveç përfaqësuesve të Armatës së SHBA-së, marrin pjesë edhe përfaqësues të armatave të Bullgarisë dhe Greqisë, duke e përforcuar kështu partneritetin bilateral me këta dy fqinjë tanë dhe e intensifikojmë njëkohësisht bashkëpunimin rajonal në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Kuptohet, një e vërtetë e dëshmuar, e vjetër është se sado që të jemi të kënaqur nga një mision i përfunduar me sukses, nuk duhet të mendojmë se e kemi përfunduar punën. Është e domosdoshme të vazhdojmë dhe do të vazhdojmë me reforma dhe investim në mbrojtje, në modernizim dhe pajisjen e armatës, por edhe me pjesëmarrje, tani si anëtare e plotfuqishme, në strukturat dhe në misionet e udhëhequra nga NATO-ja. Nëpërmjet investimit në paqen rajonale dhe në stabilitetin global, investojmë njëkohësisht në sigurinë tonë personale. Kurse këto janë interesat më të larta nacionale dhe shtetërore, për të cilat kemi dhënë betimin se do t’i mbrojmë.

Më lejoni edhe njëherë, t’i përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë stërvitje ushtarake për angazhimin e tyre.
Ju faleminderit për vëmendjen!

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...