Pendarovski-Novak: Përkushtim i përbashkët për bashkëpunim të afërt në familjen euroatlantike

6 Shkurt 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake e mirëpriti Presidenten e Hungarisë, Katalin Novak, e cila është në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në suazat e vizitës, përveç takimit tet-a-tet, u mbajt edhe takim plenar i delegacioneve zyrtare të Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë, pas të cilit presidentët Pendarovski dhe Novak mbajtën konferencë për shtyp.

E nderuara Presidentja Novak,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Sot kam nderin dhe kënaqësinë të mirëpres Presidenten e Hungarisë, vizita e së cilës u realizua pas pothuajse 20 vjetësh nga vizita e fundit zyrtare e një presidenti hungarez në shtetin tonë.
Konsideroj se kjo vizitë që po realizohet në kohën e disa krizave globale është e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale nga dy aspekte: i pari, do të japë stimul shtesë në përparimin e bashkëpunimit tonë në shumë sfera të interesit të përbashkët, kurse nga ana tjetër është konfirmim i partneritetit të deritanishëm midis dy shteteve. Dialogu politik i nivelit më të lartë flet për respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, ashtu siç u ka hije dy shteteve evropiane.

Në takimin tonë të dytë në tri muajt e kaluar, me Presidenten Novak kishim një bisedë të sinqertë dhe konstruktive ku e konfirmuam përkushtimin e përbashkët për bashkëpunimin e afërt në familjen euroatlantike si partnerë kredibilë në NATO, kurse shpresoj në të ardhmen e afërt edhe si anëtarë të barabartë në Bashkimin Evropian. Është e pakontestueshme, që Hungaria është një prej anëtareve më të zëshme dhe më aktive të Bashkimit Evropian në mbështetjen e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vend që luajti një rol të rëndësishëm në vendimin për fillimin e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut. Në këtë takim mora bindjen se do të vazhdojë kjo mbështetje nga Hungaria, e cila zgjerimin e konsideron si një nga politikat strategjike më të rëndësishme të BE-së dhe se me mbështetjen politike dhe këshillëdhënëse do të vazhdojë t’i promovojë integrimet maqedonase.

Presidente Novak, me këtë rast dëshiroj të shpreh falënderim të madh për mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe të shpreh pritjen tonë se në periudhën e ardhshme, nga Hungaria por, edhe nga vendet e tjera anëtare të Bashkimit, do të shohim një qasje më dinamike dhe proaktivitet në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në këtë takim shkëmbyen mendime dhe informacione edhe mbi gjendjen e sigurisë në kontinent dhe sfidat në atë plan, në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe pasojat e saj. E falënderojmë Hungarinë për mbështetjen për kryesimin maqedonas me OSBE-në këtë vit, vit në të cilin të gjithë po ballafaqohemi me sfida serioze politike dhe të sigurisë. Folëm edhe për bashkëpunimin rajonal si një segment të rëndësishëm në eurointegrimet, ku e theksuam modelin e suksesshëm të vendeve të Grupit të Vishegradit përvoja e të cilave mund të jetë një shembull i dobishëm edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të nderuar,

Me Hungarinë kemi një bashkëpunim ekonomik dinamik i cili ka një trend rritës. Hungaria është midis dhjetë partnerëve tanë më të mëdhenj tregtarë me shkëmbim tregtar për vitin e kaluar prej pothuajse gjysmë miliarda euro dhe trend të vazhdueshëm të suficitit në anën maqedonase. Me Presidenten hungareze shprehëm kënaqësinë dhe pritjen se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kurse në takim u fol edhe për krizën ekonomike dhe energjetike dhe mënyrat se si mund të realizojnë bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen ekonomitë tona.

Në fund dëshiroj të shpreh falënderim edhe për mbështetjen hungareze në sferën arsimore me programin Stipendium Hungarikum, nëpërmjet të cilit, në 10 vitet e kaluara jepen 20 bursa në vit që të rinjtë tanë të studiojnë në institucionet prestigjioze të arsimit të lartë në Hungari. E shfrytëzoj këtë rast që ta veçoj edhe realizimin e suksesshëm të shkëmbimit të lektorëve të gjuhës hungareze dhe maqedonase që në bazë reciproke zhvillohet që nga viti 1988 i shekullit të kaluar kur është hapur Lektorati i gjuhës maqedonase në Budapest.

Është kënaqësia ime që me Presidenten këtë pasdite do të bisedojmë edhe me përfaqësues të Shoqatës së studentëve të mjekësisë të cilët e formuan HealthHub në suazat e zyrës TëRinjtëHab, si edhe me përfaqësues të Këshillit nacional rinor.

E nderuara Presidente Novak,

Ju dëshiroj edhe njëherë mirëseardhjen, Juve dhe delegacionit tuaj ju dëshiroj qëndrim të këndshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....