Fjalimi i Presidentit Pendarovski në kremtimin e festës shtetërore, 2 Gusht – Ilinden

2 Gusht 2022 | Kumtesat

Të nderuar qytetarë,

Në ditën e Shën. Ilisë e festojmë festën tonë më të madhe shtetërore, sepse në këtë ditë, populli maqedonas dhe bashkatdhetarët e tij i vendosën dy republikat – Republikën e Krushevës në vitin 1903 dhe të ASNOM-it në vitin 1944. Duke kërkuar dalje nga regjimet autoritare monarkike dhe autokrate të cilat e kanë asimiluar, shfrytëzuar dhe ia kanë marrë të drejtat, populli maqedonas e gjeti shpëtimin te republika si rendi më i drejtë dhe më progresiv shtetëror. Rend i cili do të duhet t’i mundësojë të ketë bashkësi të lirë, funksionale politike të bashkuar rreth të mirës së përgjithshme dhe interesit publik.

Manifesti i Krushevës i vendos konturet e Republikës për të cilën kanë luftuar ilindenasit – Republikë e vendosur mbi idealet e drejtësisë, lirisë dhe jetës me dinjitet ku do të ketë vend për çdo burrë dhe grua, pavarësisht nga kombësia, gjuha dhe feja.

Vizioni i Republikës është përparuar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste në të cilën partizanët i bashkuan të gjitha forcat progresive në një front të gjerë nacional. Në territoret e lira janë vendosur këshillat nacionalçlirimtare si filizat e republikës së ardhme të ASNOM-it, e cila në thelbin e vet ishte nacionale dhe antifashiste.

Duke luftuar për një republikë të tillë progresive antifashiste shumë veta e dhanë jetën e vet, midis tyre edhe partizania jonë e parë, Nevena Nikollova Georgieva-Dunja. Nevena jetën e vet të shkurtër ia përkushtoi luftës për drejtësi sociale dhe liri nacionale. Besonte se nëpërmjet luftës antifashiste edhe gratë do të fitojnë barazinë me burrat. Nevena ka marrë pjesë në formimin e tri njësive partizane – të Shkupit, të Strumicës dhe të Velesit. E ka kaluar atdheun më këmbë edhe si Dunja, Stojka dhe Rajna e ka motivuar popullin të përfshihet në këtë luftë. E përndjekur nga okupatori fashist dhe nga kundërçetat e tij, Nevena ra heroikisht që t’u mundësojë bashkëluftëtarëve të saj të tërhiqen dhe ta vazhdojnë luftën për liri.

Kujtimi për të është i gdhendur aq thellë në memorien tonë kolektive, sa që nëse sot i pyesim njerëzit, shumica më e madhe e tyre, pa u përmbajtur do të thonë se Dunja është hero kombëtar i LNÇ-së. Për fat të keq, faktet flasin se është bërë lëshim dhe se ajo asnjëherë nuk është shpallur hero kombëtar. Prandaj në shenjë falënderimi, ne brezat e sotshëm, pas vdekjes e dekorojmë me Dekoratën për Merita Ushtarake.

Të dashur bashkëqytetarë,

Që të shohim se për çfarë republike kanë luftuar pjesëmarrësit në LNÇ, duhet të shikojmë aktivitetin jetësor të kolosëve të atij brezi të lavdishëm antifashist pas luftës. Një prej tyre është edhe Kërste Cërvenkovski, pionier dhe hero kombëtar i cili merr pjesë aktivisht në kryengritjen kombëtare që nga vetë fillimi më 11 tetor 1941. Ai dëshmon personalisht se “në vendimet e ASNOM-it synimet për sovranitetin dhe shtetësinë e popullit maqedonas dhe Republikën janë formuluar qartë si kristal. Mbi atë bazë është mbështetur republika e re maqedonase”.

Si anëtar afatgjatë i udhëheqjes më të lartë politike dhe shtetërore në nivel republikan dhe federal, Kërste Cërvenkovski ka pasur mundësinë ta shndërrojë në vepër vizionin e vet për Republikën si e mirë e përgjithshme. Duke i trajtuar republikat federale si shtete nacionale të popujve konstitutivë të Jugosllavisë, Cërvenkovski është angazhuar për decentralizim të federatës dhe respektim të interesave legjitime të republikave. Roli i tij në themelimin e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, zhvillimin e Universitetit “Shën. Kirili dhe Metodij” dhe ripërtëritjen e Kishës Ortodokse Maqedonase, dëshmon për vizionin e tij për republikë maqedonase me arsim dhe shkencë të zhvilluar dhe me autonomi të jetës kulturore dhe shpirtërore. Ka qenë kundër kuptimit rigid të monopolit partiak, por për liberalizim të politikës dhe demokracisë së shtetit. Duke e përjetuar ambientin shumetnik maqedonas si përparësi, ndërsa jo si mangësi, është angazhuar aktivisht për emancipim dhe afirmim të tërësishëm të bashkësive joshumicë.

Para 33 vjetësh, si i ri i cili për herë të parë futet në ujërat e politikës, kisha nderin ta njoh, së bashku me mendimtarët e njëjtë me të, Sllavko Millosavlevski dhe Qamuran Tahir dhe të dëshmoj personalisht se edhe pse kanë qenë pjesë e sistemit njëpartiak, dinin të shikojnë edhe jashtë parametrave ideologjikë të kohës.

Duke pasur parasysh të gjitha meritat e tij, pas vdekjes e dekorojmë Kërste Cërvenkovskin me Dekoratën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Brezi i lavdishëm antifashist dalëngadalë po e lëshon skenën historike. Gjithnjë edhe më pak janë gjallë midis nesh pjesëmarrësit në ato ngjarje. Për fat të keq, nëpër vitet e pavarësisë kemi qenë dëshmitarë edhe të përpjekjeve që të relativizohet rëndësia e LNÇ-së, kurse nëpërmjet kësaj edhe vepra e partizanëve tanë. Në prag të Ilindenit kisha nderin të vizitoj disa prej luftëtarëve të mbijetuar dhe t’i pyes për se kanë luftuar dhe kundër kujt kanë luftuar. Duke rikujtuar luftën për republikë të lirë maqedonase, Ilija Dunovski nga Ohri më tha, “lufta nuk fitohet vetëm me pushkë, por edhe me zemër, me guxim”. Prandaj, sot, i falënderojmë të gjithë partizanët që janë gjallë me Medalje të Trimërisë.

Me këto dekorime ne sot në mënyrë simbolike përpiqemi të korrigjojmë disa padrejtësi historike. E para, është bërë me mos shpalljen e Nevena Georgieva-Dunja për hero kombëtar. E dyta, largimi i Kërste Cërvenkovskit nga jeta politika dhe publike për shkak të qëndrimeve të tij liberale dhe të politikave progresive. E treta, përpjekjet që të relativizohet rëndësia e LNÇ-së dhe ASNOM-it si lidhje kërthizë midis Ilindenit tonë të parë dhe të tretë.

Të nderuar,

Këtë akt e bëjmë në periudhën kur shteti ynë kush e di për të satën herë po përballohet me përpjekjet që t’i mohohet identiteti nacional i popullit maqedonas dhe të kontestohen karakteristikat e tij unike kombëtare.

Revolta e qytetarëve është e arsyetuar, sepse të gjitha sukseset si shtet i pavarur i kemi arritur nëpër rrugën më të vështirë, por, nuk heqim dorë nga qëllimi strategjik që të bëhemi pjesë e bashkësisë e cila me të gjitha mangësitë e veta, megjithatë, ka krijuar hapësirë ku njerëzit janë vetvetja dhe të lirë.

Në suazat e përpjekjeve tona për integrim të tërësishëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, kemi qëllim të vendosur t’i përmbushim të gjitha kushtet e kapitujve të negociatave evropiane, por nuk kemi qëllim me cilindo në vend të vlerave evropiane të bisedojmë për ripërtëritjen e koncepteve dhe ideve imperialiste të shekujve të kaluar.

Koncepti i Evropës së Bashkuar na jep shansin më të mirë ta përmbyllim zhvillimin e Maqedonisë së Veriut si republikë evropiane bashkëkohore. Këto përpjekje janë flijimi i brezit tonë për të rinjtë tanë dhe për të ardhmen e tyre. Por, që e gjithë kjo të mos shkojë kot, na pret një punë enorme e papërfunduar në shtëpi ku duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë shtetin si të drejtë dhe progresiv në të cilin qytetarët maqedonas do të kenë jetë me dinjitet, arsim të mirë, shëndetësi cilësore dhe sistem efikas juridik që do të shkatërrojë krimin dhe korrupsionin.

Jam i vetëdijshëm se te një pjesë e qytetarëve ekziston frika se në rrugën drejt Evropës do të cenzurohet kujtesa jonë historike. Se gjoja, nuk do të mund ta përmendim më kundër kujt kanë luftuar heronjtë tanë. Ose se do të duhet t’i mbyllim sytë para fakteve për deportimin e hebrenjve maqedonas në Treblinka dhe për masakrën e të rinjve në Vatasha. Se do t’i mbyllim veshët që të mos i dëgjojmë dëshmitë e luftëtarëve tanë të fundit që janë gjallë, të brezit i cili e ka përjetuar në lëkurën e vet pushtimin në periudhën 1941-1944 të kryer nga qeveria profashiste në Sofje.

Por, nëse ne nuk do ta flisnim më të vërtetën historike ne do të bëheshim bashkëpjesëmarrës në krijimin e një padrejtësie të re historike. Pikërisht këto dekorime janë përgjigja jonë ndaj çdo përpjekje që të heshtet e vërteta. E vërteta historike nuk mund të ndryshohet me marrëveshje, as me protokoll sepse faktet e shkatërrojnë çdo konstrukt të imponuar.

Për të vërtetën historike s’ka kompromis, thënia e fakteve historike, s’ka qenë asnjëherë, si dhe as mund të jetë gjuhë e urrejtjes. Projekti i Evropës së bashkuar pohon pa mëdyshje se rruga drejt pajtimit autentik dhe të qëndrueshëm midis popujve kalon nëpërmjet drejtësisë të bazuar në të vërtetën. Prandaj, do të vazhdojmë ta themi të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Të dashur bashkëqytetarë,

Nuk duhet të kemi asnjë lloj frike. Nëse populli maqedonas nuk u është nënshtruar përpjekjeve për asimilim, denacionalizim dhe revizionizëm historik në periudhat kur nuk ka pasur të drejta dhe nuk ka pasur shtetin e vet, sot, kur kemi shtetin e vet, shanset për një gjë të tillë nuk ekzistojnë. Ndërsa detyra jonë është të kujdesemi që republikën tonë, të gjithë qytetarët e saj ta ndiejnë si atdheun e vet.

Për shumë vjet Ilindeni!
Rroftë Republika e Maqedonisë së Veriut!


 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit