Sot në Hotel “Hilton” në Shkup, u mbajt ceremonia e inaugurimit të Qendrës Presidenciale për Edukim Politik, një nga projektet kryesore në programin zgjedhor të Presidentit Stevo Pendarovski, i cili realizohet në drejtim të përpjekjeve për forcimin e vlerave politike demokratike, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, pluralizmi politik, tolerancës reciproke, unitetit dhe solidaritetit.
Në ngjarje, fjalim rasti kishte Presidenti Pendarovski, të cilit i parapriu nënshkrimi zyrtar i memorandumit për bashkëpunim midis Zyrës së Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe fondacioneve dhe organizatave partnere: Fondacioni “Friedrih Ebert” për Maqedoninë e Veriut, Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), Fondacioni “MK2025 ”, Fondacioni “Konrad Adenauer”, Fondacioni Vestminister për Demokraci në Maqedoninë e Veriut dhe Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).
Përfaqësues të nderuar të fondacioneve dhe organizatave dhe anëtarë të Këshillit të Programit të Qendrës Presidenciale për Edukim Politik,
Të nderuar panelistë,
Të nderuar mysafirë që na ndiqni përmes platformës elektronike “ZUM”,
Te dashur miq,
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju drejtohem në ngjarjen e përurimit të Qendrës Presidenciale për Edukim Politik, përpara debatit të parë me titull “E ardhmja e demokracisë – të rinjtë në politikë dhe shoqëri”.
Kjo qendër për edukim politik është një nga nismat që kam njoftuar para fillimit të mandatit tim dhe të cilën e konsideroj si një nga projektet kryesore të programit tim. Jam i lumtur që më në fund po fillojmë me realizimin e saj, pas shumë prolongimeve dhe vështirësive të shkaktuara nga pandemia, e cila fatkeqësisht, ndikon në të gjitha aktivitetet tona të planifikuara.
Të nderuar të pranishëm,
Shoqëria maqedonase karakterizohet me konflikt të lartë dhe ndarje në disa baza. Dallimet legjitime politike, si elemente thelbësore të pluralizmit politik, në vend që të jenë baza për dialog politik të hapur dhe konstruktiv, fatkeqësisht janë bërë shkak i padurimit të thellë dhe pengesë për bashkëpunimin midis subjekteve politike në përmbushjen edhe të prioriteteve tona kryesore shtetërore. Në tre dekadat e kaluara të pavarësisë kemi kaluar kriza të shumta politike. Në fillim, arsyeja ishte mungesa e përvojës themelore politike dhe nevoja për të mësuar se si funksionon demokracia.
Por, në dekadën e kaluar, pas 20 viteve përvojë demokratike, na ndodhi një polarizim aq i fuqishëm sa që vendin e solli në prag të konfliktit civil.
Partizimi i institucioneve, privatizimi i interesit publik, diskriminimi në vend që të pranojmë diversitetin, veçanërisht në ato vite, ishin realiteti ynë që ndikoi negativisht në zhvillimin e vendit dhe shkatërronte perspektivat për një jetë të denjë për qytetarët tanë.
Edhe sot, për fat të keq, një numër i madh hulumtimesh tregojnë tendenca të theksuara drejt pikëpamjeve politike autoritare tek një pjese të konsiderueshme të brezit të ri. Zmbrapsja e atillë në zhvillimin demokratik është një pasojë e pritshme e krizës së përhershme të institucioneve politike dhe nivelit të ulët të besimit të qytetarëve në to. Të jetosh në një rend politik demokratik është një privilegj që është ende i paarritshëm për miliarda njerëz në botën. Por, demokracia nuk mund të mbijetojë nëse nuk investojmë në ndërtimin e vetëdijes demokratike, edukimin për procedurat dhe vlerat demokratike dhe tolerancën dhe pajtimin qytetar. Të jetosh në një rend politik demokratik është një privilegj që është ende i paarritshëm për miliarda njerëz në botën. Por, demokracia nuk mund të mbijetojë nëse nuk investojmë në ndërtimin e vetëdijes demokratike, edukimin për procedurat dhe vlerat demokratike dhe tolerancën dhe pajtimin qytetar. Dihet prej kohësh që investimi më fitimprurës afatgjatë në një shoqëri është investimi në arsim. Në mënyrë që të kemi një demokraci të qëndrueshme, në mënyrë që të kemi brezat e ardhshëm të demokratëve, patjetër duhet të investojmë në një arsim të bazuar në vlera demokratike. Ishte kjo nevojë që më shtyu të filloja një iniciativë të tillë, për të cilën shpresoj sinqerisht që në periudhën e ardhshme të marrë mbështetje më të gjerë shoqërore.
Të dashur miq,
Me këtë rast dëshiroj të falënderoj sinqerisht të gjitha fondacionet dhe organizatat që njohën idenë dhe vizionin e Qendrës Presidenciale për Edukim Politik dhe u përfshinë në punën e saj si pjesë e Këshillit të Programit.
Këto janë: Fondacioni “Fridrih Ebert”- Shkup, Fondacioni Westminister për Demokraci në Maqedoninë e Veriut, Fondacioni “Konrad Adenauer”- zyra në Shkup, Instituti Demokratik Kombëtar (NDI)-zyra në Shkup, Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI)- zyra në Shkup dhe Fondacioni “MK2025 “.
Më lejoni të shpreh kënaqësinë time që kemi partnerë me përvojë dhe të përkushtuar me rolin aktiv të të cilëve do të mundemi ta arrijmë programin e planifikuar dhe të realizojmë qëllimet e përcaktuara.
Përndryshe, në punën dhe aktivitetet e Qendrës Presidenciale mund të marrin pjesë të gjitha shoqatat dhe fondacionet nga vendi dhe jashtë vendit, të cilat kanë qëllimin kryesor të promovojnë kulturë të dialogut dhe respektimit të realitetit multikulturor dhe për këtë qëllim do të doja t’i ftoja të bashkohen me ne të gjithë ata që shohin veten me këto vlera.
Në periudhën që pason, janë planifikuar ngjarje edukative, debate për çështje të rëndësishme shoqërore, konferenca shkencore, diskutime profesionale, si dhe një shkollë e politikës, me ligjërues dhe trajnerë të shquar nga vendi dhe jashtë. Unë besoj se me punën e Qendrës ne do të kontribuojmë në promovimin e kulturës së dialogut dhe do të ndikojmë në reformën e arsimit përmes përfshirjes gjithëpërfshirëse të arsimit politik në sistemin tonë arsimor formal dhe joformal.
Të udhëhequr nga vizioni i forcimit të demokracisë, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, pluralizmit politik, tolerancës dhe solidaritetit të ndërsjellë, jam i bindur se së bashku do t’ia arrijmë qëllimit.
Me një mendim të tillë, uroj një debat konstruktiv dhe interesant dhe punë të suksesshme të Qendrës Presidenciale për Edukim Politik në vitet e ardhshme.
Ju faleminderit!