Intervista e Presidentit Pendarovski për Agjencinë Anadoll

25 Gusht 2022 | Intervistat

Në vijim është intervista e Presidentit Stevo Pendarovski për Agjencinë Anadolli, me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, deklaroi se vendi, që në fillim të viteve ’90-të, kur e shpalli pavarësinë e vet dhe deri më sot, e ka marrë gjithmonë mbështetjen maksimale nga Turqia, e cila e ndihmon në rrugën e anëtarësimit të tij në organizatat ndërkombëtare, por edhe në fushën ekonomike me investime të shumta.

Në intervistën për Agjencinë Anadolli (AA), me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, që festohet të premte, më 26 gusht, Presidenti Pendarovski tha se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në “Nivel jashtëzakonisht të lartë”.

Ai theksoi se në pjesën politike ky kualifikim fillon nga vitit 1991/1992 kur Maqedonia e Veriut e shpalli pavarësinë, kurse në pjesën ekonomike, siç tha Presidenti, bashkëpunimi është zmadhuar në fillim të viteve 2000 sepse “në vitet ’90-të kishte hapësirë të madhe për përmirësim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, sepse biznesi turk nuk ka qenë sa duhet i pranishëm këtu”.

“Si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, edhe në bashkëpunimin tonë në organizatat ndërkombëtare, çdo herë kemi marrë mbështetjen maksimale nga Turqia dhe anasjelltas. Mendoj se nuk mund të jetë ndryshe duke pasur parasysh lidhjet historike që i kemi, diasporën e madhe e cila prej këndej është shpërngulur në Turqi dhe anasjelltas, mendoj si urë bashkëpunimi. Dhe, të gjitha supozimet janë që ai bashkëpunim të zhvillohet edhe më tej në interes të të dy shteteve dhe të të dy popujve”, tha Pendarovski.

Presidenti Maqedonas theksoi se roli i Turqisë ka qenë i madh gjatë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në organizatat ndërkombëtare, sidomos në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, sepse Turqia është anëtare e vjetër në Aleancë.

Ai i përmendi si shembull dokumentit e NATO-s, në të cilat që në kandidaturën e parë të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në vitin 1999, vendi quhej Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, por kudo kishte fusnotë në të cilën shkruante “Turqia e njeh këtë shtet nën emrin Republika e Maqedonisë”.

“Është e qartë se mbështetja politike për etablimin tonë më të dukshëm dhe më të gjerë ndërkombëtarisht ka qenë e pakontestueshme nga Turqia [Türkiye] të gjitha këto vite dhe kështu është e dhe sot e kësaj dite”, shtoi Pendarovski.

“Kemi shumë gjëra për të mësuar nga Turqia [Türkiye]

Pendarovski e lavdëroi Turqinë si “anëtare e hershme e bashkësisë ndërkombëtare”, duke theksuar se vitin e ardhshëm Turqia do të festojë 100-vjetorin e ekzistencës së vet që nga viti 1923.

“Turqia [Türkiye] ka traditë të hershme që nga kohët e mëparshme dhe është një nga shtetet më të hershme me kulturë dhe tradita më të hershme, një nga diplomacitë më të moçme, kështu që ka ende shumë gjëra që duhet t’i mësojmë nga Turqia [Türkiye] në atë aspekt, si strukturohet një organizëm shtetëror, një strukturë shtetërore”, shtoi Pendarovski.

Ai, përmendi, gjithashtu, se Turqia [Türkiye] është midis vendeve të para të cilat e njohën pavarësinë e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991 dhe dërgoi ambasadorin e vet në Shkup, momente të cilat Presidenti maqedonas i përshkroi si “më emocionueset” në marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe në “kuptimin politik, momentin më thelbësor për etablimin e Qeverisë dhe të shtetit maqedonas në atë periudhë”.

“Çdo e katërta kompani në Maqedoninë e Veriut ka kapital turk”

Mandej, Presidenti Pendarovski foli edhe për marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, duke theksuar se nga fillimi i viteve 2000 “fillon zmadhimi i menjëhershëm” i vëllimit të shkëmbimit tregtar.

“Shkëmbimi tregtar midis dy shteteve për vitin e kaluar është 780 milionë euro. Të dhënën e fundit të cilën e kam, që është përpiluar nga Enti ynë i statistikës, dëshmon se vetëm në tremujorin e parë të këtij viti me Turqinë [Türkiye] kemi mbi 250 milionë euro shkëmbim tregtar në të dy drejtimet”, theksoi Pendarovski, duke shtuar se nëse ky trend do të ruhet dhe në tremujorët e tjerë të këtij viti, shkëmbimi tregtar midis dy vendeve do të arrijë mbi 1 miliard  euro.    

Duke folur për investimet e huaja, Pendarovski informoi se në Maqedoninë e Veriut ka rreth 1.350 kompani të huaja, prej të cilave pjesa më e madhe janë investues turq. Ai thotë se për Maqedoninë e Veriut është i rëndësishëm fakti që investuesit turq vendin e konsiderojnë si një nga destinacionet e tyre më atraktive dhe theksoi se trendët dëshmojmë se “ecim vetëm përpjetë”.

“Më Maqedoninë [e Veriut] kemi rreth 1.350 firma me kapital të huaj, firma të cilat janë me kapital tërësisht të huaj ose me kapital dominues të huaj. Çdo kompani e katërt ka kapital turk. Domethënë në këto 1.350 çdo e katërta ka ose kapital tërësisht ose dominues turk. Domethënë llogarisni sa e madhe është prania e investitorëve turq te ne”, theksoi Pendarovski.

Ai shtoi se ministritë dhe agjencitë kompetente në vend punojnë në thellimin e këtij bashkëpunimi, në sektorë të ndryshëm. Siç tha ai, shkëmbimi tregtar me Turqinë [Türkiye]  është diversifikuar dhe nuk lidhet vetëm me një sektor ekonomik.

“Nga industria deri te turizmi praktikisht kudo ekzistojnë ende të themi “xhepa” të mëdhenj të mundësive të pashfrytëzuara ose hapësirë manovruese që të përmirësohet ai bashkëpunim. Duke pasur se ekziston vullnet i qartë politik nga të dyja palët në të dy shtetet, domethënë nuk ka aspak probleme politike midis dy shteteve të cilat eventualisht do ta pengonin ose limitonin këtë rritje, mendoj se në fusha të ndryshme do të t vëmë re vetëm rezultate të larta dhe pozitive”, theksoi Pendarovski.

“Turqia [Türkiye] nuk ka asnjë ndikim që mund t’i përçajë popujt në rajon”

Mandej, Pendarovski vlerësoi se nga Maqedonia e Veriut nuk ka çështje të hapur që i mbingarkon marrëdhëniet bilaterale midis Ankarasë dhe Shkupit. Ai shton, gjithashtu, madje edhe nëse pyetet ndonjë politikan turk ose Presidenti i Turqisë, Rexep Taip Erdogan, ai mund të thoshte “formulim të ngjashëm”.

“Është fakt se nuk kemi çështje [të hapur]. Mendoj se edhe miqtë tanë turq do të jenë dakord me këtë. Nuk ekziston çështje e cila i mbingarkon marrëdhëniet, të themi, se nëse këtë nuk e zgjidhim, mandej është e vështirë të kemi trende pozitive si deri më tani. Unë nuk shoh një çështje të tillë dhe mendoj se këtu me miqtë tanë turk kemi një konsensus”, shtoi Pendarovski.

Sipas Presidenti maqedonas, Turqia [Türkiye] ka pasur, ka dhe do të ketë një rol konstruktiv dhe pozitiv në Ballkan. Siç theksoi Pendarovski, Turqia [Türkiye] ka një qasje të balancuar në të gjithë Ballkanin, pa marrë parasysh përkatësinë fetare apo etnike të qytetarëve të jetojnë në vend.

“Turqia [Türkiye] asnjëherë në Ballkan, nëse dëshironi edhe në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht, nuk ka pasur ndonjë rol apo ndikim i cili do t’i përçajë popujt e rajonit. Nuk ka qenë asnjëherë për njërin, dhe kundër tjetrit. Për shembull, Turqia [Türkiye] si shtet dhe shoqëri dominuese myslimane, ka një numër të theksuar vizitash, investimesh dhe bashkëpunimi të përkryer, saç mund të shoh, të them me Serbinë. Domethënë nuk mund të themi se Turqi shikon vetëm Bosnjën dhe Hercegovinën, siç mendojnë disa, por është [e përkushtuar] tërësisht ndaj të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë të barabartë”, tha ai.

Për marrëveshjen ukrainase për grurin, “shumë pak besonin se diçka e tillë ishte e mundshme”

Presidenti i Maqedonisë së Veriut foli edhe për luftën ruse në Ukrainë dhe rolin e Turqisë [Türkiye] si mediatore. Ai theksoi se Rusia është agresor i pakontestueshëm në Ukrainë, por sipas tij, ekzistojnë shumë pak njerëz dhe shtete në botë të cilët mund të bisedojnë me Presidentin rus, i cili “është arkitekti kryesor i këtij sulmi mbi Ukrainën”.

“Marrëveshja e fundit për eksport të grurit dhe drithërave, ukrainase, që u arrit pas bisedimeve me ditë e orë midis palës ukrainase dhe ruse, Turqia [Türkiye] ishte mediatore. Në këtë moment nuk besoj se ka ndonjë shtet tjetër në botë i cili mund të ketë relacione të barabarta edhe me Ukrainën edhe me Rusinë për të mirën e përgjithshme, përndryshe mund të ndodhte uri e madhe në disa pjesë të botës, sidomos në Afrikë, nëse ndodhte kjo gjë”, theksoi Pendarovski.

Sipas Presidentit, marrëveshja për eksport të drithërave ukrainase është vetëm dëshmi se angazhimi personal i Presidentit Erdogan dhe i diplomacisë së tërësishme turke, por edhe vetë imazhi i Turqisë [Türkiye] si shtet kanë vlerë të lartë në botë, që mundësuan një marrëveshje të tillë.

“Shumë pak veta besonin se një gjë e tillë ishte e mundshme. Unë isha një nga ata të cilët ishin të rezervuar, për shembull. E di sa është e vështirë ose supozoj sa është e vështirë të negociosh me Putinin”, shtoi ai.

Turqia [Türkiye] është shembull për vendet e tjera kur bëhet fjalë për çështje historike

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, duke i përshëndetur miqtë turq, shprehu dëshirën që të vazhdojë bashkëpunimi i përkryer të cilin Maqedonia e Veriut e ka në të gjitha fushat edhe në periudhën e ardhshme. Ai theksoi se Turqia [Türkiye] mund të shërbejë si shembull për vendet e tjera kur bëhet fjalë për çështjet historike.

“Kemi bashkëpunim të madh në pjesën e arsimit, kulturës, për shkak të shekujve të kaluar, siç është moderne të thuhet tani “historisë së përbashkët”, ose historisë që e ndajmë si popuj. Turqia [Türkiye] ka qenë e pranishme me shekuj në këtë rajon. Dhe, ndoshta është interesante të them në fund, Turqia [Türkiye]  në suazat e Perandorisë Osmane ka qenë e pranishme në Ballkan disa shekuj, megjithatë Turqia [Türkiye]  e sotshme sillet në mënyrë moderne me rajonin ku dikur ka qenë pushtues. Dhe ky fakt duhet të jetë shembull për shumë shtete të tjera në botë, jo vetëm në rajon. Ka ndodhur çfarë ka ndodhur, historia le të mbetet në arkivat historike, sot duhet të bashkëpunojmë”, deklaroi Pendarovski.

Duke iu përgjigjur pyetjes a është tejkaluar më e vështira në negociatat me Bullgarinë fqinje, Presidenti Pendarovski tha se kjo varet nga sjellja e Sofjes zyrtare.

“Kjo deri më tani ishte shumë e vështirë. Akti i fundit, veçanërisht, në fillimin e negociatave, derisa e bëmë atë kompromis, e dini, kishim rezistencë të madhe midis qytetarëve, nuk ishte e thjeshtë. A do të jetë më e vështirë mandej, varet vetëm nga sjellja e Sofjes zyrtare”, tha Pendarovski.

Ai theksoi se pala maqedonase ka kufij dhe linja të cilat nuk mund t’i shkelë.

“Nëse Sofja zyrtare edhe mandej, në periudhën e ardhshme, del me retorikën me të cilën ka dalë në pjesën më të madhe në dy vitet e kaluara, duke u përpjekur të imponojë dilema dhe çështje të identitetit në tavolinë, së sot në të gjithë botën nuk bisedohen, atëherë ti je ai që dëshiron të jesh dhe punë e përfunduar, fund. Ajo është e drejta themelore njerëzore. Nëse miqtë dhe kolegët tanë në Sofje vendosin të sillen në mënyrë evropiane, atëherë mendoj se ne mund ta tejkalojmë të gjithë atë proces jashtëzakonisht shpejt, domethënë për katër-pesë vjet t’i përfundojmë të gjitha negociatat”, tha Pendarovski.

“Ne u harruam nga Bashkimi Evropian”

Duke folur për rrugën e deritanishme eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, Pendarovski tha se nuk është i kënaqur, duke pasur parasysh se pas 17 vjet pritjesh me statusin kandidat, më në fund fillojnë negociatat për anëtarësim

“Ne ishim harruar praktikisht nga Bashkimi Evropian dhe me serinë e shantazheve ndërkohë, falë Zotit, ia arritëm disi të bëjmë ndonjë kompromis me Republikën e Bullgarisë, me ndihmë të presidencës franceze dhe të fillojmë me negociatat. Megjithatë, nëse shikoni pas, ja nga viti 2005 kemi statusin e kandidatit, kurse tani filloni me negociatat, nuk mund të thotë askush se kemi sukses të madh në atë plan”, tha Pendarovski.

Sipas Presidentit, pritja nuk është kaq shumë për shkak të mungesës së reformave, por për shkak të bllokadave të hapura. Ai, gjithashtu, pohon se edhe “disa shtete evropiane nuk ishin të interesuara për rajonin e Ballkanit”.

“Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë shtete absolutisht të harruara, absolutisht të harruara. Kosova nuk mund të fitojë liberalizim të vizave. Edhe tani çfarë entuziazmi pret ti tek ajo popullatë, që të jetë për Bashkimin Evropian?!”, theksoi Pendarovski.

Duke rikujtuar se Mali i Zi dhe Serbia po negociojnë prej dhjetë vjetësh për anëtarësim në BE, ai theksoi se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor presin të përparojnë në Bashkimin Evropian.

“Bosnja dhe Hercegovina është shtet i cili ka vuajtur më shumë, objektivisht, pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, me më shumë viktime, vetëm mbi 100 mijë të vdekur, dhe nuk e di, disa thonë, edhe mbi 2 milionë të shpërngulur. Ai nuk mund, për shkak të kontradiktave të njohura të brendshme, nuk mund të përparojë. Megjithatë, edhe Evropa, meqenëse disa shtete janë më afër me njërin entitet, tjetri më afër entitetit tjetër, nuk i jep shumë dorën që t’i tërheqë nga ajo humnerë drejt të cilës po afrohen”, tha Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut tha se si pasojë e situatës së tillë, të rinjtë nga i gjithë Ballkani po shpërngulen, duke shtuar se asnjë shtet sot nuk ka aq banorë saç ka pasur para 20-30 vjetësh.

Presidenti Pendarovski skeptik se në këtë përbërje parlamentare do të votohen ndryshimet kushtetuese

Presidenti Pendarovski iu përgjigj edhe pyetjeve në lidhje me politikën e brendshme, sidomos në kontekstin e ndryshimeve kushtetuese të cilat dalin nga Protokolli bilateral me Bullgarinë.

Ai është skeptik se opozita e tanishme në Parlament është e disponuar të votojë për ndryshimet kushtetuese. Pendarovski konsideron se qëndrimi i opozitës është i imponuar nga logjika e brendshme partiake.

Sipas tij, në dokumentet e deritanishme nuk ka asnjë lloj rreziku për identitetin dhe gjuhën maqedonase.

“Ju nuk mund të detyroni askënd me forcë [të votojë], nëse opozita e tanishme mendon se dokumentet janë rrezik për popullin maqedonas. Unë nuk mendoj kështu. Vlerësimi im është se është shumë e vështirë të arrihet në këtë përbërje parlamentare deri në 2/3 e shumicës, sepse saç mund të vlerësoj unë, opozita në Parlamentin maqedonas e lexon marrëveshjen me Bullgarinë, përkatësisht kornizën negociuese me Bashkimin Evropian, nëpër dioptrinë partiake”, tha Pendarovski.

Duke folur mbi polarizimin politik në Maqedoninë e Veriut, ai thotë se nuk mund të arrihet konsensus as për çështjet strategjike siç janë eurointegrimet.

“Dy blloqet kryesore politike janë kaq lar dhe polarizimi është kaq i madh saqë edhe unë me të vërtetë nuk besoj se këtu ekziston minimum vullnet, para së gjithash për shkak të sjelljes së opozitës, të merremi vesh për dy-tri punë strategjike”, tha Pendarovski.

Duke pasur parasysh polarizimin politik, Presidenti Pendarovski nuk beson të ndihmojë takim i mundshëm i liderëve i iniciuar nga Kabineti i Presidentit.

“Në parim, nuk besoj se atë që nuk mund ta dakordojnë në institucione, do ta dakordoni në takim liderësh”, tha Pendarovski.

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....